Të shërbejmë me besnikëri bashkë me organizatën e Jehovait
«Me dikë që është besnik, ti do të veprosh me besnikëri.»—2. SAMUELIT 22:26, BR.
1, 2. Cilët janë disa shembuj të besnikërisë që të gjithë ne mund të shohim në kongregacion?
NJË mbrëmje vonë, një plak përgatit fjalimin për një mbledhje të krishterë. Atij do t’i pëlqente të pushonte e të çlodhej; por në vend të kësaj, ai vazhdon të punojë, duke kërkuar shembuj dhe ilustrime biblike që do të arrijnë zemrat e do të inkurajojnë kopenë. Natën e mbledhjes, një çift prindërish të kapitur nga lodhja në po atë kongregacion, do të shijonin një mbrëmje në shtëpi; por në vend të kësaj, ata me durim bëjnë gati fëmijët e shkojnë në mbledhje. Pas mbledhjes, një grup të krishterësh diskutojnë mbi pjesën e plakut. Një motër tundohet për të përmendur se po ky vëlla njëherë kishte lënduar ndjenjat e saj; por në vend të kësaj, ajo flet me entuziazëm për një nga pikat që ai trajtoi. A e shikon fillin e përbashkët që përshkon këto skena?
2 Ky fill është besnikëria. Plaku me besnikëri punon për t’i shërbyer kopesë së Perëndisë; prindërit me besnikëri frekuentojnë mbledhjet e kongregacionit; motra me besnikëri mbështet pleqtë. (Hebrenjve 10:24, 25; 13:17; 1. Pjetrit 5:2) Po, në të gjitha aspektet e jetës, shohim që populli i Perëndisë është i vendosur të shërbejë me besnikëri bashkë me organizatën e Jehovait.
3. Përse është kaq e rëndësishme që të qëndrojmë besnikë ndaj organizatës tokësore të Jehovait?
3 Kur Jehovai shikon nga lart këtë botë të korruptuar, sheh shumë pak besnikëri. (Mikea 7:2) Sa me gëzim duhet të përgjigjet zemra e tij, kur vëren besnikërinë e popullit të tij! Po, besnikëria jote i sjell atij kënaqësi. Por, ama, ajo e tërbon Satanain, rebelin origjinal dhe e tregon atë gënjeshtar. (Proverbat [Fjalët e urta] 27:11; Gjoni 8:44) Duhet të presësh që Satanai të përpiqet të minojë besnikërinë tënde ndaj Jehovait dhe ndaj organizatës së Tij tokësore. Le të shqyrtojmë disa mënyra, në të cilat Satanai e bën këtë. Në këtë mënyrë, mund të shohim më mirë se si mund të qëndrojmë besnikë deri në fund.—2. Korintasve 2:11.
Përqendrimi në papërsosmëritë mund të gërryejë besnikërinë
4. (a) Përse është e lehtë që të kesh një pikëpamje negative për ata që janë me autoritet? (b) Në ç’mënyrë Korahu u tregua jobesnik ndaj organizatës së Jehovait?
4 Kur një vëlla është në një pozitë përgjegjësie, të metat e tij mund të bëhen më të dukshme. Sa e lehtë është të gjejmë kleçka në ‘një fije kashte në syrin e vëllait e të shpërfillim traun në syrin tonë’! (Mateu 7:1-5, BR) Por përqendrimi tek të metat mund të shkaktojë jobesnikëri. Për të bërë një ilustrim, le të shqyrtojmë kontrastin mes Korahut dhe Davidit. Korahu mbante mbi supe shumë përgjegjësi dhe ndoshta kishte qenë besnik për shumë vjet, por u bë ambicioz. Atë filloi ta inatoste autoriteti i Moisiut dhe i Aaronit, kushërinj të parë të tij. Ndonëse Moisiu ishte njeriu më i butë, Korahu me sa duket filloi ta shikonte atë me një sy kritik. Ka të ngjarë që ai të ketë parë të meta tek Moisiu. Megjithatë, ato të meta nuk e justifikuan jobesnikërinë e Korahut ndaj organizatës së Jehovait. Ai u shkatërrua nga mesi i kongregacionit.—Numrat 12:3; 16:11, 31-33.
5. Përse Davidi mund të jetë ndier i tunduar për t’u rebeluar kundër Saulit?
5 Davidi, nga ana tjetër, shërbeu nën mbretin Saul. Megjithëse njëherë e një kohë një mbret i mirë, Sauli faktikisht ishte bërë i lig. Davidi kishte nevojë për besim, qëndrueshmëri dhe madje që të ishte disi mendjefemër për t’u mbijetuar sulmeve të Saulit xheloz. Megjithatë, kur Davidit iu dha rasti për t’i marrë hakun, ai tha se ishte ‘e pamendueshme, nga pikëpamja e Jehovait’ që ai të kryente një akt jobesnik kundër atij që kishte mirosur Jehovai.—1. Samuelit 26:11, BR.
6. Edhe nëse shquajmë dobësi dhe të meta tek pleqtë, çfarë nuk duhet të bëjmë kurrë?
6 Kur disa që po marrin drejtimin mes nesh, duket se gabojnë në gjykim, flasin me fjalë të ashpra apo duket se mbajnë me hatër, a do të ankohemi për ta, ndoshta duke i kontribuar një fryme kritike në kongregacion? A do të qëndrojmë larg nga mbledhjet e krishtere si një formë proteste? Sigurisht që jo! Ashtu si Davidi, nuk do të lejojmë kurrë që të metat e të tjerëve të na shtyjnë për të mos qenë besnikë ndaj Jehovait dhe organizatës së tij!—Psalmi 119:165.
7. Cilat janë disa nga praktikat e korruptuara që u zhvilluan lidhur me tempullin në Jerusalem dhe si u ndie Jezui për këtë?
7 Shembulli më i madh njerëzor i besnikërisë ishte Jezu Krishti, profetikisht i përshkruar si «besniku» i Jehovait. (Psalmi 16:10, BR) Shpërdorimi i korruptuar i tempullit në Jerusalem, duhet ta ketë bërë besnikërinë një sfidë. Jezui e dinte se puna e kryepriftit dhe sakrificat parafytyronin vetë shërbimin dhe vdekjen e tij flijuese e, gjithashtu, e dinte se sa jetësore ishte që njerëzit të mësonin prej tyre. Prandaj, ishte plot me zemëratë të drejtë, kur pa se tempulli ishte bërë një «shpellë kusarësh». Me autoritetin e dhënë nga Perëndia, ai ndërmori dy herë hapa për ta pastruar atë.a—Mateu 21:12, 13, BR; Gjoni 2:15-17.
8. (a) Si tregoi Jezui besnikëri ndaj rregullimit të tempullit? (b) Si mund të tregojmë se e çmojmë adhurimin e Jehovait me organizatën e tij të pastër?
8 Megjithatë, Jezui e mbështeti me besnikëri rregullimin e tempullit. Që nga fëmijëria, ai kishte frekuentuar festat në tempull dhe shpesh kishte mësuar atje. Ai madje pagoi taksën e tempullit, edhe pse nuk ishte vërtet i detyruar për ta bërë. (Mateu 17:24-27) Jezui e lavdëroi vejushën e varfër që hodhi në arkën e thesarit të tempullit «gjithçka kishte për të jetuar». Pak kohë më pas, Jehovai e braktisi njëherë e përgjithmonë atë tempull. Por deri në atë kohë, Jezui i qëndroi atij besnik. (Marku 12:41-44; Mateu 23:38) Organizata tokësore e Perëndisë sot qëndron shumë më lart sesa sistemi judaik me tempullin e tij. Duhet pranuar se nuk është e përsosur, prandaj edhe nganjëherë bëhen rregullime. Por ajo as nuk është bërë shoshë nga korrupsioni, as Perëndia Jehova nuk ka ndër mend ta zëvendësojë. Kurrë nuk duhet të lejojmë që ndonjë papërsosmëri që shquajmë brenda saj, të na hidhërojë apo të na shtyjë të adoptojmë një frymë kritike negative. Përkundrazi, le të imitojmë besnikërinë e Jezu Krishtit.—1. Pjetrit 2:21.
Papërsosmëritë e vetes sonë
9, 10. (a) Si i shfrytëzon papërsosmëritë tona sistemi i gjërave të Satanait, për të na joshur në sjellje jobesnike? b) Çfarë duhet të bëjë ai që ka kryer një mëkat serioz?
9 Gjithashtu, Satanai përpiqet të nxitë jobesnikërinë, duke shfrytëzuar papërsosmëritë tona. Sistemi i tij i gjërave përfiton nga dobësitë tona, duke na tunduar për të bërë atë që është e gabuar në sytë e Jehovait. Mjerisht, mijëra vetë lëshohen çdo vit në imoralitet. Disa i shtohen kësaj jobesnikërie, duke çuar një jetë të dyfishtë, duke vazhduar një rrugë keqbërjesh, ndërkohë që pretendojnë të mbeten të krishterë të besueshëm. Në përgjigje të artikujve të rubrikës «Të rinjtë pyesin . . . » në revistën Zgjohuni! mbi këtë temë, një grua e re shkroi: «Artikujt përshkruanin historinë e jetës sime.» Fshehurazi, ajo kishte kultivuar miqësi me të rinj që nuk kishin dashuri për Jehovain. Dhe cili ishte rezultati? Ajo shkruan: «Jeta ime u rrokullis në një hiç, u përzieva në imoralitet dhe u desh që të qortohesha. Marrëdhënia ime me Jehovain u dëmtua dhe nuk gëzoja më besimin e prindërve e të pleqve.»b
10 Kjo grua e re mori ndihmë nga pleqtë dhe u kthye përsëri në shërbimin besnik të Jehovait. Por tragjikisht, shumë veta vuajnë pasoja më të këqija e disa nuk kthehen më kurrë në vathë. Sa më mirë është të jemi besnikë e t’i rezistojmë tundimit në këtë botë të ligë! Dëgjo paralajmërimet që vijnë nga revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! lidhur me çështje të tilla si shoqëria nga bota dhe zbavitja poshtëruese. Mos rënç kurrën e kurrës në sjellje jobesnike! Por edhe nëse ndodh, kurrë mos pretendo të jesh ai që nuk je. (Psalmi 26:4) Përkundrazi, merr ndihmë. Për këtë janë prindërit dhe pleqtë e krishterë.—Jakovit 5:14.
11. Përse do të ishte e gabuar ta shikonim veten si të këqij të pashpresë dhe cili precedent biblik mund të na ndihmojë për ta korrigjuar pikëpamjen tonë?
11 Papërsosmëritë tona mund të na rrezikojnë edhe në një mënyrë tjetër. Disa nga ata që kryejnë një akt jobesnikërie, ndalin madje edhe përpjekjet për t’i pëlqyer Jehovait. Mos harro, Davidi kreu mëkate shumë serioze. Megjithatë, edhe shumë kohë pas vdekjes, Jehovai e kujtonte Davidin si një shërbëtor të besueshëm. (Hebrenjve 11:32; 12:1) Përse? Sepse ai kurrë nuk i ndali përpjekjet për t’i pëlqyer Jehovait. Proverbat 24:16 thotë: «I drejti mund të bjerë edhe shtatë herë dhe me siguri do të ngrihet.» (BR) Patjetër që nëse shkasim në mëkate të vogla dhe madje në mënyrë të përsëritur, për shkak të ndonjë dobësie që po luftojmë, prapëseprapë mund të jemi të drejtë në sy të Jehovait, nëse vazhdojmë të ‘ngrihemi’, d.m.th., të pendohemi sinqerisht e të rimarrim një rrugë shërbimi besnik.—Krahaso 2. Korintasve 2:7.
Kujdes nga format dinake të jobesnikërisë!
12. Në rastin e farisenjve, si çonte në jobesnikëri një pikëpamje legaliste e papërkulshme?
12 Jobesnikëria vjen, gjithashtu, edhe në forma më dinake. Madje ajo mund të shtiret si besnikëri! Për shembull, farisenjtë e ditëve të Jezuit mbase mendonin se ishin besnikë të shquar.c Por ata dështuan të shihnin ndryshimin mes qenies besnik dhe qenies aderues i paepur i rregullave të bëra nga njeriu, pasi ata ishin të papërkulshëm e të ashpër në gjykim. (Krahaso Eklisiastiun [Predikuesin] 7:16.) Faktikisht ata ishin jobesnikë ndaj njerëzve, të cilëve duhej t’u shërbenin, ndaj frymës së Ligjit, që pohonin se mësonin dhe ndaj vetë Jehovait. Përkundrazi, Jezui ishte besnik ndaj frymës së Ligjit, i cili bazohej në dashurinë. Në këtë mënyrë, ai i ndërtoi dhe i inkurajoi njerëzit, ashtu siç e parathoshin profecitë mesianike.—Isaia 42:3; 50:4; 61:1, 2.
13. (a) Si mund të jenë prindërit e krishterë jobesnikë? (b) Përse prindërit duhet të shmangin të qenët tepër të ashpër, kritikë ose negativë në disiplinimin e fëmijëve të tyre?
13 Të krishterët që kanë njëfarë autoriteti, përfitojnë shumë nga modeli i Jezuit në këtë aspekt. Për shembull, prindërit besnikë e dinë se duhet t’i disiplinojnë fëmijët e tyre. (Proverbat 13:24) Megjithatë, ata duhet të sigurohen se nuk i acarojnë vogëlushët e tyre me disiplinë të ashpër të dhënë me zemërim apo me një breshëri kritikash që s’kanë të mbaruar. Fëmijët që ndiejnë se kurrë nuk mund t’u pëlqejnë prindërve apo që mendojnë se adhurimi që prindërit ndjekin duket se vetëm i bën ata më të prirur për të gjetur gabimet e më kritikë, fare mirë mund t’i lëshojë zemra e si rrjedhojë përfundojnë të larguar nga besimi i vërtetë.—Kolosianëve 3:21.
14. Si mund të tregohen besnikë barinjtë e krishterë ndaj kopesë së cilës i shërbejnë?
14 Ngjashëm, pleqtë e krishterë dhe mbikëqyrësit udhëtues u kushtojnë vëmendje problemeve dhe rreziqeve që has kopeja. Si barinj besnikë, ata ofrojnë këshilla atëherë kur nevojitet, duke u siguruar që së pari kanë të gjitha faktet dhe duke e bazuar me kujdes atë që thonë në Bibël dhe në botimet e Shoqatës. (Psalmi 119:105; Proverbat 18:13) Ata e dinë, gjithashtu, se delet i varin shpresat tek ata për ndërtim dhe ushqim frymor. Pra, ata përpiqen të imitojnë Jezu Krishtin, Bariun e Shkëlqyer. Ata u shërbejnë me besnikëri deleve javë pas jave nëpër mbledhjet e krishtere, duke mos i rrënuar, por përkundrazi, duke i ndërtuar dhe duke forcuar besimin e tyre.—Mateu 20:28; Efesianëve 4:11, 12; Hebrenjve 13:20, 21.
15. Si treguan disa në shekullin e parë se e kishin vënë besnikërinë atje ku s’duhej?
15 Një tjetër formë dinake e jobesnikërisë është besnikëria e vendosur atje ku s’duhet. Besnikëria e vërtetë në kuptimin biblik nuk na lejon që të vëmë ndonjë devotshmëri përpara besnikërisë sonë ndaj Perëndisë Jehova. Shumë judenj në shekullin e parë i përmbaheshin me këmbëngulje Ligjit të Moisiut dhe sistemit judaik të gjërave. Megjithatë, kishte ardhur koha që Jehovai t’i zhvendoste bekimet e tij nga ai komb rebel në kombin e Izraelit frymor. Vetëm një numër relativisht i vogël judenjsh ishin besnikë ndaj Jehovait dhe u përshtatën me këtë ndryshim të rëndësishëm. Edhe mes të krishterëve të vërtetë, disa judaizues insistuan të ktheheshin tek ato «gjëra të dobëta e varfërisht elementare» të Ligjit të Moisiut, të cilat ishin përmbushur në Krishtin.—Galatasve 4:9; 5:6-12; Filipianëve 3:2, 3.
16. Si reagojnë shërbëtorët besnikë të Jehovait ndaj rregullimeve?
16 Në kontrast me ta, populli i Jehovait në ditët e sotme e ka treguar veten besnik në kohë ndryshimi. Ndërsa drita e së vërtetës së zbuluar vazhdon të shndrisë, bëhen edhe rregullime. (Proverbat 4:18) Kohët e fundit, «skllavi i besueshëm dhe i matur» na ka ndihmuar të rafinojmë kuptueshmërinë tonë për termin «brez», të përdorur në Mateun 24:34 e për kohën e gjykimit të «deleve» dhe «cjepve», të përmendur në Mateun 25:31-46, si edhe pikëpamjen tonë kundrejt disa llojeve të shërbimit civil. (Mateu 24:45, BR) Pa dyshim, disa apostatë do të ishin kënaqur, sikur shumë Dëshmitarë të Jehovait të ishin mbajtur fort pas kuptueshmërisë së mëparshme mbi tema të tilla dhe të mos kishin pranuar të bënin progres. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Përse? Sepse populli i Jehovait është besnik.
17. Si mund ta vënë nganjëherë në sprovë besnikërinë tonë personat tanë të dashur?
17 Megjithatë, çështja e vënies së besnikërisë atje ku s’duhet, mund të ndikojë mbi ne personalisht. Kur një mik i shtrenjtë apo edhe një anëtar i familjes zgjedh një rrugë që dhunon parimet biblike, ne mund të mendojmë se gjendemi mes dy besnikërive. Natyrisht, ne ndihemi besnikë ndaj anëtarëve të familjes. Por, kurrë nuk duhet ta vëmë devotshmërinë tonë ndaj tyre, përpara besnikërisë sonë ndaj Jehovait! (Krahaso 1. Samuelit 23:16-18.) As nuk duhet t’i ndihmojmë keqbërësit të fshehin një mëkat serioz, as të marrim anën e tyre kundër pleqve, të cilët po përpiqen ‘t’i ndreqin me një frymë butësie’. (Galatasve 6:1, BR) Bërja e një gjëje të tillë do të ishte jobesnikëri ndaj Jehovait, ndaj organizatës së tij dhe ndaj një personi të dashur. Në fund të fundit, të bëhemi mur mes një mëkatari dhe disiplinës që atij i nevojitet, në fakt, do të thotë të bllokojmë që atë ta arrijë një shprehje e dashurisë së Jehovait. (Hebrenjve 12:5-7) Mos harro, gjithashtu, se «plagët e shkaktuara nga ai që na do, janë të besueshme». (Proverbat 27:6, BR) Këshilla e çiltër dhe e dashur që është bazuar në Fjalën e Perëndisë mund të plagosë krenarinë e një personi të dashur që gabon, por me kalimin e kohës mund të dalë jetëshpëtuese!
Besnikëria ngulmon pavarësisht nga persekutimi
18, 19. (a) Çfarë kërkonte Akabi nga Nabothi dhe përse Nabothi nuk pranoi? (b) A ia vlente për çmimin besnikëria e Nabothit? Shpjego.
18 Nganjëherë sulmet e Satanait kundër besnikërisë sonë janë të drejtpërdrejta. Le të shqyrtojmë rastin e Nabothit. Kur mbreti Akab i bëri atij presion që t’i shiste vreshtin e vet, ai u përgjigj: «Është e pamendueshme nga ana ime, për nga pikëpamja e Jehovait, të të jap zotërimin trashëgimor të etërve të mi.» (1. Mbretërve 21:3, BR) Nabothi nuk po tregohej kryeneç, por po tregohej besnik. Ligji i Moisiut urdhëronte që asnjë izraelit të mos shiste në përjetësi një zotërim trashëgimie të vendit. (Levitiku 25:23-28) Nabothi me siguri e dinte se ky mbret i poshtër mund ta vriste, pasi Akabi e kishte lejuar tashmë gruan e tij, Jezabelën, t’u merrte jetën shumë prej profetëve të Jehovait! Por prapëseprapë, Nabothi qëndroi i palëkundur.—1. Mbretërve 18:4.
19 Nganjëherë besnikëria kërkon një çmim. Jezabela me ndihmën e disa «burrave që s’vlenin një hiç», kurdisi një krim, të cilin Nabothi nuk e kishte kryer. Si rrjedhojë, ai dhe bijtë e tij u ekzekutuan. (1. Mbretërve 21:7-16; 2. Mbretërve 9:26) A do të thotë kjo se besnikëria e Nabothit ishte vënë atje ku s’duhej? Jo! Nabothi është një ndër shumë burra dhe gra besnike që janë ‘gjallë’ që tani në kujtesën e Jehovait, duke fjetur të sigurt në varr deri në kohën e ringjalljes.—Luka 20:38; Veprat 24:15.
20. Si mund të na ndihmojë shpresa për të mbajtur besnikërinë tonë?
20 I njëjti premtim u jep siguri edhe besnikëve të Jehovait sot. E dimë se besnikëria jonë mund të na kushtojë shtrenjtë në këtë botë. Jezu Krishti e pagoi besnikërinë e tij me jetën e vet dhe u tha ithtarëve të tij se edhe ata nuk do të trajtoheshin më mirë. (Gjoni 15:20) Ashtu si shpresa e tij e mbështeti atë për të ardhmen, po kështu jemi të mbështetur edhe ne nga shpresa jonë. (Hebrenjve 12:2) Kështu, ne mund të qëndrojmë besnikë përballë të gjitha mënyrave të persekutimit.
21. Cilat siguri u ofron Jehovai besnikëve të tij?
21 Është e vërtetë se relativisht pak prej nesh sot vuajnë sulme të tilla të drejtpërdrejta kundër besnikërisë së tyre. Megjithatë, populli i Jehovait fare mirë mund të përballojë më shumë persekutim përpara se të vijë fundi. Si mund të jemi të sigurt se do ta mbajmë besnikërinë tonë? Duke e mbajtur atë që tani. Jehovai na ka ngarkuar me një gjë të madhe, me predikimin dhe mësimin rreth Mbretërisë së tij. Le të mbahemi me besnikëri pas kësaj vepre jetësore. (1. Korintasve 15:58) Nëse nuk pranojmë që t’i lejojmë papërsosmëritë njerëzore të gërryejnë besnikërinë tonë ndaj organizatës së Jehovait dhe nëse ruhemi kundër formave të tilla dinake të jobesnikërisë si besnikëria e vënë atje ku s’duhet, atëherë do të jemi më mirë të përgatitur, nëse do të duhej që besnikëria jonë të sprovohet më me ashpërsi. Sidoqoftë, qofshim përherë të sigurt se Jehovai është besnik i padështueshëm ndaj shërbëtorëve të tij besnikë! (2. Samuelit 22:26) Po, ai do t’i ruajë besnikët e tij!—Psalmi 97:10.
[Shënimet]
a Jezui ishte guximtar që sulmoi një vend me kaq përfitime tregtare. Sipas një historiani, taksa e tempullit duhej paguar me një monedhë të lashtë e të veçantë judaike. Kështu, shumë vizitorë në tempull duhej të këmbenin paratë e tyre, me qëllim që të paguanin taksën. Këmbyesit e parave lejoheshin të vinin çmime të fiksuara për këmbimin, gjë kjo që u sillte këmbyesve shuma të mëdha parash.
b Shiko revistat Zgjohuni! të 22 dhjetorit 1993; 8 janarit 1994 dhe 22 janarit 1994, botuar në anglisht.
c Vëllazëria e tyre vinte nga Hasidimët, një grup që u ngrit shekuj më parë për të luftuar ndikimin grek. Hasidimët e morën emrin nga fjala hebraike chasi·dhimʹ apo «besnikë». Mbase ata mendonin se shkrimet, në të cilat përmendeshin «besnikët» e Jehovait, u zbatoheshin atyre në ndonjë mënyrë të veçantë. (Psalmi 50:5) Ata dhe farisenjtë pas tyre ishin fanatikë, mbrojtës të vetemëruar të gërmave të Ligjit.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Si mund të shmangim që papërsosmëritë e të tjerëve të na çojnë në jobesnikëri?
◻ Në cilat mënyra papërsosmëritë tona mund të na çojnë në një sjellje jobesnike?
◻ Si mund t’i rezistojmë prirjes për ta vënë besnikërinë tonë atje ku s’duhet?
◻ Ç’gjë do të na ndihmojë që ta mbajmë besnikërinë tonë edhe në kohë persekutimi?
[Kutia në faqen 9]
Të shërbejmë me besnikëri në Bethel
«Të gjitha gjërat le të ndodhin siç duhet dhe sipas rregullimit.» Kështu shkroi apostulli Pavël. (1. Korintasve 14:40, BR) Pavli e dinte se që të funksiononte një kongregacion, do të kishte nevojë për ‘rregullim’, për organizim. Ngjashëm sot, pleqtë duhet të marrin vendime mbi çështje praktike, të tilla si caktimi i anëtarëve të kongregacionit nëpër vende të ndryshme të studimit të librit, duke rregulluar mbledhje për shërbimin në fushë dhe duke kontrolluar mbulimin e territorit. Rregullime të tilla mund të paraqesin ndonjëherë sprova besnikërie. Ato nuk janë urdhra të frymëzuar në kuptimin hyjnor dhe nuk mund të përmbushin preferencat e çdo individi.
A të duket ndonjëherë një sfidë, të jesh besnik ndaj disa prej rregullimeve praktike të bëra në kongregacionin e krishterë? Nëse po, shembulli i Bethelit mund të jetë i dobishëm për ty. Emri Bethel, një term hebraik që do të thotë «Shtëpi e Perëndisë», u është dhënë të 104 degëve të Shoqatës Watch Tower, duke përfshirë edhe selinë qendrore në SHBA.* Vullnetarët që jetojnë dhe punojnë në komplekset e Bethelit duan që këto vende të pasqyrojnë nderimin e thellë dhe frikën ndaj Jehovait, gjë që kërkon besnikëri nga ana e secilit.
Vizitorëve të Bethelit shpesh u bie në sy rregullsia dhe pastërtia që shohin atje. Punëtorët janë të organizuar dhe të lumtur; e folura, sjellja dhe madje pamja e tyre e jashtme pasqyrojnë ndërgjegje të pjekur të krishterë të stërvitur sipas Biblës. Të gjithë anëtarët e familjes Bethel ndjekin me besnikëri normat e Fjalës së Perëndisë.
Përveç kësaj, Trupi Udhëheqës u siguron atyre një manual që mban titullin Të banojmë së bashku në unitet, i cili me dashamirësi vë në dukje disa rregullime praktike të nevojshme që një familje kaq e madhe të punojë mirë së bashku. (Psalmi 133:1) Për shembull, ajo trajton aspektet e dhomës, ngrënies, higjienës, veshjes e krehjes, si edhe çështje të ngjashme. Anëtarët e familjes Bethel i mbështesin dhe i ndjekin me besnikëri këto rregullime, edhe atëherë kur preferencat personale mund t’i çojnë në një drejtim tjetër. Ata nuk e shikojnë këtë manual si një grumbull rregullimesh dhe rregullash të ftohta, por si një koleksion udhëzimesh të dobishme, të bëra për të mbështetur unitetin dhe harmoninë. Mbikëqyrësit janë besnikë në mbrojtjen e këtyre procedurave të bazuara në Bibël dhe i përdorin ato në një mënyrë pozitive për të ndërtuar dhe inkurajuar familjen Bethel që të ndjekë shërbimin e shenjtë në Bethel.
* Këto komplekse fabrikash, zyrash dhe banesash nuk përbëjnë shtëpinë apo tempullin e madh frymor të Perëndisë. Tempulli frymor i Perëndisë është rregullimi i tij për adhurimin e pastër. (Mikea 4:1) Si i tillë, ai nuk kufizohet në asnjë strukturë fizike mbi tokë.
[Kutia në faqen 10]
Besniku dhe legalisti
Kohë më parë, në 1916-n, një enciklopedi vërente se «dallimi ndërmjet besnikut dhe legalistit mund të gjendet në çdo kohë e në çdo vend». Ajo shpjegonte: «Ekziston legalisti që bën çfarë i thuhet, që nuk i thyen rregullat; ai ndjek me besim të plotë fjalën e shkruar. Ekziston besniku, i cili e bën këtë, por mund . . . t’i besohet më shumë, i cili ia kushton gjithë mendjen detyrës që ka, i cili e formon qëndrimin e tij në përputhje me domethënien e qëllimit, të cilit i shërben.» (Encyclopædia of Religion and Ethics) Më pas, e njëjta vepër vërente: «Të jesh besnik do të thotë shumë më tepër sesa t’i përmbahesh ligjit. . . . Njeriu besnik dallohet nga ai që i përmbahet ligjit si një njeri që shërben me gjithë zemrën dhe mendjen . . . Ai nuk i lejon vetes asnjë kryerje të mëkatit me vullnet, nga mangësia apo nga mosdijenija.»