THOMAI
[nga aram., që do të thotë «binjak»].
Ky apostull i Jezu Krishtit quhej «Binjaku». (Mt 10:3; Mr 3:18; Lu 6:15; Gjo 11:16) Duket se Thomai tregohej disi i rrëmbyer kur shfaqte ndjenjat ose shprehte dyshimet. Megjithatë, pasi i hiqte dyshimet, nuk ngurronte ta shfaqte bindjen e tij.
Kur Jezui vendosi të kthehej në Jude që të ringjallte Lazarin, Thomai tha: «Ejani të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të.» (Gjo 11:16) Përderisa pak më parë judenjtë ishin përpjekur ta vrisnin Jezuin me gurë (Gjo 11:7, 8), Thomai mund të ketë menduar se kështu po i inkurajonte dishepujt e tjerë të shkonin me Jezuin, sado që rrezikonin të vdisnin me Lazarin ose Jezuin.
Në rastin kur Jezui u tha apostujve se po shkonte t’u përgatiste një vend, Thomai u tregua dyshues duke thënë: «Zotëri, ne nuk e dimë se ku po shkon. E si e ditkemi udhën?!» (Gjo 14:2-6) Po ashtu, pasi dëgjoi se Jezui ishte ringjallur, Thomai tha: «Po të mos shoh shenjat e gozhdëve në duart e tij, të vë gishtin në shenjën e gozhdëve e të vë dorën në ijë, nuk besoj.» Tetë ditë më vonë, Thomait iu dha rasti ta bënte këtë kur Jezui iu shfaq sërish dishepujve. Nuk saktësohet nëse ai i preku vërtet plagët e Jezuit. Megjithatë, u bind dhe thirri: «Zotëria im dhe Perëndia im!» Atëherë Krishti e qortoi me butësi dhe i tha: «Lum ata që nuk shohin, e prapëseprapë besojnë!»—Gjo 20:24-29.