BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 15/7 f. 4-8
  • Përse mund t’u besojmë profecive të Biblës?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Përse mund t’u besojmë profecive të Biblës?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Pika kontrasti
  • A do t’u besojmë profecive të Biblës?
  • Në kërkim të parashikimeve të besueshme
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Parashikimi i së ardhmes
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për publikun)—2018
  • Përgjigje për pyetje biblike
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
  • Profeci që u përmbushën
    Bibla—Fjala e Perëndisë apo e njerëzve?
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 15/7 f. 4-8

Përse mund t’u besojmë profecive të Biblës?

MBRETI PIRRO i Epirit, në Greqinë Veriperëndimore, ishte në konflikt nga shumë kohë me Perandorinë Romake. Duke pasur shumë nevojë për ndonjë informatë të besueshme mbi përfundimin e këtij konflikti, ai shkoi të konsultohej në orakullin e Delfit. Por përgjigjja që mori mund të kuptohej në secilën nga këto dy mënyra: (1) «Unë them se ti, bir i Eakut mund t’i mundësh romakët. Ti do të shkosh e do të kthehesh, por kurrë nuk do të vritesh në luftë.» (2) «Unë them se romakët mund të të mundin ty, bir i Eakut. Ti do të shkosh, por nuk do të kthehesh kurrë, sepse do të vritesh në luftë.» Ai zgjodhi ta kuptonte përgjigjen në mënyrën e parë, kështu që i shpalli luftë Romës. Pirroja u mund plotësisht.

Rastet e tilla si ky, u dhanë parashikimeve të bëra nga orakujt namin e keq se ishin të mjegullta dhe të dykuptimshme. Por, ç’të themi për profecitë e Biblës? Disa kritikë thonë se profecitë që gjenden në Bibël nuk janë më të mira se parashikimet e bëra nga orakujt. Këta kritikë spekulojnë, duke thënë se parashikimet biblike ishin thjesht parathënie mendjeholla të ngjarjeve të së ardhmes nga individë shumë të zgjuar e me aftësi perceptuese të mprehta, që zakonisht i përkitnin klasës së priftërinjve. Supozohet se thjesht nga përvoja e tyre ose me lidhjet e veçanta që kishin, këta burra parashikuan zhvillimin e natyrshëm të disa situatave. Duke i krahasuar karakteristikat e ndryshme të profecive të Biblës me ato të parashikimeve që bënin orakujt, do të jemi të pajisur më mirë për të nxjerrë përfundimet e duhura.

Pika kontrasti

Shenja dalluese e parashikimeve të bëra nga orakujt ishte dykuptimësia e tyre. Në Delf, për shembull, përgjigjet e dhëna shpreheshin me tinguj të pakuptueshëm. Kjo sillte nevojën që priftërinjtë të shpjegonin përgjigjet dhe të krijonin versione që mund të interpretoheshin edhe në të kundërt. Një shembull klasik i kësaj është përgjigjja që iu dha Kroesit, mbretit të Lidias. Kur u konsultua me orakullin, atij iu tha: «Nëse Kroesi kapërcen Halisin, ai ka për të rrënuar një perandori të fuqishme.» Faktikisht, ‘perandoria e fuqishme’ që u shkatërrua ishte perandoria e tij! Kur Kroesi kapërceu lumin Halis për të pushtuar Kapadokinë, u mund nga mbreti pers, Kiri.

Në kontrast të dukshëm me parashikimet e orakujve paganë, profecitë e Biblës njihen për saktësinë dhe qartësinë e tyre. Një shembull është profecia që kishte të bënte me rënien e Babilonisë, e cila gjendet në librin biblik të Isaisë. Rreth 200 vjet para se të ndodhte kjo ngjarje, profeti Isaia paratha në mënyrë të hollësishme dhe të saktë rrëzimin e Babilonisë nga Medo-Persia. Profecia tregonte se fitimtari do të kishte emrin Kir dhe zbulonte tamam strategjinë e tharjes së lumit që ishte si hendek i thellë mbrojtës, si edhe hyrjen në qytetin e fortifikuar nëpërmjet portave të hapura. E gjithë kjo u përmbush me saktësi. (Isaia 44:27–45:2) Gjithashtu, u profetizua me saktësi që përfundimisht Babilonia do të bëhej plotësisht e pabanuar.—Isaia 13:17-22.

Shqyrto edhe natyrën e qartë të këtij paralajmërimi që shpalli profeti Jona: «Edhe dyzet ditë dhe Ninive do të shkatërrohet.» (Jona 3:4) Këtu nuk ka asnjë kuptim të dyfishtë! Mesazhi ishte kaq dramatik dhe i drejtpërdrejtë, saqë burrat e Ninevisë menjëherë «i besuan Perëndisë, shpallën një agjërim dhe u veshën me thes». Si rezultat i pendimit të tyre, Jehovai nuk solli katastrofë mbi ninevitët e asaj kohe.—Jona 3:5-10.

Parashikimet e orakujve përdoreshin si mjete të ndikimit politik. Sundimtarët dhe udhëheqësit ushtarakë shpesh citonin interpretimin që u pëlqente më shumë, me qëllim që të përkrahnin interesat dhe sipërmarrjet e tyre personale, duke u dhënë këtyre një «petk hyjnor». Megjithatë, mesazhet profetike të Perëndisë u dhanë pa iu përshtatur konsideratave personale.

Për ta ilustruar: Nathani, profeti i Jehovait, nuk u përmbajt ta qortonte mbretin David, i cili kishte gabuar. (2. Samuelit 12:1-12) Gjatë mbretërimit të Jeroboamit II mbi mbretërinë dhjetëfisëshe të Izraelit, profetët Hozea dhe Amosi i bënë kritika të rrepta mbretit rebel dhe përkrahësve të tij, për shkak të apostazisë së tyre dhe të sjelljes që çnderonte Perëndinë. (Hozea 5:1-7; Amosi 2:6-8) Veçanërisht i ashpër ishte paralajmërimi që i bëri Jehovai mbretit përmes gojës së profetit Amos: «Unë do të ngrihem me shpatë kundër shtëpisë së Jeroboamit.» (Amosi 7:9) Shtëpia e Jeroboamit u shfaros.—1. Mbretërve 15:25-30; 2. Kronikave 13:20.

Në pjesën më të madhe të kohës, parashikimet e orakujve jepeshin me një çmim. Ai që paguante më shumë do të merrte parashikimin që i pëlqente. Ata që konsultoheshin në orakujt e Delfit, i paguanin shtrenjtë informacionet e pavlefshme, duke i mbushur kështu tempullin e Apolonit dhe ndërtesat shtesë, me thesare të mëdha. Në kontrast, profecitë dhe paralajmërimet e Biblës jepeshin pa ndonjë kosto dhe pa mbajtur anën e dikujt. Kjo ndodhte pavarësisht nga pozita ose pasuria e personit të cilit i drejtoheshin, sepse një profet i vërtetë nuk mund të blihej me rryshfete. Profeti dhe gjykatësi Samuel mundi të pyeste me sinqeritet: «Nga duart e kujt kam pranuar ndonjë dhuratë që më ka zënë sytë?»—1. Samuelit 12:3.

Meqë orakujt ishin në dispozicion vetëm në vende specifike, një personi i duhej të bënte përpjekje të konsiderueshme për të udhëtuar deri atje që t’i merrte. Për një person të zakonshëm, shumica e këtyre vendeve ishin shumë të vështira për t’u arritur, sepse gjendeshin në vende, si: Dodona, në malin Tomaros, në Epir dhe Delfi, në Greqinë Qendrore me reliev malor. Zakonisht, vetëm të pasurit dhe të fuqishmit ishin në gjendje të konsultoheshin me perënditë nëpër këta orakuj. Për më tepër, «vullneti i perëndive» zbulohej vetëm në disa ditë gjatë vitit. Në kontrast të dukshëm, Perëndia Jehova i dërgoi lajmëtarët e tij profetikë drejtpërdrejt në popull, me qëllim që të shpallnin profecitë, të cilat ata duhej t’i dëgjonin. Gjatë mërgimit të hebrenjve në Babiloni, Perëndia kishte të paktën tre profetë që shërbenin mes popullit të tij, Jereminë në Jerusalem, Ezekielin me të mërguarit dhe Danielin në kryeqytetin e Perandorisë Babilonase.—Jeremia 1:1, 2; Ezekieli 1:1; Danieli 2:48.

Në përgjithësi parashikimet e orakujve jepeshin privatisht, kështu që personi i cili i merrte të mund ta shfrytëzonte interpretimin e tyre sipas avantazhit të tij. Në kontrast, profecitë e Biblës shpesh jepeshin publikisht, kështu që të gjithë mund ta dëgjonin mesazhin dhe të kuptonin se çfarë përfshinte. Shumë herë, profeti Jeremia foli publikisht në Jerusalem, edhe pse e dinte se mesazhi i tij nuk pritej mirë nga udhëheqësit dhe banorët e qytetit.—Jeremia 7:1, 2.

Sot, parashikimet e orakujve konsiderohen si pjesë e historisë së lashtë. Ato nuk kanë asnjë vlerë praktike për njerëzit që jetojnë në kohët tona kritike. Asnjëri prej parashikimeve të këtyre orakujve nuk ka të bëjë me ditët tona ose me të ardhmen tonë. Në një kontrast të dukshëm, profecitë e Biblës janë pjesë e ‘fjalës së Perëndisë, [e cila] është e gjallë dhe vepruese’. (Hebrenjve 4:12) Profecitë e Biblës që tashmë janë përmbushur sigurojnë një model të marrëdhënieve të Jehovait me njerëzit dhe zbulojnë aspekte jetësore të qëllimeve dhe të personalitetit të tij. Përveç kësaj, profeci të tjera të rëndësishme të Biblës presin përmbushjen në të ardhmen e afërt. Duke përshkruar atë që shtrihet para nesh, apostulli Pjetër shkroi: «Por ne, sipas premtimit të tij [të Perëndisë], presim qiej të rinj [Mbretërinë Mesianike qiellore] dhe tokë të re [një shoqëri të drejtë njerëzore], në të cilët banon drejtësia.»—2. Pjetrit 3:13.

Ky krahasim i shpejtë i profecive të Biblës me parashikimet e orakujve të feve të rreme mund të na çojë në një përfundim të ngjashëm me atë që u shpreh në librin me titull The Great Ideas (Idetë e Mëdha): «Për aq sa përfshihet njohuria paraprake e njerëzve të vdekshëm, profetët hebrenj duken se janë unikë. Ndryshe nga parashikuesit ose fatthënësit paganë, . . . atyre nuk iu desh të përdornin artet ose mjetet e tjera për të depërtuar në sekretet hyjnore. . . . Pjesa më e madhe e fjalimeve të tyre profetike, ndryshe nga ato të orakujve, duket që nuk ka kuptim të dyfishtë. Duket se të paktën qëllimi për të cilin janë thënë është që të zbulohet, jo të fshihet, plani i Perëndisë mbi këto çështje, në mënyrën se si dëshiron Ai vetë që njerëzit të parashikojnë rrjedhën e ngjarjeve.»

A do t’u besojmë profecive të Biblës?

Ne mund t’u besojmë profecive të Biblës. Vërtet, ne mund ta ndërtojmë jetën përreth Jehovait dhe përmbushjes së fjalës së tij profetike. Profecitë e Biblës nuk janë një dokumentim i vdekur i parashikimeve tashmë të pëmbushura. Shumë profeci që gjenden në Shkrime tani janë duke u përmbushur ose po presin realizimin në të ardhmen e afërt. Duke gjykuar nga e kaluara, mund të jemi plotësisht të sigurt se edhe ato do të përmbushen. Meqë këto profeci përqendrohen në kohët tona dhe përfshijnë pikërisht të ardhmen tonë, bëjmë mirë t’i marrim seriozisht ato.

Ne mund t’i besojmë të sigurt profecisë biblike që gjendet në Isainë 2:2, 3: «Në ditët e fundit do të ndodhë që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve. . . . Shumë popuj do të vijnë duke thënë: ‘Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, . . . ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.’» Sot, miliona njerëz po përqafojnë me të vërtetë adhurimin e lartësuar të Jehovait dhe po mësojnë të ecin në shtigjet e tij. A do të përfitojmë nga ky rast për të mësuar më shumë mbi udhët e Perëndisë dhe për të marrë njohuri të saktë mbi të dhe qëllimet e tij, me qëllim që të ecim në shtigjet e tij?—Gjoni 17:3.

Përmbushja e një profecie tjetër të Biblës kërkon veprime urgjente nga ana jonë. Lidhur me të ardhmen e afërt, psalmisti këndoi në mënyrë profetike: «Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, . . . Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më.» (Psalmi 37:9, 10) Çfarë mendon se nevojitet që të mos përfshihemi në shkatërrimin kërcënues të të ligjve, ku përfshihen edhe ata që tallen me profecitë e Biblës? I njëjti psalm na jep përgjigjen: «Ata që shpresojnë te Zoti do të bëhen zotër të tokës.» (Psalmi 37:9) Të shpresojmë te Jehovai do të thotë të vëmë besim të palëkundur në premtimet e tij dhe ta vëmë jetën në harmoni me standardet e tij.—Fjalët e urta 2:21, 22.

Si do të jetë jeta, kur ata që shpresojnë te Jehovai të bëhen zotër të tokës? Edhe një herë, profecitë e Biblës zbulojnë se njerëzimin e bindur e pret një e ardhme e lavdishme. Profeti Isaia shkroi: «Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve. Atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi, sepse do të dalin ujëra në shkretëtirë dhe përrenj në vendin e vetmuar.» (Isaia 35:5, 6) Apostulli Gjon shkroi këto fjalë siguruese: «Dhe Perëndia [Jehova] do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan. Dhe Ai që rrinte mbi fron tha: . . . ‘Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike.’»—Zbulesa 21:4, 5.

Dëshmitarët e Jehovait e dinë se Bibla është një libër me profeci të besueshme. Ata janë plotësisht dakord me nxitjen e apostullit Pjetër: «Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë ti kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja.» (2. Pjetrit 1:19) Shpresojmë sinqerisht që edhe ti të marrësh zemër nga perspektivat e shkëlqyeshme që përmbajnë profecitë e Biblës për të ardhmen!

[Kutia dhe figurat në faqen 6]

ORAKULLI I DELFIT ishte më i famshmi në Greqinë e Lashtë.

Avujt trallisës e çonin priftëreshën në një gjendje ekstaze

[Figurat]

Priftëresha ulej në një fron me tri këmbë dhe thoshte orakujt e saj

Tingujt që shqiptonte ajo, besohej se përmbanin zbulime nga perëndia Apolon

[Burimet]

Fron me tri këmbë: Nga libri Dictionary of Greek and Roman Antiquities; Apoloni: The Complete Encyclopedia of Illustration/J. G. Heck

[Figura në faqen 7]

Parashikimet që jepeshin në orakullin e Delfit ishin krejt të pasigurta

[Burimi]

Delfi, Greqi

[Figurat në faqen 8]

Mund të kemi siguri të plotë në profecitë e Biblës lidhur me botën e re

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo