Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
«Populli yt do të ofrohet vullnetarisht»
KOMANDANTI i ushtrisë së fuqishme siriane, Naamani, është me lebër. Nëse lihet e pamjekuar, kjo sëmundje e neveritshme mund të çojë në shfytyrim dhe në vdekje. Ç’do të bëjë Naamani? Mes njerëzve të shtëpisë së Naamanit është edhe një vajzë e vogël, ‘robinjë nga vendi i Izraelit’. Me guxim, ajo flet hapur dhe e identifikon profetin Elise si personin që mund ta shërojë Naamanin.—2. Mbretërve 5:1-3.
Për shkak të qëndrimit të saj të guximshëm, Naamani kërkon Eliseun dhe shërohet. Për më tepër, Naamani bëhet një adhurues i Jehovait. Kjo përvojë e shkruar në Bibël, ndodhi në shekullin e dhjetë p.e.s. (2. Mbretërve 5:4-15) Sot, shumë fëmijë tregojnë një kurajë të ngjashme, kur flasin hapur në dobi të interesave të Mbretërisë. Përvoja e mëposhtme nga Mozambiku e vërteton këtë.
Gjashtëvjeçari Nuno është një lajmëtar i papagëzuar i lajmit të mirë. Edhe përpara se të bëhej lajmëtar i papagëzuar, Nuno i mblidhte fëmijët e lagjes së tij, bënte një lutje dhe u mësonte atyre Biblën, duke përdorur botimin Libri im i tregimeve biblike.
Shpesh, Nuno ngrihet në mëngjes herët të shtunën dhe i kujton familjes së tij: «Sot shkojmë në shërbimin në fushë.» Zelli i tij për shërbimin duket edhe në aspekte të tjera. Kur shoqëron prindërit në shërbimin në rrugë, në Maputo, shpesh Nuno u drejtohet vetë njerëzve. Në një rast të tillë, një biznesmen i doli përpara atij dhe e pyeti: «Pse i shet këto revista?» Nuno i tha: «Unë nuk po i shes revistat, por pranoj kontribute për të ndihmuar financimin e veprës së predikimit.» Biznesmeni iu përgjigj: «Megjithëse nuk jam i interesuar, më bën përshtypje qëndrimi dhe aftësia jote. Do të desha të jepja një kontribut për këtë vepër.»
Në një rast tjetër, Nuno iu afrua një burri në rrugë dhe i ofroi librin Paqe dhe siguri e vërtetë: Si mund ta gjesh? Burri e pyeti: «A nuk je në atë shkollën atje ti?» «Po,—u përgjigj Nuno,—jam në atë shkollë, por sot po paraqes një mesazh të rëndësishëm nga ky libër. Ai ju tregon se mund të jetoni në botën e re që do të sjellë Perëndia, siç tregohet në figurën e këtij libri.» Nuno as që kuptoi se ai burrë me të cilin foli ishte mësues në shkollën e tij. Mësuesi jo vetëm që e pranoi librin, por tani ai merr rregullisht nga Nuno edhe revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!
Kur Nunon e pyesin se përse i pëlqen të marrë pjesë në veprën e predikimit, ai thotë: «Dëshiroj t’u flas njerëzve dhe t’i mësoj për Jehovain dhe Birin e tij, Jezu Krishtin.» Ai shton: «Nëse njerëzit nuk duan të dëgjojnë, s’ka asnjë arsye për t’u mërzitur.»
Anembanë botës, me mijëra fëmijë si Nuno ‘ofrohen vullnetarisht’ për t’u mësuar dhe predikuar të tjerëve rreth Mbretërisë së Perëndisë. (Psalmi 110:3) Por kjo nuk ndodh rastësisht. Prindërit që i mësojnë fëmijët e tyre për Jehovain që prej foshnjërisë, që japin një shembull të mirë në shërbim dhe ndjekin me zell interesat e Mbretërisë, do të shpërblehen në mënyrë të pasur.