REZINI
1. Mbret i Sirisë që mbretëroi në Damask gjatë një periudhe të sundimit të Jotamit, mbretit të Judës (777-762 p.e.s.), dhe më pas të birit të tij, Akazit (mbretërimi i të cilit përfundoi në vitin 746 p.e.s.).
Duket se nga fundi i mbretërimit të Jotamit, Rezini u bashkua me Pekahun, mbretin e Izraelit, në luftë kundër Judës. (2Mb 15:36-38) Në atë luftë, që vazhdoi edhe gjatë mbretërimit të Akazit, sirianët e udhëhequr nga Rezini zunë rob shumë judenj dhe i çuan në Damask. (2Kr 28:5) Gjithashtu, Rezini i rrëmbeu Judës Elathin në gjirin e ʽAkabës, dëboi judenjtë dhe ua ktheu edomitëve atë qytet. (2Mb 16:6) Forcat dypalëshe siro-izraelite rrethuan Jerusalemin dhe kishin ndër mend që të bënin mbret atje «birin e Tabelit», por nuk arritën ta merrnin qytetin. (2Mb 16:5; Is 7:1, 6) Kjo situatë e trembi shumë Akazin, ndonëse Isaia e kishte siguruar se nuk kishte pse t’u frikësohej Rezinit të Sirisë dhe Pekahut të Izraelit. (Is 7:3-12; 8:6, 7) Ai i kërkoi ndihmë Asirisë dhe i dha ryshfet Tiglath-Pileserit III që të sulmonte Sirinë.—2Mb 16:7, 8; 2Kr 28:16, 20.
Tiglath-Pileseri III luftoi kundër Damaskut, e pushtoi dhe vrau Rezinin. Kështu, Siria u vu nën sundimin e Asirisë.—2Mb 16:9.
2. Ati i një familjeje nethinimësh, disa prej të cilëve u kthyen në Jerusalem nga Babilonia në vitin 537 p.e.s.—Ezd 2:1, 43, 48; Ne 7:6, 46, 50.