Ata nuk i bënë një emër të njohur vetes
BIBLA nuk i përmend me emër ndërtuesit e kullës famëkeqe të Babelit. Tregimi thotë: «Tani ata thanë: ‘Ejani! Le të ndërtojmë një qytet për vete dhe, gjithashtu, një kullë me majën në qiell e le t’i bëjmë një emër të njohur vetes, nga frika se mos shpërndahemi nëpër gjithë sipërfaqen e tokës.’»—Zanafilla 11:4, BR.
Cilët ishin «ata»? Kjo ngjarje ndodhi rreth 200 vjet pas Përmbytjes. Deri në atë kohë, Noeja, tek të 800-at, jetonte mes mijëra pasardhësve të tij. Të gjithë ata flitnin të njëjtën gjuhë dhe jetonin së bashku në atë zonë, ku ai dhe bijtë e tij ishin vendosur pas Përmbytjes. (Zanafilla 11:1) Në një moment, një pjesë e kësaj popullsie të zgjeruar u zhvendos drejt lindjes dhe ‘zbuloi një rrafshnaltë lugine në vendin e Shinarit’.—Zanafilla 11:2, BR.
Një dështim absolut
Ndodhi në këtë luginë, që grupi vendosi të rebelohej kundër Perëndisë. Si kështu? Po ja, Perëndia Jehova kishte shprehur qëllimin e tij, kur e urdhëroi çiftin e parë njerëzor të ishte ‘i frytshëm dhe të shumëzohej, të mbushte tokën’. (Zanafilla 1:28) Kjo iu përsërit Noes dhe bijve të tij pas Përmbytjes. Perëndia i udhëzoi: «Ju, pra, jini frytdhënës dhe shumëzohuni; rrituni me të madhe në tokë dhe shumohuni në të.» (Zanafilla 9:7) Në kundërshtim me drejtimin e Jehovait, njerëzit ndërtuan një qytet, kështu që nuk do të ‘shpërndaheshin nëpër gjithë sipërfaqen e tokës’.
Këta njerëz filluan të ndërtojnë edhe një kullë, me qëllimin për t’i bërë «një emër të njohur» vetes. Por në kundërshtim me atë që pritnin, ata nuk e përfunduan ndërtimin e kullës. Tregimi i Biblës thotë se Jehovai e ngatërroi gjuhën e tyre, kështu që ata nuk mundën ta kuptonin njëri-tjetrin. «Kështu,—thotë tregimi i frymëzuar,—Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin.»—Zanafilla 11:7, 8.
Dështimi i plotë i kësaj aventure theksohet nga fakti se emrat e ndërtuesve nuk u bënë kurrë «të njohur» ose të mirënjohur. Në fakt, emrat e tyre janë të panjohur dhe janë fshirë nga historia njerëzore. Po ç’të themi për Nimrodin, stërnipin e Noes? A nuk ishte ai udhëheqësi i këtij rebelimi kundër Perëndisë? A nuk është i mirënjohur emri i tij?
Nimrodi: Një rebel i pacipë
Pa dyshim, Nimrodi ishte kryebanditi. Zanafilla, kapitulli 10, e paraqet si «një gjahtar të fuqishëm në kundërshtim të Jehovait». (Zanafilla 10:9, BR) Shkrimet thonë, gjithashtu, se «ai qe i pari që u bë i fuqishëm në tokë». (Zanafilla 10:8, BR) Nimrodi ishte një luftëtar, një njeri i dhunës. Ai u bë sundimtari i parë njerëzor pas Përmbytjes, duke u vetemëruar si mbret. Nimrodi ishte edhe një ndërtues. Bibla i atribuon atij themelimin e tetë qyteteve, përfshirë Babelin.—Zanafilla 10:10-12.
Pra, Nimrodi, një kundërshtar i Perëndisë, një mbret i Babelit dhe ndërtues qytetesh, pa dyshim që mori pjesë në ndërtimin e kullës së Babelit. A nuk i bëri vetes një emër të njohur ai? Në lidhje me emrin Nimrod, orientalisti E. F. C. Rosenmüller, shkroi: «Nimrodit iu dha emri nga [ma·radhʹ], ‘u rebelua’, ‘dezertoi’, sipas domethënies në hebraisht.» Më pas, Rosenmüller shpjegon se «orientalët e kanë zakon jo rrallë që t’i thërrasin personat e njohur me emrat që u janë dhënë pas vdekjes, gjë prej së cilës ndodh hera-herës përputhja e çuditshme mes emrave dhe gjërave të bëra».
Shumë studiues janë të mendimit se emri Nimrod nuk ishte një emër i dhënë që në lindje. Përkundrazi, ata e konsiderojnë atë një emër të dhënë më vonë, për t’u përputhur me karakterin e tij rebel, pasi ky karakter u bë i dukshëm. Për shembull, C. F. Kil pohon: «Vetë emri Nimrod nga [ma·radhʹ], ‘do të revoltohemi’, tregon qartë për ndonjë rezistencë të dhunshme ndaj Perëndisë. Ai është kaq karakteristik, saqë mund të jetë dhënë vetëm prej bashkëkohësve të tij dhe kështu është bërë një emër personal.» Në një shënim, Kil citon historianin Jakob Perizonius, që ka shkruar: «Do të mendoja se ky njeri [Nimrodi], si një gjahtar i egër dhe i rrethuar nga një bandë shokësh luftarakë, me qëllim që të nxiste pjesën tjetër për rebelim, ka pasur gjithmonë në gojën e tij dhe ka shqiptuar dyfish atë fjalë ‘nimrod, nimrod’, domethënë: ‘Le të rebelohemi! Le të rebelohemi!’ Kështu, në kohët e mëvonshme, nga të tjerët, madje nga vetë Moisiu, ajo fjalë iu vu si emër.»
Qartë, Nimrodi nuk i bëri një emër të njohur vetes. Me sa duket, emri që i është dhënë kur lindi është i panjohur. Ky emër është shuar nga historia, ashtu si emrat e atyre që i shkuan pas. Madje ai nuk la asnjë pasardhës që të mbante emrin e tij. Në vend që të merrte lavdi dhe famë, ai u vesh me turp. Emri Nimrod i ka ngjitur përgjithmonë etiketën e një rebeli të pacipë, që sfidoi në mënyrë të pamend Perëndinë Jehova.