Të drejta të njeriut për të gjithë: Një realitet mbarëbotëror!
«CILI është shkaku rrënjësor i dhunimeve të të drejtave të njeriut?»—u pyet një avokate me përvojë në të drejtat e njeriut. «Lakmia,—u përgjigj avokatja.—Lakmia për pushtet politik dhe ekonomik.» E meqë lakmia buron nga mendja e njeriut, dhunimet e të drejtave të njeriut në fund të fundit pasqyrojnë një gjendje mendore. Një shkak tjetër është nacionalizmi. Filozofia «vendi im vjen i pari» nxit shumë dhunime të të drejtave të njeriut. Pra, të drejtat e njeriut do të realizohen vetëm ‘nëse del një qeveri botërore që është në gjendje të marrë masa përforcuese’, shprehet profesori i ligjit dhe i ekonomisë nga Holanda, Jan Berkaur.
Me fjalë të tjera, që të drejtat e njeriut të bëhen një realitet global, më përpara duhet të ndodhin të paktën dy gjëra: një ndryshim mendjeje dhe një ndryshim qeverie. A është realiste të presim që të ndodhin këto gjëra?
Një arsye e dyfishtë për ndryshim
Ndërkohë që «Dekada për arsimimin mbi të drejtat e njeriut», e programuar nga OKB-ja, po hyn në vitin e pestë të saj, një program arsimimi ndërkombëtar, joqeveritar po ndodh tashmë nga shumë dekada dhe ka sukses në ndryshimin e mendjeve të miliona njerëzve. Si rezultat, këta individë tani i trajtojnë të tjerët me dinjitet. Ky program, i vënë në veprim nga Dëshmitarët e Jehovait, funksionon në më shumë se 230 vende. Pse ka sukses?
Pikësëpari, ky program global arsimimi biblik e zgjeron kuptueshmërinë e njerëzve në lidhje me origjinën e të drejtave të njeriut. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut pohon se njeriu ka të drejta, sepse është një qenie me arsye dhe me ndërgjegje.
Njeriu duhet t’i ketë marrë aftësitë e të arsyetuarit dhe të ndërgjegjes nga një burim më i lartë. (Shiko kutinë «Burimi i të Drejtave të Njeriut» në faqen 13.) Njohja e këtij burimi më të lartë hyjnor siguron një arsye të fortë që të respektojmë të tjerët. Do t’i trajtojmë të tjerët me dinjitet, jo vetëm sepse ndërgjegjja na shtyn për të vepruar kështu, por, ajo çka është më e rëndësishme, sepse respekti dhe dashuria për Krijuesin na shtyn për ta trajtuar krijesën e tij me dinjitet. Ky mjet i dyfishtë bazohet në fjalët e Jezu Krishtit: «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde» dhe «Duhet ta duash të afërmin tënd si veten tënde». (Mateu 22:37-39, BR) Një person që e respekton thellë Krijuesin nuk do t’i dhunonte kurrë të drejtat e të tjerëve, sepse ato janë një trashëgimi e marrë nga Perëndia. Një dhunues i të drejtave të njeriut është një grabitës i trashëgimive.
Arsimim që ndikon
Sa i efektshëm është ky program arsimimi biblik i Dëshmitarëve të Jehovait në zvogëlimin e dhunimeve të të drejtave të njeriut? Mënyra më e mirë për t’u përgjigjur është të shohim rezultatet e programit, pasi, siç tha Jezui, «mençuria është provuar e drejtë nga veprat e saj».—Mateu 11:19, BR.
Në një mbishkrim të mirënjohur në një mur të sheshit të Kombeve të Bashkuara në qytetin e Nju Jorkut lexojmë: «Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre në plugje. Dhe heshtat e tyre në drapinj: Një komb nuk do të ngrejë shpatën kundër një kombi tjetër. As nuk do të mësojnë më luftën.» Me këtë citim nga libri biblik i Isaisë, kapitulli 2, vargu 4, i përkthimit King James Version, OKB-ja thekson që mënyra kryesore për të zvogëluar dhunimet masive të të drejtave të njeriut, është t’i jepet fund luftërave. Në fund të fundit, lufta është ‘antiteza e të drejtave të njeriut’, siç thuhet në një botim të OKB-së.
Programi i arsimimit i Dëshmitarëve të Jehovait e çon një hap më tej idenë për t’i shkruar fjalët e Isaisë mbi një mur. Ky program i «shkruan» fjalët e Isaisë në zemrat e njerëzve. (Krahaso Hebrenjve 8:10.) Si? Programi shemb pengesat raciale dhe etnike e rrëzon muret e nacionalizmit, duke mësuar pikëpamjen e Biblës mbi racën: ekziston vetëm një racë, ajo njerëzore. (Veprat 17:26) Ata që janë regjistruar në këtë program zhvillojnë një dëshirë që të ‘bëhen imitues të Perëndisë’, për të cilin Bibla thotë: «[Ai] nuk tregohet i anshëm, por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai.»—Efesianëve 5:1; Veprat 10:34, 35.
Si rezultat i këtij arsimimi të bazuar në Bibël, miliona njerëz sot nuk «mësojnë më luftën». Tek ata ka ndodhur një ndryshim në mendje dhe në zemër. E ndryshimi mbetet. (Shiko kutinë «Arsimim për paqe», në faqen 14.) Në këtë kohë, mesatarisht më shumë se 1.000 njerëz çdo ditë përfundojnë kurset e tyre bazë të studimit, të drejtuara nga Dëshmitarët e Jehovait, dhe u bashkohen radhëve të kësaj force mbarëbotërore për paqen.
Sa thellë është rrënjosur ky ndryshim i mendjes dhe vendimi i pastajmë për t’i respektuar të drejtat e njeriut, duke refuzuar pjesëmarrjen në luftë? Shumë i thellë. Të bëjmë një shembull: thellësia e respektit të Dëshmitarëve për të drejtat e njeriut u vu nën sprovë shumë të rëndë gjatë Luftës II Botërore, veçanërisht në Gjermaninë naziste. Historiani Brajën Dan tha: «Dëshmitarët e Jehovait nuk pajtoheshin me nazizmin. Kundërshtimi më i rëndësishëm i nazistëve në lidhje me ta qe asnjanësia e tyre politike. Kjo donte të thoshte se asnjë besimtar nuk merrte armët.» (The Churches’ Response to the Holocaust) Në librin A History of Christianity, Pol Xhonson tha: «Shumë u dënuan me vdekje sepse refuzuan shërbimin ushtarak . . . , ose përfunduan në Dahau apo në azile për të çmendurit.» Pavarësisht nga këto, ata qëndruan të palëkundur. Sociologia Ana Pavelshinska i përshkroi ata Dëshmitarë si «një ishull i vogël me një qëndresë të palëkundshme në gji të një kombi të terrorizuar».
Vetëm imagjinoni rënien e theksuar që do të kishte në mbarë botën në lidhje me dhunimet e të drejtave të njeriut, nëse të gjithë njerëzit do të merrnin sot këtë qëndrim dhe ‘nuk do të mësonin më luftën’!
Qeveria botërore: ‘një utopi’?
Një punonjëse e OKB-së u shpreh: ‘Ndryshimi i mendjeve është një sfidë, por formimi i një qeverie botërore është një utopi.’ E në të vërtetë, fakti që kombet nuk kanë qenë të gatshme t’ia dorëzojnë sovranitetin e tyre OKB-së ose ndonjë organizate tjetër, zbulon përfundimin që mund të nxjerrim. Megjithatë, profesori Berkaur vëren se ata që nuk e pranojnë idenë e një qeverie botërore «kanë detyrimin moral për të treguar mjete të tjera për zgjidhjen e problemeve të botës. Por puna është se nuk ka zgjidhje alternative në dispozicion». Dhe vërtet që zgjidhje njerëzore nuk ka. Por ekziston një zgjidhje mbinjerëzore. Cila është kjo?
Ashtu si Bibla tregon se Krijuesi është burimi i aftësive që krijojnë bazën për të drejtat e njeriut, po ashtu ajo na informon se ai është burimi i një qeverie botërore që siguron zbatimin e këtyre të drejtave. Kjo qeveri qiellore është e padukshme, por reale. Në fakt, miliona njerëz, ndoshta pa e ditur, luten për këtë qeveri botërore kur thonë atë që zakonisht quhet Lutja e Zotërisë: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.» (Mateu 6:10) Kreu i kësaj qeverie të Mbretërisë, i caktuar nga Perëndia, është Princi i Paqes, Jezu Krishti.—Isaia 9:5.
Kjo qeveri botërore do t’ia dalë mbanë të krijojë një kulturë vërtet globale dhe të qëndrueshme për të drejtat e njeriut, duke eliminuar, mes të tjerash, luftën përgjithmonë. Bibla profetizon: «Ai [Krijuesi] bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat dhe djeg qerret me zjarr.»—Psalmi 46:9.
Kur do të ndodhë kjo në një shkallë globale? Programi i studimit të Biblës, i siguruar nga Dëshmitarët e Jehovait, përfshin një përgjigje të kënaqshme për këtë pyetje. Ne ju inkurajojmë të njiheni me këtë program.a Nëse interesoheni për realizimin e të drejtave të njeriut, nuk do të zhgënjeheni.
[Shënimi]
a Nëse dëshironi të merrni më shumë informacion rreth këtij programi të arsimimit biblik, kontaktoni botuesit e kësaj reviste ose Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj. Programi sigurohet falas.
[Kutia në faqen 13]
Burimi i të drejtave të njeriut
Neni 1 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut thotë se «të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta nga pikëpamja e dinjitetit dhe e të drejtave». Të drejtat e njeriut, pra, përshkruhen si të drejta nga lindja, të cilat kalojnë nga prindërit te fëmijët, ngjashëm një lumi që u sjell ujë atyre që jetojnë përgjatë brigjeve të tij. Ku e ka burimin ky lumë i të drejtave njerëzore?
Sipas Deklaratës universale, qeniet njerëzore kanë të drejta sepse «janë të pajisura me arsye dhe ndërgjegje». Në një botim të OKB-së shpjegohet: «Duke qenë se njeriu është një qenie me arsye dhe ndërgjegje, ai është i ndryshëm nga krijesat e tjera dhe për këtë arsye i pajisur me disa të drejta dhe liri që krijesat e tjera nuk i kanë.» (Kursivi është yni.) Prandaj, pasja e arsyes dhe e ndërgjegjes thuhet se është baza për zotërimin e të drejtave të njeriut. Kur është kështu, burimi i arsyes dhe i ndërgjegjes së njeriut është edhe burimi i të drejtave të tij.
Për aktivistët e të drejtave të njeriut që përkrahin me vendosmëri evolucionin biologjik, pohimi se të drejtat e njeriut lidhen me arsyen dhe ndërgjegjen përbën një enigmë. Në librin që përkrah evolucionin Life Ascending pranohet: «Kur shqyrtojmë se si një proces [evolucioni] . . . mund të ketë lindur cilësi të tilla, si: dashurinë për të bukurën dhe për të vërtetën, dhembshurinë, lirinë dhe mbi të gjitha kapacitetin e zgjeruar të temperamentit njerëzor, të gjithë ne mbetemi të hutuar.» Dhe kjo është e drejtë. Në fund të fundit, të pohosh se aftësia e arsyetimit dhe e ndërgjegjes që ka njeriu buron nga paraardhësit nën nivelin njerëzor, të cilëve u mungonte arsyeja dhe ndërgjegjja, është si të thuash se një lumë buron nga një pus, të cilit i mungon uji.
Meqë aftësitë e arsyetimit dhe të ndërgjegjes që ka njeriu nuk mund të burojnë nga një burim nën nivelin njerëzor, këto aftësi duhet ta kenë origjinën nga një burim mbinjerëzor. Vetëm njerëzit zotërojnë cilësitë që lidhen me të drejtat e njeriut, arsyen dhe ndërgjegjen, sepse ndryshe nga kafshët, njerëzit u krijuan sipas «shëmbëllimit» të Perëndisë, siç shpjegohet në Bibël. (Zanafilla 1:27) Prandaj, siç vërehet në librin Human Rights—Essays on Justification and Applications, një përgjigje e vlefshme për pyetjen se pse njerëzit kanë të drejta morale është se «ata kanë vlera të lindura ose dinjitet, ose janë . . . bij të Perëndisë».
[Kutia dhe figurat në faqen 14]
Arsimim për paqe
Disa vjet më parë, kur lufta po përçante Ballkanin, Branko ishte me detyrën e rojës së armatosur në një spital ku mjekoheshin të plagosurit, në pjesën kroate të Bosnjës.b Një mjek atje po studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe një natë ai i tregoi Brankos atë që kishte mësuar nga studimi. Ajo që dëgjoi e nxiti Brankon të dorëzonte menjëherë armët. Ca kohë më vonë, pasi ishte transferuar në një vend tjetër evropian, Branko ndoqi një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait dhe atje takoi Sllobodanin.
Edhe Sllobodani vinte nga Bosnja. Ai kishte marrë pjesë në të njëjtën luftë me Brankon, por në krahun kundërshtar. Sllobodani kishte luftuar për serbët kundër kroatëve. Në kohën kur të dy u takuan, Sllobodani ishte bërë tashmë Dëshmitar i Jehovait dhe u ofrua të studionte Biblën me Brankon, armikun e tij të dikurshëm. Ndërsa studimi shkonte përpara, dashuria e Brankos për Krijuesin, Jehovain, u rrit. S’kaloi shumë kohë dhe ai vendosi të bëhej Dëshmitar i Jehovait.c
Edhe vetë Sllobodani ishte bërë Dëshmitar me ndihmën e një armiku të tij të dikurshëm. Si? Pasi kishte lënë zonën e luftës në Bosnjë, Sllobodanin e kishte vizituar në shtëpi Mujo, i cili vinte, gjithashtu, nga Bosnja, por që ishte rritur në një fe shumë të ndryshme nga ajo e Sllobodanit. Tani Mujo ishte një Dëshmitar i Jehovait. Edhe pse dikur ishin armiq, Sllobodani pranoi ofertën e Mujos për të studiuar Biblën me të dhe më vonë ndërmori hapin për t’u bërë Dëshmitar i Jehovait.
Çfarë i bëri këta njerëz të kapërcenin urrejtjen etnike të rrënjosur thellë dhe të ndryshonin nga armiq në miq? Me anë të studimit të Biblës ata zhvilluan dashurinë për Jehovain. Pas kësaj, ata ishin të gatshëm për t’u ‘mësuar nga Perëndia që të donin njëri-tjetrin». (1. Thesalonikasve 4:9) Siç vëren profesori Voiçek Mojeleski për Dëshmitarët e Jehovait në përgjithësi, «faktori kyç për qëndrimin e tyre paqësor është ideja e ndjekjes që nga tani e parimeve që zbulohen në Bibël».
[Shënimi]
b Të gjithë emrat e përmendur në këtë kuti janë ndryshuar.
c Për kënaqësinë e tij, më vonë Branko mori vesh se edhe mjeku që i foli në fillim ishte bërë Dëshmitar i Jehovait.
[Figurat në faqen 11]
A do të ndodhë ndonjëherë një ndryshim mendjeje dhe qeverie?
[Burimi]
Fotografi e Arkivave Kombëtare të SHBA-së
[Figurat në faqet 12, 13]
Arsimimi i bazuar në Bibël po shkakton një ndryshim pozitiv mendjeje