MAHER-SHALAL-HASH-BAZI
[nxito, o plaçkë! Ai ka ardhur me të shpejtë për të plaçkitur; ose, duke nxituar drejt plaçkës, ai ka ardhur me të shpejtë për të plaçkitur].
Emri që i vunë djalit të dytë të Isaisë me urdhër të Jehovait.
Jehovai e urdhëroi Isainë t’i shkruante këto fjalë profetike në një pllakë të madhe dhe të merrte dëshmitarë të besueshëm për t’i vërtetuar. Pastaj e udhëzoi profetin t’ia vinte si emër djalit të sapolindur, duke thënë se para se fëmija të mësonte të thoshte «ati im» dhe «nëna ime», mbreti i Asirisë do të nënshtronte armiqtë e Judës: Damaskun dhe Samarinë. (Is 8:1-4) Domethënia profetike e emrit që iu vu djalit të dytë të Isaisë u përmbush brenda kohës së parathënë. Gjatë mbretërimit të Pekahut, mbretit të Izraelit, monarku asirian Tiglath-Pileseri III pushtoi Izraelin, shtiu në dorë shumë qytete, plaçkiti vendin dhe mori në robëri shumë banorë. Më pas, Pekahun e vranë. (2Mb 15:29, 30) Mbreti i Asirisë shtiu në dorë edhe Damaskun, kryeqytetin e Sirisë, çoi në mërgim popullin dhe vrau mbretin e Sirisë, Rezinin. (2Mb 16:9) Ky qe fundi i këtyre dy mbretërve që komplotuan kundër Judës. Më vonë, në vitin 740 p.e.s., asirianët mundën Samarinë dhe dëbuan izraelitët apostatë nga qyteti e nga pjesa tjetër e territorit të mbretërisë veriore të Izraelit. (2Mb 17:1-6) Kështu, ky djalë që i lindi Isaisë nga gruaja e tij (të cilën ai e quan ‘profetesha’) qe vërtet një ‘shenjë dhe mrekulli’ e besueshme nga Jehovai në Izrael.—Is 8:3, 18.