2000: Vit i shënuar?
A KA ndonjë gjë të veçantë viti 2000? Njerëzit që jetojnë në vendet perëndimore, në përgjithësi e konsiderojnë atë si vitin e parë të mijëvjeçarit të tretë. Po bëhen përgatitje të shumta për ta festuar këtë vit. Po instalohen orë gjigande elektronike për të numëruar sekondat e fundit, derisa të nisë mijëvjeçari i ri. Po organizohen festimet e Vitit të Ri me mbrëmje vallëzimi. Nëpër dyqanet e provincave, si edhe në komplekset e dyqaneve në qytetet e mëdha, po shiten bluza me slogane mbi fundin e mijëvjeçarit.
Kishat e mëdha e të vogla do të marrin pjesë në festimet që do të zgjatin gjatë gjithë vitit. Në fillim të vitit tjetër, pritet që papa Gjon Pali II të shkojë në Izrael për të udhëhequr katolikët në atë që është quajtur «kremtimi jubile i mijëvjeçarit nga Kisha Katolike Romake». Përllogaritet se një numër nga dy milionë e gjysmë deri në gjashtë milionë turistë, duke filluar nga të devotshmit dhe deri te kureshtarët, po planifikojnë të vizitojnë Izraelin vitin që vjen.
Përse kaq shumë njerëz planifikojnë të vizitojnë Izraelin? Duke folur si zëdhënës i papës, Roxher Kardinal Içëgeraj, një nëpunës i Vatikanit, tha: «Viti 2000 është një kremtim i Krishtit dhe i jetës së tij në këtë vend. Prandaj është thjesht e natyrshme që papa do të vijë në këtë vend.» Çfarë lidhjeje ka viti 2000 me Krishtin? Në përgjithësi mendohet se viti 2000 shënon pikërisht 2.000 vjet që nga lindja e Krishtit. Por, a është kështu? Do ta shohim.
Për anëtarët e disa grupeve fetare viti 2000 është akoma më domethënës. Ata janë të bindur se afërsisht brenda vitit që vjen, Jezui do të kthehet në Malin e Ullinjve dhe se beteja e Harmagedonit, për të cilën flitet në librin e Zbulesës, do të zhvillohet në luginën e Megidos. (Zbulesa 16:14-16) Në pritje të këtyre ngjarjeve, qindra banorë të Shteteve të Bashkuara po shesin shtëpitë dhe pjesën më të madhe të zotërimeve të tyre dhe po transferohen në Izrael. Për dobinë e atyre që nuk mund të largohen nga shtëpia, thuhet se një evangjelist i shquar i Shteteve të Bashkuara ka premtuar ta shfaqë në televizion, madje me ngjyra, kthimin e Jezuit.
Në vendet perëndimore, planet për të hyrë në mijëvjeçarin e tretë po intensifikohen. Por, në vende të tjera njerëzit vazhdojnë aktivitetin e tyre normal. Këta njerëz, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë së botës, nuk besojnë se Jezui i Nazaretit ishte Mesia. Gjithashtu, ata as nuk e pranojnë metodën e llogaritjes së datave P.K.—A.D.a Për shembull, shumë myslimanë përdorin kalendarin e tyre, sipas të cilit, viti që vjen do të jetë viti 1420, jo viti 2000. Myslimanët i numërojnë vitet duke filluar nga data kur profeti Muhamet iku nga Meka për në Medinë. Në përgjithësi, në mbarë botën njerëzit përdorin rreth 40 kalendarë të ndryshëm.
A duhet të ketë ndonjë domethënie viti 2000 për të krishterët? A është 1 janari 2000 vërtet një ditë e veçantë? Këtyre pyetjeve do t’u jepet përgjigje në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Në sistemin e datimit P.K.—A.D., ngjarjet që kanë ndodhur para kohës tradicionale të lindjes së Jezuit, quhen të viteve «P.K.» (para Krishtit); ato që kanë ndodhur më pas, përkufizohen si të viteve «A.D.» (Anno Domini, «në vitin e Zotërisë»). Megjithatë, disa studiues të informuar preferojnë të përdorin emërtimet jofetare «p.e.s.» (para erës sonë) dhe «e.s.» (i erës sonë).