GEHAZI
Shërbëtori i profetit Elise.
Njëherë, kur Eliseu pyeti çfarë mund të bënte për shunamiten që e kishte mikpritur, Gehazi ia drejtoi vëmendjen zotërisë së tij te fakti që ajo s’kishte fëmijë dhe burri i saj ishte i moshuar. Kështu, Eliseu i tha asaj se do të shpërblehej me një djalë. Vite më vonë, fëmija që lindi nëpërmjet një mrekullie u sëmur dhe vdiq. Atëherë, shunamitja shaloi gomaricën, shkoi tek Eliseu në malin Karmel dhe e kapi nga këmbët. Kur e pa këtë, Gehazi u përpoq ta largonte, por Eliseu i tha ta linte të qetë. Kur gruaja mbaroi së foluri, Eliseu nisi menjëherë Gehazin te djali, kurse ai dhe gruaja shkuan më pas. Ata ishin ende rrugës kur Gehazi u kthye dhe u tha se e vuri shkopin e Eliseut mbi fytyrën e djalit, por «djali nuk u zgjua». Megjithatë, pak pasi arriti, Eliseu e ringjalli djalin e shunamites.—2Mb 4:12-37.
Kohë më vonë, Eliseu e këshilloi shunamiten dhe familjen e saj të shkonin gjetkë për të banuar, ku të mundeshin, sepse po vinte një zi buke që do të zgjaste shtatë vjet. Pas zisë së bukës, ajo u kthye nga Filistia në Izrael dhe iu përgjërua mbretit që t’i kthente shtëpinë e arën. Ndodhi që pikërisht në këtë kohë Gehazi po i tregonte mbretit se si Eliseu i kishte ringjallur djalin kësaj gruaje. Pasi dëgjoi vetë shunamiten, mbreti urdhëroi që t’i kthehej gjithçka, duke përfshirë gjithë prodhimin e arës gjatë kohës që ajo nuk kishte qenë.—2Mb 8:1-6.
Pangopësia për fitime i solli rrënimin Gehazit. Kur Naamani sirian u shërua nga lebra, Eliseu nuk e pranoi dhuratën që ai i ofroi për ta falënderuar. (2Mb 5:14-16) Kurse Gehazi, që e lakmonte, arsyetoi se ajo ishte e merituar. Kështu vrapoi pas Naamanit dhe në emër të Eliseut, i kërkoi një talentë argjendi (rreth 6.606 dollarë) dhe dy palë rroba, duke mashtruar sikur ishin për dy të rinj, bij profetësh, që sapo kishin ardhur nga rajoni malor i Efraimit. Naamani i dha me kënaqësi jo një, por dy talenta argjendi, dy palë rroba, si edhe dy shërbëtorë që t’i mbanin dhuratat. Kur arritën në Ofel, Gehazi ua mori nga dora dhuratën shërbëtorëve, i nisi mbrapsht, çoi dhuratën në shtëpi dhe shkoi duarbosh para Eliseut. Madje, ai mohoi se kishte qenë diku kur Eliseu e pyeti nga vinte. Për pasojë, Gehazi u godit me lebër. Lakmia, e shoqëruar me mashtrimin, jo vetëm u bë shkaku i lebrës që goditi atë dhe pasardhësit e tij, por i hoqi privilegjin që të vazhdonte t’i shërbente Eliseut.—2Mb 5:20-27.