ANERI
1. Një kananit. Ai dhe dy vëllezërit e tij, Mamre amoriti dhe Eshkoli, ishin «aleatë» të Abrahamit. (Zn 14:13) Fjala «aleatë» këtu përkthehet nga hebraishtja baʽaléh veríth, që fjalë për fjalë do të thotë «pronarë (zotërinj) të një besëlidhjeje». Nuk tregohet shumë për kushtet e kësaj marrëveshjeje mes këtyre tre vëllezërve dhe Abrahamit. Mund të jetë bërë për të mbrojtur njëri-tjetrin nga fqinjët luftarakë ose thjesht për të jetuar në paqe. Kur nipi i Abrahamit, Loti, u mor rob nga një aleancë tjetër mbretërish, Abrahami me aleatët e tij u mobilizuan. Aneri me vëllezërit e tij shoqëruan Abrahamin dhe 318 shërbëtorët e tij të stërvitur, duke u nisur nga pemët e mëdha të Mamres (ku Abrahami kishte ngritur tendat) deri në Dan, rreth 200 km në veri-verilindje, dhe më pas deri matanë Damaskut. Pas fitores, Abrahami nuk pranoi asgjë nga plaçka, por u kujdes që tri aleatët të merrnin pjesën e tyre, për faktin që kishin nderuar këtë «aleancë».—Zn 14:24; shih ALEANCAT, LIDHJET.
2. Një qytet në territorin e Manaseut që iu dha familjeve të bijve të Kehathit. (1Kr 6:70; Js 21:26) Disa studiues mendojnë se ai është qyteti i Tanakut i përmendur te Josiu 21:25.—Shih TANAKU.