ADULAMI
Qytet i Judës në ultësirën pjellore, pra në Shefelah, pak a shumë në mesin e rrugës nga Betlehemi për në Lakish. (Js 15:35) Mendohet se është Tell-esh-Sheik-Madkuri (Horvat-ʽAdulami), afro 26 km në perëndim-jugperëndim të Jerusalemit. Me sa duket, emri origjinal ruhet tek emri i ʽId-el-Mait (Mijehut), një grumbull rrënojash aty pranë. Adulami ishte në pozicion strategjik, pasi kontrollonte Vadi-es-Surin dhe rrugën që çonte nga kjo pjesë e Shefelahut më në brendësi të Judës. Njihet kryesisht për «shpellën e Adulamit» ku Davidi ia mbathi për shkak të mbretit Saul. Në këtë zonë ka shpella të panumërta gëlqerore.—2Sa 23:13.
Duket se Adulami ishte qytet i lashtë dhe përmendet për herë të parë në Bibël kur flitet për Hirah «adulamitin», që u bë shok i Judës para se familja e Jakobit të shpërngulej në Egjipt. (Zn 38:1, 2, 12, 20) Rreth tre shekuj më vonë, Adulami ishte një nga 31 mbretëritë e vogla që mposhti Josiu gjatë pushtimit të Tokës së Premtuar. (Js 11:1-15; 12:15) Më pas, Adulami bashkë me qytete të tjera të Shefelahut iu caktua Judës.—Js 15:33-35.
Ndërkohë që i fshihej Saulit, Davidi ia mbathi nga mbreti filistin i Gathit, Akishi, dhe u ngjit në Adulam, në një shpellë, ku më pas u bashkuan me të rreth 400 burra. (1Sa 22:1-5) Këtë zonë, afro 19 km në perëndim-jugperëndim të Betlehemit, Davidi mbase e njihte që nga koha kur ishte bari dhe, meqë ishte një vend ku arrihej me vështirësi, me sa duket mendoi se ishte vend ideal për t’u mbrojtur. Më vonë, gjatë mbretërimit të tij, Davidi e përdori si bazë ushtarake në luftërat kundër filistinëve. Prej atje, tre luftëtarë bënë një inkursion në Betlehem që të merrnin ujë nga sterna, të cilin Davidi nuk pranoi ta pinte, sepse përfaqësonte gjakun e ushtarëve që rrezikuan për ta marrë.—1Kr 11:15-19; 12:16; 2Sa 5:17, 18.
Adulami ishte një nga 15 qytetet që fortifikoi Rehoboami i Judës. (2Kr 11:5-12) Këtë varg qytetesh, që duhej të siguronte mbrojtje nga perëndimi dhe nga jugu, e pushtuan trupat e Senakeribit gjatë mbretërimit të Hezekisë (732 p.e.s.). (2Mb 18:13) Adulami përmendet në kohën e Nehemisë ndër qytetet e ripopulluara nga judenjtë që u kthyen në atdhe prej mërgimit në Babiloni.—Ne 11:30.