MAMREA
[ndoshta: i majmë].
1. Prijës amorit që, bashkë me vëllezërit e vet Aner dhe Eshkol, ndihmoi Abrahamin të mundte mbretin Kedorlaomer dhe aleatët e tij. Me sa duket, ata e përkrahën Abrahamin për shkak të aleancës që kishin lidhur me të.—Zn 14:13, 24.
2. Vend që në përgjithësi e lidhin me Er Ramat-el-Khalilin, rreth 3 km në veri të Hebronit, por që, sipas disave, ndodhej më në perëndim, në harmoni me Zanafillën 23:17. (Shih MAKPELAHU.) Ishte vendbanimi kryesor i Abrahamit dhe, të paktën për njëfarë kohe, edhe i Isakut. Në shpellën e Makpelahut aty pranë, u varrosën ata dhe bashkëshortet e tyre, e më pas edhe Jakobi e Lea. (Zn 13:18; 35:27; 49:29-33; 50:13) Krojet e shumta e vaditin mirë atë zonë. Në kohën e Abrahamit, në Mamre kishte një pyllishtë me pemë të mëdha dhe atje ai i ndërtoi një altar Jehovait. (Zn 13:18) Nën një nga ato pemë, mikpriti engjëjt para se të shkatërrohej Sodoma dhe Gomorra. (Zn 18:1-8) Po atje, Jehovai i premtoi se Sara do t’i lindte djalë. (Zn 18:9-19) Në një vend afër Mamres, prej nga mund t’i rrokte syri mbarë krahinën deri në Sodomë, Abrahami pa tymin e dendur që ngrihej shtëllunga-shtëllunga, ngaqë ajo zonë u shkatërrua me zjarr.—Zn 19:27-29.
Në zonën ku mendohet se ndodhej Mamrea, ka pemë të mëdha (kryesisht lisa) që kanë ngjallur interes nga ana historike qysh prej kohës së historianit Jozef e deri në ditët tona. Gjatë shekujve, atje u ngritën faltore, zakonisht pranë një peme të moçme që supozohej se ishte pema nën të cilën Abrahami foli me engjëjt. Herodi i Madh ndërtoi një mur guri rreth këtij vendi për të cilin fliste tradita. Në shekullin e 4-t të e.s., perandori Kostandin ngriti atje një bazilikë pas vizitës të së vjehrrës në atë vend. Kohë më pas, edhe pushtuesit myslimanë e bënë objekt adhurimi atë zonë.