MERABA
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «bëhet e shumtë (e bollshme)»].
Më e madhja nga dy bijat e mbretit Saul. (1Sa 14:49) Duket se Sauli kishte dhënë fjalën që njërën prej tyre t’ia jepte për grua atij që do të vriste Goliadin (1Sa 17:25), prandaj kjo mund të ketë qenë arsyeja që ia premtoi Merabën Davidit. Pas përballjes me Goliadin, Davidi u tregua luftëtar i matur dhe i zoti kundër filistinëve, aq sa Sauli «i trembej», kurse populli i Izraelit dhe i Judës e donte. (1Sa 18:15, 16) Kur i ofroi për grua Merabën, Sauli e nxiti Davidin që të vazhdonte të ishte trim, ndërsa me vete thoshte «të mos i vijë nga dora ime, por nga dora e filistinëve», duke shpresuar që të vritej në betejë. Me përulësi, Davidi ngurroi ta pranonte propozimin për t’u bërë dhëndër i mbretit. Siç vajtën punët, Sauli nuk e mbajti fjalën dhe Meraba nuk u bë kurrë gruaja e Davidit. Tregimi thotë që vajza e vogël, Mikala, «ishte e dashuruar me Davidin», dhe kjo mund të nënkuptojë që Meraba nuk ishte. Sidoqoftë, «kur erdhi koha për t’i dhënë Davidit Merabën, . . . ai [Sauli] ia kishte dhënë tashmë për grua Adrielit, meholatitit».—1Sa 18:17-20.
Meraba i lindi Adrielit pesë djem. Mirëpo, më vonë, Davidi ua dorëzoi këta djem dhe dy pjesëtarë të tjerë të shtëpisë së Saulit gibeonitëve, të cilët i vranë që të shtatë. Këtë ai e bëri për të shlyer fajin e Saulit që ishte përpjekur të shfaroste gibeonitët.—2Sa 21:1-10; shih GIBEONI, GIBEONITËT.
Djemtë e Merabës i rrit e motra. Sipas tekstit masoretik, 2 Samuelit 21:8 flet për «pesë bijtë që Mikala, bija e Saulit, i lindi Adrielit». Mirëpo, 2 Samuelit 6:23 thotë që Mikala vdiq pa pasur fëmijë. Duket se disa skribë janë përpjekur ta zgjidhin këtë mospërputhje te 2 Samuelit 21:8 duke e zëvendësuar emrin e Mikalës me atë të Merabës. Kjo duket nga fakti që në Septuagintën greke (botimi i Lagardës) dhe në dy dorëshkrime hebraike në këtë varg lexojmë «Meraba». Megjithatë, një shpjegim i zakonshëm i 2 Samuelit 21:8, siç mund ta lexojmë në gati të gjitha dorëshkrimet e tjera hebraike, është ky:
Meraba, motra e Mikalës, ishte gruaja e Adrielit dhe i lindi atij pesë djem. Por ajo vdiq shpejt, kështu Mikala, e motra, e refuzuar nga Davidi dhe pa fëmijë, mori përsipër të rriste pesë djemtë e saj. Prandaj thuhet se ata nuk ishin fëmijët e Merabës, por të Mikalës. Në përputhje me këtë interpretim të 2 Samuelit 21:8, në përkthimin e Biblës nga Isak Liseri përmenden «pesë bijtë që Mikala, bija e Saulit, i rriti Adrielit» dhe një shënim për këtë varg thotë: «Sepse Mikala ishte gruaja e Davidit; por fëmijët ishin të Merabës, vajzës së madhe të Saulit, të cilët ka të ngjarë t’i ketë edukuar motra e saj.» Në Targume lexojmë: «Pesë bijtë që lindi Meraba (të cilët i rriti Mikala, e bija e Saulit).» Faktorë të tjerë, që nuk tregohen në Shkrime, mund të kenë ndikuar që vargu u shkrua kështu.