Shtimi i ngjarjeve me lajme të këqija
A KE vërejtur ndonjëherë se titujt e gazetave që shpallin lajme të këqija e zgjojnë më shumë interesin e lexuesve, sesa ata që njoftojnë lajme të mira? Çfarëdo qofshin: titull i një gazete për ndonjë shkatërrim natyror apo thashetheme tërheqëse të shkruara me germa të mëdha në kapakun e një reviste të ilustruar, duket se lajmet e këqija shiten më shumë, se të mirat.
Sot nuk mungojnë lajmet e këqija. Por, ndonjëherë një person pyet veten, nëse gazetarët dhe korrespondentët janë stërvitur për të kërkuar dhe zbuluar vetëm lajme të këqija, me përjashtim të ndonjë lajmi të mirë.
Me bollëk gjatë gjithë historisë
Është e vërtetë se lajmet e këqija kanë qenë me bollëk përgjatë shekujve, duke pasur më shumë peshë se çdo lajm i mirë. Në kronikat e historisë, anët e peshores kanë anuar më shumë nga vuajtjet njerëzore, zhgënjimi dhe dëshpërimi, të cilët kanë qenë rrisku i njerëzimit.
Le të shohim vetëm disa shembuj. Një libër (Chronicle of the World) i sajuar nga Zhak Lëgro, paraqet një përmbledhje tregimesh, secila e shkruar për datën e veçantë në të cilën ka ndodhur ngjarja, por sikur të ishte treguar nga një gazetar modern që raporton ngjarjen. Nga këto raporte që vijnë nga kërkime të mira, marrim një pikëpamje dobiprurëse të përhapjes së madhe të lajmeve të këqija që njeriu ka dëgjuar gjatë ekzistencës së tij hallemadhe këtu mbi tokë.
Së pari, le të shqyrtojmë këtë raport të hershëm nga Greqia në vitin 429 p.e.s. Ai raporton mbi luftën që u zhvillua mes Athinës dhe Spartës: «Qytet-shteti i Potideas u detyrua të dorëzohej tek athinasit që e rrethuan, pasi u katandis në atë gjendje urije, sa njerëzit e tij po hanin trupat e të vdekurve të tyre.» Me të vërtetë lajme të këqija!
Duke kaluar në shekullin e parë para erës sonë, gjejmë një raport të gjallë mbi vdekjen e Jul Cezarit, datuar më 15 mars të vitit 44 të e.s., në Romë. «Jul Cezari u vra. Ai u godit me thikë për vdekje nga një grup komplotistësh, disa prej të cilëve ishin miqtë e tij më të ngushtë, ditën e 15 marsit sipas kalendarit romak, ndërsa po zinte vend në atë që sot quhet Dhoma e Senatit.»
Gjatë shekujve që pasuan, lajmet e këqija ishin me bollëk. Një shembull tronditës është ky lajm nga Meksika, në 1487-n: «Në shfaqjen më spektakulare të flijimeve që është parë ndonjëherë në kryeqytetin actek, Tenoçtitlan, 20.000 njerëz ia flijuan zemrat e tyre Huitzilopoçtlit, perëndi i luftës.»
Lajme të këqija nuk ka siguruar vetëm mizoria e njeriut, por edhe pakujdesia e tij e ka shtuar këtë listë të gjatë. Edhe zjarri i madh në Londër duket se ka qenë një katastrofë. Në raportin nga Londra, Angli, datuar më 5 shtator 1666, lexohet: «Më në fund, pas katër ditësh dhe netësh, zjarri në Londër u ndalua nga duka i Jorkut, i cili solli skuadrat detare me barut, për të hedhur në erë ndërtesat që gjendeshin në drejtimin e flakëve. Rreth 160 ha tokë me 87 kisha u rrafshuan përtokë dhe u shkatërruan më shumë se 13.000 shtëpi. Çuditërisht humbën vetëm nëntë jetë.»
Këtyre shembujve me lajme të këqija mund t’u shtojmë epidemitë që kanë bërë kërdinë në shumë kontinente, për shembull, epidemia e kolerës në fillimet e dekadës së 1830-s. Titulli i shtypur që raportonte mbi këtë, thoshte: «Fantazma e kolerës shfaqet si hije në Evropë.» Raporti realist që pason, përshkruan frikshëm aspektin më të keq të këtij lajmi: «Kolera që s’njihej në Evropë deri në 1817-n, po përhapet nga Azia në drejtim të perëndimit. Tashmë në qytetet ruse, si Moska dhe Shën Pjetërsburgu, popullsia është zhdukur në masë: shumica e viktimave janë qytetarë të varfër.»
Shtim gjatë viteve të fundit
Prandaj, ndërkohë që është e vërtetë se lajmet e këqija kanë qenë një fakt i jetës përgjatë historisë së regjistruar, dekadat e fundit të këtij shekulli të 20-të dëshmojnë se lajmet e këqija janë në rritje; vërtet po rriten me shpejtësi.
Pa dyshim, lajmet mbi luftën kanë qenë lloji më i keq i lajmeve të këqija që ka dëgjuar shekulli i tanishëm. Dy luftërat më të mëdha në histori, të quajtura me vend Lufta I Botërore dhe Lufta II Botërore, me siguri që panë lajme të këqija të raportuara në një shkallë të tmerrshme. Por, kjo në të vërtetë ka qenë vetëm një grimcë e lajmeve të këqija të këtij shekulli të palumtur.
Le të shohim vetëm disa tituj gazetash të zgjedhur rastësisht:
1 shtator 1923: Tërmeti rrafshoi Tokion: 300.000 të vdekur; 20 shtator 1931: Krizë: Britania zhvleftëson stërlinën; 25 qershor 1950: Koreja e Veriut marshon drejt Koresë së Jugut; 26 tetor 1956: Hungarezët ngrihen kundër sundimit sovjetik; 22 nëntor 1963: Xhon Kenedi u qëllua për vdekje në Dallas; 21 gusht 1968: Tanket ruse nisen për të shtypur kryengritjen në Pragë; 12 shtator 1970: Avionët e marrë peng shpërthyen në shkretëtirë; 25 dhjetor 1974: Cikloni Tresi shkatërron qytetin Darvin: 66 të vdekur; 17 prill 1975: Kamboxhia bie në dorë të forcave komuniste; 18 nëntor 1978: Vetëvrasje masive në Guajana; 31 tetor 1984: Znj. Gandi u qëllua për vdekje; 28 janar 1986: Anija kozmike shpërthen në ngritje; 26 prill 1986: Reaktori sovjetik në flakë; 19 tetor 1987: Çahet fundi i thesit në tregtinë e bursës; 25 mars 1989: Alaska goditet rëndë nga derdhja e naftës; 4 qershor 1989: Trupat ushtarake qeveritare masakrojnë protestuesit në sheshin Tienanmen.
Po, historia tregon se ka pasur gjithmonë me bollëk lajme të këqija, ndërsa lajmet e mira kanë qenë të pakta në krahasim me to. Ndërkohë që lajmet e këqija janë shtuar gjatë dekadave të fundit, lajmet e mira janë zvogëluar në çdo vit që ka kaluar.
Përse duhet të jetë kështu? A do të vazhdojë gjithmonë?
Artikulli vijues do t’u referohet këtyre dy pyetjeve.
[Burimi i figurës në faqen 3]
OBSH/Organizata e Kryqit të Kuq