Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
«Fjala e Perëndisë po përhapej»
KONGREGACIONI i krishterë u rrit nga rreth 120 anëtarë në mbi 3.000 veta, shumë shpejt pasi ishte formuar. (Veprat 1:15; 2:41) Bibla shpjegon se «fjala e Perëndisë po përhapej, dhe numri i dishepujve po shumohej fort në Jerusalem». (Veprat 6:7) Vetëm pas disa viteve, kongregacioni i sapoformuar u bë një organizatë ndërkontinentale me të krishterë në Afrikë, Azi dhe Evropë.
Ngjashëm, kongregacioni i krishterë sot po përjeton një rritje të shpejtë. Për shembull, në Meksikë numri i lajmëtarëve të Mbretërisë është rritur vetëm brenda pesë vjetëve nga më se 130.000 në 443.640! Në 1995-ën, një në çdo 59 banorë në Meksikë ndoqi Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, që mbahet nga Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, korrja frymore në atë vend nuk ka përfunduar, siç ilustrohet nga përvoja e mëposhtme.—Mateu 9:37, 38.
Në një qytet në shtetin Kiapas, askush nuk kishte pranuar një studim biblik në shtëpi me Dëshmitarët e Jehovait, edhe pse ata e kishin predikuar lajmin e mirë në atë zonë për 20 vjet. Ishte e qartë se shumë nga banorët e atij qyteti kishin frikë nga një person që njihej si i dhunshëm. Ata i frikësoheshin reagimit të tij nëse do të merrte vesh se po studionin Biblën me Dëshmitarët.
Dy Dëshmitarë të guximshëm që u transferuan në këtë zonë, vendosën ta zgjidhnin problemin, duke shkuar drejtpërdrejt tek personi për të cilin bëhej fjalë. Kur mbërritën në shtëpinë e tij, derën ua hapi e shoqja, e cila e dëgjoi me vëmendje mesazhin e tyre. Ajo ishte veçanërisht e interesuar për atë që thoshte Bibla rreth jetës në parajsën mbi tokë. Por e pranoi se i shoqi do t’ia keqësonte punët nëse studionte Biblën. Dëshmitarët i shpjeguan se po të mos shqyrtonte me kujdes atë që thoshte Bibla, kurrë nuk do të mësonte se si t’i shërbente Perëndisë dhe të gëzonte jetën në tokë përgjithmonë. Ajo pranoi një studim biblik.
Siç pritej, i shoqi ishte i pakënaqur me vendimin e saj. Ai e ndaloi të përdorte automobilin e saj për të ndjekur mbledhjet e krishtere, megjithëse e linte ta përdorte për qëllime të tjera. Përkundër kundërshtimit të tij, ajo shkonte rregullisht në Sallën më të afërt të Dëshmitarëve të Jehovait, që ishte 10 km larg. Të tjerët në qytet e vunë re shpejt guximin dhe vendosmërinë e saj. Njerëzit filluan t’i dëgjonin Dëshmitarët, ndërsa ata vizitonin shtëpitë e tyre. Disa madje filluan ta shoqëronin gruan në mbledhje. Pas një kohe të shkurtër, Dëshmitarët drejtonin rreth 20 studime biblike në atë qytet!
Një shoqe e kësaj gruaje vendosi të studionte Biblën, pavarësisht nga kundërshtimi i të shoqit. Çuditërisht, ajo u inkurajua për ta bërë këtë nga vetë burri i gruas që kishte filluar të studionte e para. Pasi ai foli me burrin e saj, kundërshtimi pushoi. Kështu, pas 20 vjetëve, fara e së vërtetës biblike më në fund u rrit. Më shumë se 15 persona studiojnë Biblën dhe ndjekin mbledhjet e krishtere, duke përfshirë edhe këto dy gra që tani po përhapin lajmin e mirë.