MAKPELAHU
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «e dyfishtë», ndoshta për të treguar se shpella kishte një hyrje të dyfishtë ose dy zgavra a kthina].
Emri i një are dhe i një shpelle afër Hebronit, që Abrahami ia bleu hititit Efron për 400 sikla argjendi (rr. 880 dollarë). Shpella u bë vendvarrimi i gruas së Abrahamit, Sarës, dhe të paktën i pesë të tjerëve: Abrahamit, Isakut, Rebekës, Jakobit dhe Leas. (Zn 23:14-19; 25:9; 49:30, 31; 50:13) Me sa duket «Makpelah» quhej edhe zona përqark.—Zn 23:17.
Në përgjithësi mendohet se kjo shpellë varrimi është Meʽarat-Hamakpela, që ndodhet në Hebronin e sotëm, nën një xhami brenda një vendi të rrethuar që quhet Haram-el-Khalil.
Te Zanafilla 23:17, fjala hebraike që tregon pozicionin e shpellës së Makpelahut në lidhje me Mamren është përkthyer me terma të ndryshëm: «në lindje të» (RS), «para» (DSF), «afër» (BE), «përkundrejt» (JB) dhe «përballë Mamres» (BR). Nëse vendndodhja e Mamres është vërtet ajo që thotë tradita vendëse (Er Ramat-el-Khalili), atëherë përkthimi «në lindje të Mamres» nuk do të qëndronte, pasi ky vend ndodhet rreth 3 km në veri të Hebronit të sotëm. Shprehja ‘Mamre, domethënë Hebron’ (Zn 23:19), mund të nënkuptojë se Mamrea gjendej në krahinën e Hebronit.