BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 1/1 f. 28-31
  • Gjeta thesarin me vlerë të shkëlqyeshme

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Gjeta thesarin me vlerë të shkëlqyeshme
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Sfondi im familjar
  • Duke gjetur thesarin e vërtetë
  • Ekspedita predikimi me babain
  • Duke ndeshur vështirësi të ndryshme
  • Vepër në Adelaide
  • Arsimim që zgjati gjithë jetën
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2004
  • E vetme, por kurrë e braktisur
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Një mbajtës drite për shumë kombe
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Jehovai më mësoi të bëj vullnetin e tij
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 1/1 f. 28-31

Gjeta thesarin me vlerë të shkëlqyeshme

TREGUAR NGA FLORENCE WIDDOWSON

Ndërsa muzgu afrohej, ne vendosëm të ngrinim çadrat afër një lagune. Nuk ishte vend ideal për dy gra, por menduam se s’do të kishte probleme për një natë. Ndërkohë që unë merresha me ngritjen e çadrës, Marjorie përgatiste darkën.

SAPO kisha mbaruar me vendosjen e kunjit të fundit të çadrës, kur syri më kapi një lëvizje afër një trungu të zi peme. «Vure re se diçka lëvizi nga trungu?»—i thirra Marjorisë.

—Jo.—m’u përgjigj ajo pak e hutuar.

—Po, diçka lëvizi qartë.—i thirra.—Më jep çajnikun!

Duke e marrë atë dhe sëpatën mbi sup, u nisa në drejtim të lagunës. Isha pothuajse në të njëjtin drejtim me trungun, kur një burrë lëvizi nga pjesa e mbrapme e tij!

—A është i mirë për t’u pirë uji i kësaj lagune?—mezi munda të belbëzoja.

—Jo,—m’u përgjigj ai me ashpërsi,—por, nëse doni të pini ujë, unë mund t’ju jap.

Me nxitim refuzova ofertën e tij dhe për fat ai u kthye mbrapa dhe iku. Duke u dridhur nxitova për t’u kthyer dhe i tregova Marjorisë çfarë ndodhi. Me shpejtësi hoqëm çadrën, e paketuam dhe ikëm. Më vonë mësuam se ai njeri sapo ishte liruar nga burgu.

Megjithëse në 1937-ën, kërkuesit e arit ngrinin shpesh fushimin atje në fushat e arit të Australisë, ne ishim kërkues të ndryshëm. Ne kërkonim njerëz që ishin të çmuar për Perëndinë.

Sfondi im familjar

Njëqind vjet më parë, babai im ishte farkëtar në fshatin e vogël Porepunkah në shtetin Viktoria. Unë linda atje në 1895-ën dhe u rrita bashkë me katër vëllezërit e mi afër lumit Ovens në rrëzë të malit Bufalo. Prindërit e mi ishin pjesëmarrës të rregullt në Kishën e Bashkuar dhe unë shkoja në shkollën e së Dielës, ku babai im ishte mbikëqyrës.

Në 1909-ën, gjatë një stuhie të ashpër, nëna pësoi një atak zemre dhe vdiq në krahët e babait tim. Pastaj, nga fillimi i vitit 1914, një nga vëllezërit e mi iku nga shtëpia dhe pas pak orësh u kthye përsëri tek ne​—i vdekur. Kishte bërë vetëvrasje. Hidhërimi ynë u thellua nga mësimi i kishës se atë e priste ferri, pasi thuhej se vetëvrasja konsiderohej si një mëkat i paharrueshëm.

Pas këtij viti, shpërtheu Lufta e Parë Botërore dhe dy nga vëllezërit e mi hynë në ushtri për shërbimin përtej detit. Lajmet e tmerrshme të gjakderdhjes dhe dhimbjes nxitën gjashtë prej ne vajzave, bashkë me babain, të fillonim studimin e librit biblik të Gjonit.

Duke gjetur thesarin e vërtetë

Ellen Hudson kishte një kopje të librit Koha është afër, të Charles Taze Russell. Entuziazmi i saj për të ndikoi edhe pjesën tjetër të grupit tonë. Kur vuri re se libri ishte vetëm njëri nga seria prej gjashtë volumesh e titulluar Studime mbi shkrimet, ajo i dërgoi një letër Shoqatës Ndërkombëtare të Studentëve të Biblës në Melburn dhe u kërkoi volumet e tjera. Grupi ynë ra dakort të përdorte për studimin javor, volumin e parë Plani hyjnor i kohërave.

Përfytyro gëzimin tim dhe të babait, kur zbuluam se nuk ekziston ferri i zjarrtë. Frika se vëllai im ishte izoluar në flakët e ferrit ishte larguar. Mësuam të vërtetën se të vdekurit janë të pavetëdijshëm, si në gjumë dhe nuk jetojnë në ndonjë vend duke hequr mundime. (Eklisiastiu 9:5, 10; Gjoni 11:11-14) Disa në grupin tonë të studimit të Biblës vendosën të shkonin tek fqinjët për të predikuar të vërtetat që kishin mësuar. Shkuam në këmbë në shtëpitë e të afërmve, por për të shkuar tek ata që banonin jashtë qytetit përdorëm biçikletat dhe kaloshinat me dy rrota të tërhequra nga një kalë.

Pata kënaqësinë e parë të dëshmisë shtëpi më shtëpi në ditën a armëpushimit, në 11 nëntor 1918. Tre nga grupi ynë i studimit të librit përshkuan 85 km deri në qytetin Wangaratta, për të shpërndarë fletushkën People’s Pulpit. Vite më vonë, ndërsa u caktova për të predikuar në një nga zonat e brendshme, pata përvojën e përmendur më sipër.

Në 1919, mora pjesë në një kongres të Studentëve të Biblës në Melburn. Atje, në 22 prill 1919, simbolizova dedikimin tim ndaj Jehovait me pagëzim në ujë. Banketi frymor thelloi çmueshmërinë time për thesarin frymor të Mbretërisë së qiellit dhe për organizatën tokësore të Jehovait.​—Mateu 13:44.

Mbas kongresit nuk u ktheva në shtëpi, por pranova ftesën për t’u bashkuar me Jane Nicholson, një predikuese në shërbim të plotë kohor, për të dhënë dëshmi së bashku për një muaj. Territori ynë ishin fermat dhe zonat për mbarështimin e gjedhit përgjatë lumit King. Pak vjet më pas, kjo zonë malore ishte dekori për filmin Njeriu nga lumi prej dëbore.

Në 1921, morëm ndihmën e shkëlqyeshme për studime biblike Harpa e Perëndisë. Kur babai filloi ta përdorte atë si tekst libri për klasën e tij në shkollën e së Dielës, shumë prindër protestuan dhe i kërkuan atij të jepte dorëheqjen. Ai bëri kështu aty për aty. Më vonë morëm broshurën Ferri, me pyetjet e tij mbi kapak që ngjallnin interes: «Çfarë është ai? Cilët ndodhen atje? A mund të dalin ata prej atje?» Babai ishte aq i tronditur me argumentet e qarta biblike të paraqitura në temë, saqë menjëherë filloi të shpërndante kopje të asaj broshure shtëpi më shtëpi. Ai shpërndau qindra prej tyre në fshatin tonë dhe tek fshatarët e afërm.

Ekspedita predikimi me babain

Më në fund, babai bleu një makinë për të shkuar me mesazhin e Mbretërisë tek njerëzit në krahinat e tjera. Si një farkëtar ai dinte më mirë të kalëronte, kështu unë u bëra shoferja e makinës. Në fillim flinim në hotel. Por, shpejt rezultoi se ishin shumë të shtrenjtë, prandaj filluam të ngrinim çadrën.

Babai fiksoi ndenjësen e përparme të veturës, kështu që ajo u bë e rrafshtë dhe unë mund të flija në veturë. Ngritëm një çadër të vogël për babain që të flinte në të. Pasi kishim ndenjur aty për disa javë, u kthyem në Porepunkah, ku babai mund të hapte përsëri dyqanin e farkëtarit. Gjithmonë na mahniste fakti se përherë kishim një numër të madh klientësh, gjë që na bënte të mundur të mbulonim shpenzimet për udhëtimin tonë të ardhshëm të predikimit.

Shumë njerëz që prireshin nga drejtësia i përgjigjeshin në mënyrë të favorshme vizitave tona dhe përfundimisht pranonin studime biblike në shtëpi. Tashmë ekzistonin shtatë kongregacione me Sallat e tyre të Mbretërisë në zonën që fillimisht ishte ndihmuar nga grupi ynë i vogël në Porepunkah. Në të vërtetë kush mund të përçmojë «ditën e gjërave të vogla»?​—Zaharia 4:10, BR.

Në 1931, unë dhe babai përshkuam afërsisht 300 km në rrugë të ashpra për të marrë pjesë në një mbledhje speciale, ku adoptuam emrin tonë të ri «Dëshmitarë të Jehovait». Të gjithë ishim të kënaqur me këtë emër të mrekullueshëm të marrë nga Shkrimet. Ai na identifikonte më qartë se emri më pak i dallueshëm «Studentë Ndërkombëtarë të Biblës», me të cilin ishim të njohur deri atëherë.

Një ditë, kur po jepnim dëshmi në qytetin Bethanga, takova priftin lokal nga Kisha e Anglisë. Ai u zemërua dhe filloi të shkonte tek ata ku kishim lënë libra, duke kërkuar që t’ia dorëzonin atij. Më pas, ai dogji publikisht librat në qendër të qytetit. Por, veprimi i tij i urryer u kthye kundër tij.

Pasi unë informova zyrën e degës së Shoqatës për atë që kishte ndodhur, u shkrua një letër e hapur që dënonte atë që kishte bërë kleri. Gjithashtu, ishin bërë parapërgatitje që makinat e ngarkuara të Dëshmitarëve t’i shpërndanin ato anembanë krahinës. Kur unë dhe babai më vonë vizituam përsëri qytetin, lamë më shumë libra se herën e parë. Njerëzit e qytetit ishin kuriozë për atë se çfarë përmbante literatura e «e ndaluar»!

Njeriu i parë që përqafoi të vërtetën biblike si rezultat i predikimit tonë ishte Milton Gibb. Nga njëra vizitë në tjetrën, ai studionte me rrënjë të gjitha botimet e Shoqatës që i linim. Në një nga vizitat tona të kthimit ai na habiti duke thënë: «Tani jam një nga dishepujt e tu.»

Megjithëse isha e kënaqur me vendimin e tij, unë i shpjegova: «Jo, Milton. Ti nuk mund të jesh një nga dishepujt e mi.»

—Mirë, atëherë, unë jam një nga dishepujt e Rutherfordit [atëherë president i Shoqatës Watch Tower].

Përsëri unë vura në dukje: «Jo, as një nga dishepujt e Rutherfordit, por besoj një nga dishepujt e Jezu Krishtit.»

Milton Gibb tregoi se ishte tashmë një nga thesarët e shumtë të çmuar për të cilët kisha harxhuar kaq shumë vjet duke i kërkuar. Ai dhe dy prej djemve të tij janë pleq të krishterë, ndërsa anëtarët e tjerë të familjes së tij janë aktivë në kongregacion.

Duke ndeshur vështirësi të ndryshme

Pavarësisht se në Australi në janar 1941, u vendos heqja e së drejtës për veprën e Dëshmitarëve të Jehovait, ne vazhdonim të predikonim, duke përdorur vetëm Biblën. Atëherë shërbimi im si pioniere apo shërbimi i plotë kohor u ndërpre kur shkova në shtëpi për t’u kujdesur për sëmundjen e rëndë të babait tim. Më vonë edhe unë u sëmura dhe m’u desh të bëja një operacion të rëndë. Kthimi i shëndetit zgjati për pak kohë, megjithatë përjetova vërtetësinë e premtimit të Perëndisë: «Në asnjë mënyrë nuk do t’ju lë dhe në asnjë mënyrë nuk do t’ju braktis.» (Hebrenjve 13:5, BR) Një motër e krishterë më qetësoi duke thënë: «Flo, mos harro se nuk je kurrë vetëm. Ti dhe Jehovai gjithmonë bëni një shumicë.»

Atëherë erdhi fundi i sëmundjes 13 javore të babait tim të shtrenjtë. Në 26 korrik 1946 ai mbylli sytë në vdekje. Ai kishte gëzuar një jetë të plotë dhe jeta e tij ishte me shpresë qiellore. (Filipianëve 3:14) Kështu, në moshën 51 vjeçare, unë mbeta vetëm pasi kisha qenë me babain pjesën më të madhe të viteve të mia. Mbas kësaj takova burrin tim të ardhshëm. U martuam në 1947 dhe së bashku filluam shërbimin si pionierë. Por, kjo periudhë e gëzuar nuk zgjati shumë, pasi në 1953 ai pësoi një goditje dhe u bë invalid.

Të folurit e burrit tim ishte prekur keqas dhe ishte pothuajse e pamundur të bisedoje me të. Kjo ishte pjesa më e vështirë për ta ndihmuar atë. Sforcimi mendor për t’u përpjekur të kuptoja atë që ai dëshironte të thoshte me të vërtetë ishte shumë i madh. Megjithëse jetonim në një zonë të izoluar ku nuk kishte kongregacion, gjatë këtyre viteve të lodhshëm Jehovai nuk na braktisi. Unë vazhdoja të njihesha me të gjitha informacionet e mëparshme të organizatës, si dhe me furnizimin e vazhdueshëm me ushqim frymor në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Në 29 nëntor 1957 burri im vdiq.

Vepër në Adelaide

Tani isha përsëri vetëm. Çfarë duhej të bëja? A mund të pranohesha përsëri në shërbim të plotë kohor mbas një ndërprerjeje afërsisht pesë vjeçare? U pranova, kështu shita shtëpinë dhe fillova shpejt veprën si pioniere në Adelaide, kryeqyteti i Amerikës Jugore. Atje, pionierët ishin shumë të nevojshëm në atë kohë dhe unë u caktova në kongregacionin Prospekt.

Meqë isha e shqetësuar për ecjen me makinë në trafikun e qytetit, shita veturën dhe fillova të përdor përsëri një biçikletë. E përdora atë deri në moshën 86 vjeçare, duke u bërë e njohur në zonë si «zonja e vogël me biçikletë blu». Me kohë, bëhesha gjithnjë e më shumë nervoze me trafikun; më dukej sikur rrota e përparme e biçikletës dridhej vazhdimisht. Më në fund, ndodhi që një mbasdite përfundova nën një gardh. «Kjo ishte»,—i thashë vetes dhe kështu u ktheva pas përsëri në këmbë.

Pak vjet më pas, ndërkohë që merrja pjesë në një kongres krahinor, këmbët filluan të më lëshonin dhe që atëherë bëra dy operacione në kofshë. Mbas operacionit çdo gjë shkonte mirë, derisa një qen i madh më rrëzoi për tokë. Kjo bëri të nevojshëm një trajtim tjetër dhe që atëherë për të lëvizur më nevojitet një mjet ndihmës. Mendja ime është akoma plotësisht aktive. Është ashtu si një vëlla më ka thënë: «Duket se trupi yt i moshuar nuk mund të ecë krahas me mendjen tënde të re.»

Me kalimin e viteve, pashë të rritet, të zgjerohet dhe të ndahet kongregacioni në Adelaide. Më pas në 1983, kur isha 88 vjeç, ika nga Adelaide për të jetuar me një familje në Kyabram në shtetin Viktoria, ku kisha kaluar dhjetë vite të gëzuara. Akoma ia dal mbanë të marr pjesë në shërbimin në fushë; vëllezërit në kongregacion më shoqërojnë për të vizituar ata që marrin rregullisht revista nga unë. Këta njerëz në mënyrë të sjellshme vijnë deri tek makina dhe kështu unë mund t’u flas atyre.

Duke pasur parasysh më shumë se 98 vitet e jetës sime, kujtoj me dashuri shumë prej atyre besnikëve të cilët kanë lavdëruar Jehovain bashkë me mua, veçanërisht babain tim të dashur. Duket se unë kam jetuar më gjatë se të gjithë besnikët që ishin bashkëpunëtorët e mi në shërbimin si pionier. Çfarë gëzimi më pret duke qenë së bashku me ata që ndajnë shpresën e çmimit të jetës në Mbretërinë qiellore të Perëndisë, me të vërtetë një thesar me vlerë të pakrahasueshme!

[Figura në faqen 28]

U pagëzova në 22 prill 1919

[Figura në faqen 31]

Jam akoma e gëzuar që i shërbej Jehovait ndërkohë që po i afrohem 100 vjetëve

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo