SAMOJA
[lartësi].
Ishull në detin Egje afër bregut perëndimor të Azisë së Vogël. Me sa duket, Pavli ndaloi shkurtimisht në Samo kur po kthehej nga udhëtimi i tretë misionar.—Ve 20:15.
Një ngushticë gati 1,5 km e gjatë e ndan këtë ishull malor nga kepi i Samsun-Dagit, Azi. Samoja ishte në jugperëndim të Efesit dhe në veriperëndim të Miletit. Është afro 43 km i gjatë dhe 23 km i gjerë. Në kohën e udhëtimeve misionare të Pavlit ishte shtet i pavarur. Samo quhej si qyteti i tij kryesor, ashtu edhe porti. Ishulli njihej për kultin e Herës (Junonës, perëndeshës romake të martesës e të lindjes së fëmijëve) dhe kishte një tempull kushtuar asaj që, për nga madhështia e fama, krahasohej me tempullin e Artemisës në Efes.
Sipas tregimit biblik, anija me të cilën po udhëtonte Pavli kur po kthehej në Jerusalem ndaloi përballë Kiosit, lundroi nja 105 km në jug të bregut të Azisë së Vogël e ‘u ndal në Samo dhe, një ditë më pas, mbërriti në Milet’. (Ve 20:15) Disa dorëshkrime shtojnë një fjalë e kështu vargu del: «Arritëm në Samo dhe, pas një ndalese në Trogjili, arritëm të nesërmen në Milet.» (Dio) Kjo është marrë në kuptimin që anija nuk qëndroi në portin e Samos, përkundrazi, kaloi ngushticën dhe qëndroi e ankoruar nën mbrojtjen e kepit të lartë. Gjithsesi, dorëshkrimet më të vjetra e më të besueshme e heqin fjalën «Trogjili», dhe po njësoj kanë bërë Uestkoti dhe Horti, si edhe Nestleja dhe Alandi kur përgatitën tekstet bazë. Anija ku po udhëtonte Pavli, siç duket qëndroi për pak kohë në dok në portin e Samos dhe më pas vazhdoi lundrimin për në Milet.