KINERETI
1. Qytet i fortifikuar i Neftalit. (Js 19:32, 35) Sot mendohet se vendndodhja e tij ishte Kirbet-el-ʽOreimehu (Tel-Kineroti), që gjendet mbi një kodrinë më se 3 km në jugperëndim të Kapernaumit, prej nga shihet pjesa veriperëndimore e detit të Galilesë. Kinereti përmendet në muret e tempullit të Karnakit në Tebë, Egjipt, në listën e qyteteve kananite të pushtuara nga Tutmesi III (që, sipas historianëve, mbretëroi në shekullin e 16-të p.e.s.).
2. Krahinë a rajon në Izrael që e sulmoi Ben-Hadadi I, mbreti i Sirisë, me nxitjen e Asës, mbretit të Judës. (rr. 962 p.e.s.) (1Mb 15:20; krahaso 2Kr 16:4.) Në përgjithësi mendohet se shprehja ‘gjithë Kinereti’ i referohet rrafshinës pjellore të Genesaretit.
3. Emri i hershëm i detit të Galilesë. (Nu 34:11) Duke e lidhur këtë emër me fjalën hebraike për «harpë» (kinnóhr), disa hedhin idenë se liqeni u quajt kështu për shkak të formës si harpë. Emrat deti i Galilesë dhe deti i Tiberiadës, si edhe Genesaret, që ndoshta ishte forma greke e emrit, u përdorën në kohën kur ishte në tokë Jezui.—Lu 5:1; Gjo 6:1.
Përveç faktit që u përfshi në kufijtë e Tokës së Premtuar (Nu 34:11), ky liqen bënte pjesë në kufirin perëndimor të mbretërisë amorite të Ogut dhe, pas pushtimit izraelit, ishte pjesë e kufirit perëndimor të fisit të Gadit. (Lp 3:16, 17; Js 13:24-27) Siç duket, me shprehjen «rrafshinat e shkreta [heb., ʽaraváh] në jug të Kineretit» (Js 11:2) nënkuptohet pjesa e luginës së Jordanit që shtrihet në jug të detit të Galilesë dhe quhet Gor.—Shih DETI I GALILESË.