AI
[grumbull gërmadhash].
Në versionin King James quhet edhe «Hai», me nyjë shquese para, siç është në hebraisht. Ky emër shfaqet edhe në gjininë femërore si Aiath dhe Aija.—Is 10:28; Ne 11:31.
1. Qytet mbretëror i kananitëve, qyteti i dytë që pushtuan izraelitët. Ndodhej «afër Beth-Avenit, në lindje të Bethelit», dhe në veri kishte një luginë. (Js 7:2; 8:11, 12) Në jug, me sa duket, gjendej Mikmashi.—Is 10:28.
Pak pasi mbërriti në Kanaan, Abrahami e ngriti tendën duke pasur ‘Bethelin në perëndim dhe Ain në lindje’. Ndërtoi atje një altar dhe u kthye në atë vend pasi jetoi njëfarë kohe në Egjipt.—Zn 12:8; 13:3.
Në vitin 1473 p.e.s., pas fitores mbi Jerikonë, Ain e sulmoi një ushtri e vogël me rreth 3.000 izraelitë, meqë vëzhguesit thanë për banorët e Ait: «Ata janë pak.» (Js 7:2, 3) Mirëpo, për shkak të mëkatit të Akanit, Izraeli pësoi disfatë. (Js 7:4-15) Pasi u ndreq ajo çështje, Josiu përdori një strategji kundër Ait, duke i ngritur qytetit një pritë nga prapa, në krahun perëndimor të tij. Pjesa kryesore e ushtrisë zuri pozicion para qytetit, në veri, ku ndodhej një luginë ose rrafshinë e shkretë, dhe atje Josiu u përgatit për një sulm ballor kundër Ait. Si i tërhoqën jashtë qytetit mbretin dhe një grup burrash të Ait, forcat e Josiut bënë sikur po zmbrapseshin, derisa ata që i ndiqnin u larguan shumë nga qyteti i tyre i fortifikuar. Atëherë, burrat që ishin në pritë morën sinjalin të hidheshin në veprim, e kështu qyteti u pushtua dhe iu vu zjarri. (Js 8:1-27) Mbretin e Ait e ekzekutuan dhe qyteti u katandis në «një pirg të përhershëm gërmadhash [heb., tel], në një vend të shkretë deri sot e kësaj dite».—Js 8:28.
Në kohën e Isaisë, në shekullin e 8-të p.e.s., ai qytet, a ndoshta një vend pranë tij, ishte i banuar dhe u profetizua se do të ishte vendi i parë që do të pushtonte mbreti i Asirisë ndërsa marshonte drejt Jerusalemit. (Is 10:28) Pas mërgimit në Babiloni, beniaminitët e Ait u kthyen me karvanin e Zorobabelit.—Ezd 2:28; Ne 7:32; 11:31.
Në përgjithësi mendohet se Ai ndodhej në Kirbet-et-Tel (Horvat-et-Tel), emri i të cilit ruan kuptimin e emrit të lashtë (et-Tel do të thotë «pirgu; grumbulli i gërmadhave»). Ky vend gjendet 2,3 km në lindje-juglindje të Bethelit (Beitinit të sotëm). Megjithatë, gërmimet e bëra atje në vitet 1933-1935 dhe 1964-1972 tregojnë se ishte një qytet i madh që u shkretua rreth vitit 2000 p.e.s. dhe mbeti i pabanuar deri rreth vitit 1050 p.e.s. (sipas metodave arkeologjike të datimit). Për shkak të kësaj, arkeologët kanë bërë disa orvatje që t’u japin kuptim tjetër referimeve biblike për Ain. Sidoqoftë, arkeologu J. Simons e sheh si të papranueshme lidhjen e Ait me Kirbet-et-Telin, duke u bazuar te madhësia e qytetit (Js 7:3), te fakti që në veri të Kirbet-et-Telit nuk ka ndonjë luginë të gjerë (Js 8:11) dhe tek arsye të tjera. (American Journal of Archaeology, korrik-shtator 1947, f. 311) Nëse datimi arkeologjik është i saktë, atëherë Ai duhej të ndodhej diku tjetër. Emri në vetvete nuk e identifikon medoemos një vend, siç vëren sër Frederik Kenioni: «Në Palestinë është dukuri e zakonshme t’i jepet emri i një vendi të rrënuar ose të braktisur një vendi tjetër fqinj me të.»—The Bible and Archæology, 1940, f. 190.
2. Qytet i përmendur bashkë me Heshbonin në profecinë e Jeremisë kundër amonitëve. (Jr 49:3) Vendndodhja nuk dihet.