Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Armiqtë e dikurshëm të bashkuar në shërbim të Jehovait
«PËR herë të parë dëgjova diçka mbi Dëshmitarët e Jehovait, ndërsa shërbeja si rojë e armatosur në Bosnje»,—shpjegon Branko.a
Branko ishte me detyrën e rojës në një spital ku mjekoheshin të plagosurit. Një nga mjekët studionte Biblën me Dëshmitarët dhe gjatë një turni nate, ai i shpjegoi Brankos shumë nga ato që kishte mësuar mbi Biblën.
Fjalët që dëgjoi atë natë e nxitën aq shumë Brankon, saqë menjëherë i dorëzoi armët. Ai u lidh me Dëshmitarët, duke dashur të mësonte më shumë. Disa kohë më vonë, pasi ishte transferuar në një tjetër vend evropian, Branko kërkoi dhe gjeti një Sallë të Mbretërisë dhe ndoqi një mbledhje në kongregacionin jugosllav të Dëshmitarëve të Jehovait. Atje, Branko u takua me Sllobodanin.
Edhe Sllobodani vinte nga Bosnja dhe kishte shërbyer si vullnetar në po atë luftë, si edhe Branko, por në krahun kundërshtar. Sllobodani kishte luftuar për serbët, kundër kroatëve. Në kohën kur të dy u takuan, Sllobodani ishte një Dëshmitar i pagëzuar i Jehovait. Ai u ofrua të studionte Biblën me Brankon, me armikun e tij të dikurshëm. Ndërsa studimi shkonte përpara, Branko mësoi edhe më shumë për Jehovain dhe dashuria e tij për Perëndinë u rrit. Kjo e nxiti Brankon t’i dedikonte jetën e vet Krijuesit. Në tetor 1993, ai e simbolizoi dedikimin e tij me pagëzimin në ujë.
Si ishte bërë Sllobodani një Dëshmitar i Jehovait? Ai kishte ikur nga zona e luftës në Bosnje disa kohë më parë. Kishte lexuar ca botime të Dëshmitarëve, por interesi i tij për Fjalën e Perëndisë u rrit vetëm pasi dy Dëshmitarë shkuan në shtëpinë e tij, në fillimet e vitit 1992. Kush shkoi te Sllobodani, duke i ofruar të studionte Biblën me të? Ishte Mujo, i cili vinte edhe ai nga Bosnja, por i rritur si mysliman. Ndërsa studimi i Biblës përparonte, Mujo dhe Sllobodani, dikur armiq, kalonin kohë së bashku çdo ditë, për të forcuar besimin e njëri-tjetrit.
Lufta në ish-Jugosllavi u ka marrë jetën qindra e mijëra njerëzve. Por Branko, Sllobodani dhe Mujo, janë tani predikues në shërbim të plotë kohor, në të njëjtin kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Ata e kanë kapërcyer urrejtjen etnike dhe raciale dhe tani kërkojnë paqe, ndërsa i nënshtrohen Krijuesit, Jehovait.
Por si ndodhën këto ndryshime? Nga dashuria e tyre për Jehovain, nga respekti i tyre për Biblën dhe nga gatishmëria e tyre për të zbatuar të vërtetën e Biblës në jetën e tyre. Siç thotë edhe Shkrimi i Shenjtë: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese . . . dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës.»—Hebrenjve 4:12.
[Shënimi]
a Janë përdorur pseudonime.