MIKALA
[ka të ngjarë: kush është si Perëndia?].
Vajza e vogël e mbretit Saul që u bë gruaja e Davidit. Sauli i kishte premtuar për grua Davidit vajzën e madhe, Merabën, por pastaj ia dha një tjetri. Mirëpo Mikala «ishte e dashuruar me Davidin» dhe Sauli do t’ia jepte vetëm nëse Davidi i sillte lafshat e njëqind filistinëve, pasi mendonte që, në përpjekje për të vrarë aq shumë armiq, ai do të gjente vdekjen. Davidi e pranoi këtë sfidë dhe i solli Saulit 200 lafsha filistinësh, dhe ai i dha për grua Mikalën. Paskëtaj «Sauli u frikësua edhe më shumë nga Davidi» dhe u bë armiku i tij i betuar. (1Sa 14:49; 18:17-29) Më vonë, kur urrejtja e Saulit për Davidin arriti kulmin, Mikala e ndihmoi Davidin t’i shpëtonte zemërimit të tij. Gjatë mungesës së gjatë të Davidit, Sauli ia dha atë për grua Paltit, birit të Laishit nga Galimi.—1Sa 19:11-17; 25:44.
Kohë më vonë, kur Abneri donte të bënte një besëlidhje me Davidin, ky pranoi ta shihte vetëm me kusht që t’i sillte Mikalën. Me anë të lajmëtarëve, Davidi ia paraqiti kërkesën e tij Ish-Boshethit, birit të Saulit, i cili dërgoi ta merrnin Mikalën nga i shoqi, Paltieli (Palti) dhe ia ktheu Davidit.—2Sa 3:12-16.
Ndëshkohet ngaqë nuk tregon respekt për Davidin. Mbreti David e solli Arkën e Besëlidhjes në Jerusalem dhe e shfaqi gëzimin për adhurimin e Jehovait duke hedhur valle e duke hovur «i veshur me një efod liri». Mirëpo Mikala e pa nga dritarja dhe «filloi ta përbuzte në zemër të vet». Kur Davidi u kthye në shtëpi, Mikala i shprehu me sarkazëm ndjenjat e veta, duke mos vlerësuar zellin e tij për adhurimin e Jehovait dhe duke treguar se sipas saj nuk i kishte hije ajo sjellje. Atëherë Davidi e qortoi dhe, me sa duket për ta dënuar, nuk pati më marrëdhënie seksuale me të, kështu ajo vdiq pa pasur fëmijë.—2Sa 6:14-23.
Rrit fëmijët e së motrës. Te 2 Samuelit 21:8, ndër pjesëtarët e shtëpisë së Saulit që Davidi u dha gibeonitëve për të shlyer fajin e Saulit që ishte përpjekur t’i zhdukte, përmenden edhe «pesë bijtë që Mikala, bija e Saulit, i lindi Adrielit». (2Sa 21:1-10) Sipas pikëpamjes së disa komentuesve, mospajtimi në dukje i 2 Samuelit 21:8 me 2 Samuelit 6:23, ku tregohet se Mikala vdiq pa lënë fëmijë, mund të zgjidhet kështu: këta pesë fëmijë ishin të Merabës, motrës së Mikalës, dhe Mikala i rriti ngaqë nëna e tyre vdiq e re.—Shih MERABA.