NIMRODI
Biri i Kushit. (1Kr 1:10) Sipas shkrimeve rabinike, emri Nimrod vjen nga folja hebraike marádh që do të thotë «rebelohem». Kështu, talmudi babilonas (Erubin 53a) thotë: «Atëherë, pse u quajt Nimrod? Sepse nxiti gjithë botën të rebelohej (himrid) kundër sovranitetit të Tij [Perëndisë].»—Encyclopedia of Biblical Interpretation, nga Menahem M. Kasheri, vëll. II, 1955, f. 79.
Nimrodi ishte themeluesi dhe mbreti i perandorisë së parë pas Përmbytjes. Ai dallohej si një gjahtar i fuqishëm «para» (në kuptimin negativ [heb., lifnéh]; «kundër»; krahaso Nu 16:2; 1Kr 14:8; 2Kr 14:10) ose «përballë» Jehovait. (Zn 10:9, shën., NW) Megjithëse në këtë rast disa studiues i veshin një ngjyrim më pozitiv parafjalës hebraike «përballë», Targumet judaike, shkrimet e historianit Jozef dhe konteksti i kapitullit 10 të Zanafillës lënë të kuptohet se Nimrodi ishte një gjahtar i fuqishëm që kundërshtonte hapur Jehovain.
Në fillim, mbretëria e Nimrodit përfshinte Babelin, Erekun, Akadin dhe Kalnehun, të gjitha qytete në vendin e Shinarit. (Zn 10:10) Pra, ka shumë mundësi që ndërtimi i Babelit dhe i kullës së tij të ketë nisur nën drejtimin e Nimrodit. Ky përfundim përputhet edhe me mendimin që ekziston në traditën judaike. Jozefi ka shkruar: «[Nimrodi] e shndërroi pak nga pak gjendjen në tirani. Ai mendonte se mënyra e vetme për t’i shkëputur njerëzit nga frika e Perëndisë, ishte duke i mbajtur vazhdimisht nën varësinë e pushtetit të tij. Ai kërcënoi se do të hakmerrej kundër Perëndisë, nëse i shkonte përsëri ndër mend të përmbyste tokën, pasi do të ndërtonte një kullë aq të lartë, sa ujërat s’do ta mbulonin dot dhe do të merrte hak për vdekjen e etërve të tyre. Njerëzit ishin gati të ndiqnin drejtimin e [Nimrodit], duke e konsideruar bindjen ndaj Perëndisë si skllavëri. Kështu, iu futën punës për të ndërtuar kullën . . . dhe e ngritën më shpejt nga ç’pritej.»—Antikitete judaike, I, 114, 115 (iv, 2, 3).
Duket se pas ndërtimit të Kullës së Babelit, Nimrodi e shtriu sundimin e tij në territorin e Asirisë, ku ndërtoi «Ninevinë, Rehobot-Irin, Kalahun dhe Resenin, mes Ninevisë dhe Kalahut, ky është qyteti i madh». (Zn 10:11, 12; krahaso Mi 5:6.) Përderisa Asiria me sa duket e mori emrin nga Ashuri, biri i Semit, Nimrodi, nipi i Kamit, duhet të ketë pushtuar territorin semit. Pra, ka të ngjarë që Nimrodi të ketë qenë njeriu i parë që u bë i fuqishëm ose hero, jo vetëm si gjahtar, por edhe si luftëtar ose pushtues. (Zn 10:8) Një vepër enciklopedike vëren: «Titulli i tij si gjahtar i fuqishëm nuk kufizohej vetëm me gjuetinë, dhe kjo bëhet e qartë nga lidhja e ngushtë e këtij titulli me ndërtimin e tetë qyteteve. . . . Ajo që bëri Nimrodi si gjuetar ishte vetëm një tregues i vogël i arritjeve të tij si pushtues. Në lashtësi, gjuetia dhe heroizmi kishin një lidhje të veçantë e të natyrshme. . . . Edhe monumentet asiriane paraqesin shumë skena gjuetie dhe fjala [gjueti] përdorej shpesh për fushatat ushtarake. . . . Prandaj, ka mundësi që gjuetia dhe beteja, të cilat në atë vend patën një lidhje shumë të ngushtë në epoka të mëvonshme, të jenë përdorur këtu si dy koncepte që lidhen ngushtë ose që janë identike. Pra, kuptimi do të ishte që Nimrodi qe i pari pas përmbytjes që themeloi një mbretëri, bashkoi fragmentet e një sundimi të përçarë patriarkal dhe i konsolidoi ato nën pushtetin e vet, si zotëria dhe padroni i vetëm. Dhe gjithë këtë e bëri në kundërshtim të hapur me Jehovain, pasi kjo përbënte një zaptim të dhunshëm të territorit semitik nga fuqia kamitike.»—Cyclopædia nga Meklintoku dhe Strongu, 1894, vëll. VII, f. 109.
Për hyjnizimin e Nimrodit, shih PERËNDITË DHE PERËNDESHAT (Hyjnitë babilonase).