ABIJAHU
[ati im është Jehovai].
Te 2 Mbretërve 18:2 ky emër del në formën e tij të shkurtuar Abi. Teksti masoretik te 1 Mbretërve 14:31; 15:1, 7, 8, jep një tjetër variant, Abijam. Megjithatë, rreth 12 dorëshkrime hebraike dhe Bibla në hebraisht e Jakob Ben-Hajimit (botimi i Bombergut, 1524-1525) te 1 Mbretërve 14:31 përdorin emrin «Abijah».
1. Nip i Beniaminit, renditet i shtati nga nëntë bijtë e Bekerit.—1Kr 7:8.
2. Djali i dytë i profetit Samuel, i cili bashkë me Joelin, vëllanë e tij të madh, u caktua nga babai i tyre i moshuar si gjykatës i Izraelit në Beer-Shebë. Meqenëse ata e shtrembëronin drejtësinë, merrnin ryshfete dhe zhvatnin padrejtësisht të tjerët, pleqtë e Izraelit i kërkuan Samuelit të vinte një mbret mbi ta.—1Sa 8:1-5; 1Kr 6:28.
3. Prift, pasardhës i Aaronit, që në kohën e mbretit David njihej si kreu i një prej shtëpive atërore të Izraelit. Davidi e ndau priftërinë në 24 ndarje dhe secila shërbente në shenjtërore një javë në gjashtë muaj. Shtëpia atërore e Abijahut u zgjodh me short në krye të ndarjes së tetë dhe më pas u njoh si «ndarja e Abijahut». (1Kr 24:3-10; Lu 1:5) Në fakt, thuhet se prifti Zakaria, i ati i Gjon Pagëzorit, i përkiste ‘ndarjes së Abijahut’.
4. Një nga 28 bijtë e Rehoboamit; quhet edhe Abijam. Mbreti i dytë i mbretërisë dyfisëshe të Judës që mbretëroi nga viti 980 deri në vitin 978 p.e.s. (1Mb 14:31–15:8) Ishte pasardhës i mbretit David si nga i ati, edhe nga e ëma; duke nisur nga Abrahami, bënte pjesë në brezin e 16-të të linjës mbretërore të Jezu Krishtit. (1Kr 3:10; Mt 1:7) Nga 18 gratë dhe 60 konkubinat e Rehoboamit, Makaha (që quhet Mikajah te 2 Kronikave 13:2), mbesa e Absalomit, ishte më e dashura për të, prandaj e privilegjoi duke zgjedhur djalin e saj, Abijahun, si pasues të tij në fron, megjithëse nuk ishte i parëlinduri i mbretit.—2Kr 11:20-22.
Me ngjitjen në fron të Abijahut vitin e 18-të të mbretit Jeroboami I i Izraelit, nisi përsëri armiqësia mes mbretërisë veriore e asaj jugore dhe plasi lufta. Kundër ushtrisë së zgjedhur të Judës me 400.000 luftëtarë të fuqishëm ishin rreshtuar në formacion beteje 800.000 ushtarë të Jeroboamit. Aspak i trembur nga kjo pabarazi forcash, Abijahu iu drejtua me fjalë të zjarrta njerëzve të Jeroboamit, duke dënuar kultin idhujtar të viçit dhe duke u kujtuar besëlidhjen që kishte bërë Jehovai me Davidin për një mbretëri që s’do të merrte fund kurrë. «Ne kemi në krye Perëndinë e vërtetë»,—tha Abijahu, dhe shtoi: «Mos luftoni kundër Jehovait . . . sepse nuk do t’ia dilni mbanë!»—2Kr 12:16–13:12.
Në betejën e ashpër më pas, vetë Perëndia e prishi pritën e ngritur nga Jeroboami dhe gjysmë milioni nga burrat e tij gjetën vdekjen. Kjo solli thyerjen e fuqisë së tij ushtarake. Abijahu shtiu në dorë edhe qytetin e Bethelit, ku ishte vënë një nga viçat e neveritshëm prej ari dhe ku shërbente një priftëri apostate. E gjithë kjo u arrit sepse Abijahu ‘u mbështet te Jehovai’. (2Kr 13:13-20) Megjithatë, ai vazhdoi të ecte në gjurmët e të atit, Rehoboamit, duke lejuar vendet e larta, shtyllat e shenjta, e madje prostitutat-meshkuj të tempullit. Ai «nuk iu kushtua me gjithë zemër Jehovait, Perëndisë së vet». (1Mb 14:22-24; 15:3) Gjatë jetës së tij, ai pati 14 gra dhe 38 fëmijë e pas vdekjes në fron e pasoi i biri, Asa.—2Kr 13:21; 14:1.
5. Biri i mbretit Jeroboami I i Izraelit që vdiq kur ishte ende fëmijë nga një gjykim i Jehovait. Për shkak të apostazisë së Jeroboamit, shtëpinë e tij filluan ta goditnin të këqijat njëra pas tjetrës, ndër të cilat edhe sëmundja e pashërueshme e Abijahut. Atëherë Jeroboami i tha mbretëreshës të maskohej e të nisej në Shiloh për t’u këshilluar me profetin Akijah, të moshuar dhe të verbër. Mirëpo Jehovai nuk mund të mashtrohet. Nëpërmjet Akijahut, profetit të tij, Jehovai shpalli se do t’i shfaroste trashëgimtarët meshkuj të Jeroboamit «ashtu si fshihen bajgat derisa të jenë hequr fare». (1Mb 14:10; 15:25-30) Megjithatë Abijahu ishte i vetmi pasardhës i Jeroboamit që u varros me nderim, sepse «vetëm tek ai u gjet diçka e mirë në lidhje me Jehovain».—1Mb 14:1-18.
6. Kreu i një familjeje priftërore në kohën e Zorobabelit dhe të Jeshuait pas mërgimit në Babiloni. Abijahu përmendet mes më shumë se 20 ‘krerëve të priftërinjve dhe vëllezërve të tyre’ që u kthyen në Jerusalem me Zorobabelin. (Ne 12:1-7) Ka shumë të ngjarë që të ketë qenë i pranishëm kur u hodhën themelet e tempullit, vitin e dytë, në kohën kur u riorganizua shërbimi i priftërinjve. (Ezd 3:8-10) Një brez më pas, në kohën e Jojakimit dhe të Nehemisë, familja priftërore e Abijahut përfaqësohej nga Zikri.—Ne 12:12, 17, 26.
7. Prift ose paraardhësi i një prifti, që në kohën e Nehemisë mori pjesë në vulosjen e ‘marrëveshjes së denjë për besim’ ose të rezolutës që u bë para Jehovait. (Ne 9:38–10:8) Nëse ky ishte Abijahu nr. 8, siç mendojnë disa, atëherë ai duhet të ketë qenë më shumë se 100 vjeç.