HERMONI
[gjë e caktuar; gjë e vënë mënjanë].
Mendohet se Hermoni është mali më i lartë në afërsi të Palestinës, që arabët e quajnë Jebel-esh-Sheik (që ndoshta do të thotë «mali i të moçmit») ose Jebel-eth-Thalj (që do të thotë «mali i borës»). Siç duket, këta emra i ka marrë ngaqë e mbulon bora thuajse tërë vitin. Kapuçi i borës lart në majë mund të krahasohet me flokët e zbardhur të një plaku të moçëm. Në lashtësi, sidonitët e quanin këtë mal «Sirion», kurse amoritët e quanin «Senir». (Lp 3:8, 9) Emri i fundit me sa duket përdorej edhe për një pjesë të vargmalit të Anti-Libanit. (1Kr 5:23) Një emër tjetër i malit të Hermonit ishte ‘Sion’ (jo mali i Sionit afër Jerusalemit). (Lp 4:47, 48) Psalmisti tha se Hermoni tok me Taborin lëshonin britma të gëzuara dhe lëvdonin emrin e Jehovait.—Ps 89:12.
Mali i Hermonit, që është skaji jugor i vargmalit të Anti-Libanit, ngrihet 2.814 m mbi nivelin e detit dhe shtrihet rreth 30 km nga veriu në jug. Kreshtat e tij lidhen nëpërmjet një rrafshnalte. (Ps 42:6) Hermoni përbëhet nga shkëmbinj gëlqerorë, ndonëse në shpatet lindore e perëndimore spikatin disa pjesë bazalti. Në lartësi është krejt i zhveshur, me përjashtim të ca gëmushave tek-tuk. Mirëpo më poshtë ka bredha, pemë frutore e kaçuba. Në shpatet perëndimore e jugore, pjesët e poshtme janë të veshura me vreshta.
Në ditë të kthjellët, nga maja e Hermonit soditet një panoramë të shkëlqyer e një pjese të madhe të Palestinës. Në perëndim mund të shihen malet e Libanit, rrafshina e Tirit dhe deti Mesdhe; në jugperëndim mali i Karmelit; në jug lugina e Jordanit, tok me basenin Hula dhe detin e Galilesë; e në lindje rrafshina e Damaskut.
Maja me borë e malit të Hermonit bën që natën avujt e ujit të kondensohen dhe të kthehen në vesë të bollshme. Natyralisti i shekullit të 19-të H. B. Tristram tha: «Vesë kaq të bollshme kurrë s’na kishin zënë sytë. Gjithçka u bë qull dhe tendat thuajse nuk na mbronin fare.» (The Land of Israel, Londër, 1866, f. 608, 609) Vesa freskuese e Hermonit e mban gjallë bimësinë gjatë stinës së gjatë të thatë. (Ps 133:3; shih VESA.) Bora që shkrin nga ky mal është burimi kryesor i lumit Jordan.
Në lashtësi, Hermoni ishte strofkë e kafshëve të egra, si luanët e leopardët. (Kng 4:8) Kohët e fundit, atje janë parë dhelpra, ujq, leopardë dhe arinj sirianë.
Mali i Hermonit u bë kufiri verior i Tokës së Premtuar. (Js 12:1; 13:2, 5, 8, 11) Hivitët që jetonin rrëzë tij i mundi Josiu. (Js 11:1-3, 8, 16, 17) Në këtë mal mund të ketë ndodhur shpërfytyrimi i Jezu Krishtit (Mt 17:1; Mr 9:2; Lu 9:28; 2Pj 1:18), sepse pak para kësaj ai ndodhej në Cezarenë e Filipit aty pranë.—Mr 8:27; shih BAAL-HERMONI; SHPËRFYTYRIMI.
[Figura në botimin e shtypur]
Bora e malit të Hermonit bën që natën avujt e ujit të kondensohen e të kthehen në vesë të bollshme