BENE-JAKANI
[bij të Jakanit].
Vend ku izraelitët ngritën kampin gjatë udhëtimit nëpër shkretëtirë. (Nu 33:31, 32) Jakani ka të ngjarë të jetë Akani i Zanafillës 36:27 dhe i 1 Kronikave 1:42 (ku teksti masoretik thotë «Jakan»). Në librin e Numrave lexojmë se izraelitët «u nisën nga Moseroti, dhe e ngritën kampin në Bene-Jakan. Pas kësaj u nisën nga Bene-Jakani, dhe e ngritën kampin në Hor-Hagidgad.»
Te Ligji i përtërirë 10:6, Beerot-Bene-Jakani përmendet bashkë me ‘Moserahun’ (njëjësi i Moserotit), prandaj ka të ngjarë që Beerot-Bene-Jakani (që do të thotë «puse të bijve të Jakanit») të jetë Bene-Jakani. Megjithatë, te Ligji i përtërirë udhëtimi i Izraelit tregohet në drejtim të kundërt nga ai që përshkruhet te Numrat, duke thënë se «bijtë e Izraelit u larguan nga Beerot-Bene-Jakani në drejtim të Moserahut». Duke pasur parasysh se izraelitët kaluan mjaft vjet në shkretëtirë, ka shumë mundësi që të kenë kaluar dy herë në këtë rajon. Në një vepër thuhet: «Një shpjegim i mundshëm është se, pasi udhëtuan drejt jugut për në Edom, izraelitët morën një kthesë të fortë drejt veriut.» (The Pentateuch and Haftorahs, nga Xh. Herci, Londër, 1972) Ndoshta iu është dashur që për një farë rruge të ktheheshin mbrapsht dhe të rivizitonin disa nga vendet ku kishin kaluar tashmë, por kësaj herë në drejtim të kundërt. Duhet vërejtur se te Ligji i përtërirë (10:6) flitet për vdekjen e Aaronit menjëherë pasi përmendet ndalimi në Moserah, kurse te Numrat (33:31-39) përshkruhet udhëtimi i izraelitëve deri në Ezion-Geber e më tej në veriperëndim deri në Kadesh, pastaj përmendet vdekja e Aaronit. Kjo, bashkë me vitet e shumta që kaluan, të jep mundësi të përcaktosh deri diku itinerarin e tyre në drejtim të kundërt, nëse hipoteza e mësipërme qëndron.
Bene-Jakanin (Beerot-Bene-Jakanin) zakonisht e lidhin me një vend pak kilometra në veri të Kadesh-Barneas.—Shih BEEROT-BENE-JAKANI.