«Të shkojmë në shtëpinë e Jehovait»
1 Davidi iu përgjigj menjëherë ftesës: «Të shkojmë në shtëpinë e Jehovait». (Psl. 122:1) «Shtëpia» e Jehovait, e paraqitur nga tempulli, ishte vendi në të cilin mblidheshin ata që dëshironin të adhuronin Perëndinë e vërtetë. Ishte një shenjtërore e sigurt dhe paqësore. Sot, «shtëpia» e Perëndisë, është kongregacioni botëror i krishterë, i cili është «shtyllë dhe mbështetje e së vërtetës». (1. Tim. 3:15) Të gjitha furnizimet për shpëtimin janë vënë në dispozicion nëpërmjet këtij kanali. Për këtë arsye, «të gjitha kombet duhet të vërshojnë» në të nëse dëshirojnë të kenë bekimet e premtuara nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë.—Isaia 2:2.
2 Kjo «shtëpi» përfshin më shumë se 69.000 kongregacione në 229 vende. Dyert e Sallave të Mbretërisë në të gjithë botën janë të hapura, me më tepër se katër milion vullnetarë të zellshëm, të cilët përhapin ftesën: «Eja! . . . kush dëshiron le të marrë falas ujin e jetës». (Zbul. 22:17) Shumë kanë dëgjuar këtë mesazh dhe janë përgjigjur me çmueshmëri. Disa të tjerë, megjithëse janë treguar të ndjeshëm, nuk kanë ardhur akoma në shtëpinë e Jehovait, duke u shoqëruar me kongregacionin e krishterë. Këta kanë një «nevojë frymore» që mund të plotësohet me furnizimet që gjenden vetëm në kongregacion. (Mat. 5:3) Me fundin e këtij sistemi që po afrohet me të shpejtë, jetojmë kohë të vështira. Një veprim indiferent ose kundërshtues mund të çojë në një vonesë të rrezikshme. Është urgjente që njerëzit të bëjnë përpjekje për t’iu «afruar Perëndisë», duke iu afruar organizatës së tij. (Gjoni 4:8) Si mund t’i ndihmojmë?
3 Drejtojuani interesin nga organizata: Që nga kontakti i parë me të interesuarit, interesin e tyre duhet ta drejtojmë ndaj organizatës. Edhe nëse personalisht mund të kemi aftësi për të gjetur shkrime dhe për të shpjeguar doktrina themelore, nuk jemi ne burimi i një njohurie të tillë. Gjithçka që kemi mësuar vjen nga organizata, nëpërmjet klasës së skllavit që siguron ushqim në «kohën e vet». (Mat. 24:45-47) Që në fillim të rinjtë kanë nevojë të kuptojnë që adhurimi i pastër përfshin më tepër se vetëm ne ose edhe kongregacionin lokal; është një shoqatë botërore, e organizuar dhe teokratike që vepron nën udhëheqjen e Jehovait.
4 Mësimet që marrim e kanë origjinën prej Jehovait, i cili ka premtuar të na udhëheqë dhe të na mësojë. (Psl. 32:8; Isa. 54:13) Këto mësime gjenden për më tepër në botimet tona. Nëse mund të ndihmojmë të interesuarit për të pasur shumë çmueshmëri për literaturën, duke e njohur si burim informacionesh jetëshpëtuese, do të ketë shumë më tepër mundësi që ta lexojnë dhe ta vënë në praktikë përmbajtjen. Gjithmonë, këtë literaturë duhet ta prezantojmë dhe përdorim në atë mënyrë që të ngjallim respekt për të. Kjo i mëson të rinjtë që të vlerësojnë organizatën dhe t’i varin shpresat tek furnizimet e saj.
5 Informoni të interesuarit që në zonë ka një qendër ose një vend mbledhjesh ku mësimi sigurohet rregullisht. Jepuni atyre adresën e Sallës së Mbretërisë dhe oraret e mbledhjeve. Shpjegojuni ndryshimin midis mbledhjeve tona dhe grumbullimeve fetare ku ndoshta kanë marrë pjesë në të kaluarën. Mirë se të vijnë të gjithë; nuk mblidhen ndihma dhe as nuk bëhen kërkesa të ngutshme fondesh. Ka shërbëtorë të emëruar që drejtojnë mbledhjet, por të gjithë kanë mundësi të marrin pjesë duke komentuar dhe duke zhvilluar pjesë në program. Mirë se të vijnë familjet; në konsiderimet biblike marrin pjesë edhe fëmijët. Shërbëtorët tanë nuk veshin rroba të veçanta ose veladon. Salla e Mbretërisë është e dekoruar me shije dhe nuk gjenden qirinj, statuja dhe shëmbëlltyra. Të pranishmit banojnë pothuajse të gjithë në atë zonë.
6 Drejtojuani interesin në mënyrë progresive në studimet biblike: Një studim biblik ka si qëllim kryesor të mësuarit e së vërtetës së Fjalës së Perëndisë. Në studim, gjithashtu duhet të ndërtojmë çmueshmërinë për organizatën e Jehovait dhe ta njoftojmë për nevojën thelbësore për t’u bërë pjesë e saj. Vepra e madhe e kryer nga Jezui dhe nga dishepujt e tij në shekullin e I-rë tërhoqi njerëz të sinqertë dhe i bashkoi me qëllim që të vepronin nën një trup udhëheqës qendror. Në bashkësitë ku dëgjonin shumë, formoheshin kongregacione në të cilat mund të merrej rregullisht mësim dhe stërvitje. Ata që shoqëroheshin forcoheshin frymësisht, gjë që i ndihmonte për të kaluar mjerimet. (Hebr. 10:24, 25; 1. Pjet. 5:8-10) Sot Jehovai ka vendosur «të mbledhë përsëri të gjitha gjërat në Krishtin». (Efes. 1:9, 10) Si rezultat, kemi një «shoqëri botërore vëllezërish».—1. Pjet. 2:17.
7 Studimi biblik javor duhet të përfshijë informacione që ndihmojnë studentët për të vlerësuar organizatën dhe për të shfrytëzuar furnizimet për shpëtimin. Kushtoni disa minuta çdo javë për të shpjeguar ose përshkruar diçka nga organizata dhe funksionimi i saj. Mund të gjeni informacione të dobishme në Kullën e Rojës të 1 nëntorit 1984 (anglisht). Broshurat Dëshmitarët e Jehovait në shekullin e njëzet dhe Dëshmitarët e Jehovait: Të bashkuar për të kryer vullnetin e Perëndisë në të gjithë botën (anglisht), trajtojnë aspektet kryesore të organizatës dhe dobitë që mund të marrim. Duke rregulluar që studentët të shikojnë, nëse është në dispozicion, videokasetën Dëshmitarët e Jehovait: Organizata pas emrit (anglisht), kjo do t’u ndihmojë që të shohin me sytë e tyre se çfarë po kryen organizata. Raporte dhe përvoja të zgjedhura nga Libri vjetor mund të tregojnë suksesin e veprës në vende dhe kultura të ndryshme nga i yni. Mund të përdoren edhe botime të tjera. Me kalimin e kohës shpjegoni në mënyrë progresive përse shkojmë shtëpi më shtëpi, qëllimin e mbledhjeve tona, si mbahet vepra jonë dhe fusha botërore e veprimit të aktiviteteve tona.
8 Njohja e Dëshmitarëve të tjerë mund të ketë një efekt stimulues mbi të rinjtë, duke e zgjeruar konceptin e tyre për kongregacionin. Kur keni arritur deri këtu, ftoni herë pas here lajmëtarë të tjerë për t’ju shoqëruar kur shkoni për studim. Ndonjë pjesëtar i kongregacionit që ka interesa të ngjashme ose gjëra të tjera të përbashkëta me studentin mund t’i shtojë një përmasë të re perspektivës së tij. Ndoshta një nga pleqtë mund t’ju shoqërojë për të njohur personin. Të rregullosh që të vijë në studim mbikëqyrësi qarkor ose gruaja e tij mund të jetë një bekim i vërtetë. Nëse ka Dëshmitarë që banojnë afër mund të jetë me dobi t’ia prezantoni studentit të Biblës, sepse mund ta inkurajojnë më tej për të frekuentuar mbledhjet e kongregacionit.
9 Inkurajoni të rinjtë që të vijnë në mbledhje: Të rinjtë duhet të kuptojnë se sa e rëndësishme është pjesëmarrja në mbledhje. Përpiquni të stimuloni interesin e tyre. Tregojuni artikujt e trajtuar në studimin e Kullën e Rojës. Përmendni titujt e fjalimeve të ardhshme publike. Tregoni pika interesante nga informacionet që do të trajtohen në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe në studimin e librit të kongregacionit. Shprehni ndjenjat tuaja personale për gjërat që mësoni në këto mbledhje dhe përse e ndjeni të nevojshme për të qenë të pranishëm. Nëse keni mundësi ta bëni, ofrojini se do të kaloni për ta marrë. Një thirrje telefonike përpara mbledhjes mund të jetë një nxitje e mëtejshme për të qenë i pranishëm.
10 Kur një student i Biblës vjen në mbledhje bëni që të ndihet i mikpritur. Prezantojeni me të tjerët, duke përfshirë edhe pleqtë. Nëse ka ardhur për të dëgjuar një fjalim publik, prezantojeni me oratorin. Tregojani Sallën e Mbretërisë. Shpjegojini qëllimin e repartit të literaturës dhe revistave, të kutive të kontributeve, të bibliotekës dhe të shkrimit të vitit. Shpjegojini që salla nuk është vetëm një vend kulti, por edhe një qendër nga e cila organizohet vepra e predikimit në shkallë lokale.
11 Shpjegojini se si mbahen mbledhjet tona. Tregojini botimet që përdorim. Tregoni se Bibla është libri ynë kryesor si tekst. Të gjithë, edhe fëmijët, mund të marrin pjesë. Shpjegoni që e gjithë muzika dhe tekstet e librit tonë të këngëve janë kompozuar nga dëshmitarët e Jehovait për adhurimin. Tërhiqni vëmendjen mbi shumëllojshmërinë e njerëzve që frekuentojnë mbledhjet. Bëni komente pozitive mbi frymën e miqësisë dhe mikpritjes. Ky interes i sinqertë dhe dashamirës mund të jetë një nga faktorët më përcaktues për ta nxitur studentin që të vijë përsëri.
12 Përse disa përmbahen: Shpesh, krahas gjithë asaj që bëni, disa ngurrojnë t’i afrohen më shumë organizatës. Mos u dorëzoni shpejt. Përpiquni të vini veten në vendin e tyre. Ndoshta, deri në këtë moment nuk e kanë ndjerë të nevojshme të marrin pjesë në veprimtari fetare, veçse në raste të veçanta. Ndoshta familjarët ose miqtë e ngushtë u bëjnë presion. Ndoshta janë të frikësuar nga të afërmit që bëjnë komente për të njollosur. Dhe, natyrisht, mund të jenë të hutuar nga gjëra të ndryshme që kanë lidhje me veprimtaritë shoqërore dhe zbavitëse. Këto mund të konsiderohen pengesa të pakapërcyeshme; duhet t’i ndihmojmë që t’i shohin gjërat në perspektivën e drejtë dhe «të qartësohen për gjërat më të rëndësishme».—Filip. 1:10.
13 Tregoni arsyet biblike për të qëndruar. Ripërsëritni që të gjithë ne kemi nevojë për inkurajimin dhe ndërtimin frymor që mund të marrim duke qëndruar së bashku. (Rom. 1:11, 12) Jezui e bëri të qartë se kundërshtimi familjar nuk është një arsye e vlefshme për t’u përmbajtur. (Mat. 10:34-39) Pavli na këshillon që të mos turpërohemi pse jemi të identifikuar publikisht si dishepujt e Jezuit. (2. Tim. 1:8, 12-14) Duhet të mbajmë nën kontroll veprimtaritë personale dhe hutimet, përndryshe na bëhen një lak. (Luka 21:34-36) Për të merituar bekimet e Jehovait duhet t’i bëjmë gjërat me gjithë shpirt, duke mos qenë kurrë të pavendosur. (Kolos. 3:23, 24) Duke ngulitur çmueshmëri për këto parime biblike mund të përgatitet terreni për përparimin frymor.
14 Dyert janë të hapura: Shtëpia e adhurimit të vërtetë të Jehovait është lartësuar më sipër se të gjitha të tjerat. Në 229 vende të botës ushton ftesa: «Ejani, . . . të ngjitemi në malin e Jehovait, . . . dhe ai do të na mësojë rreth rrugëve të tij dhe ne sigurisht do të ecim në shtigjet e tij.» (Isa. 2:3) Duke u përgjigjur në mënyrë pozitive të rinjtë mund të shpëtojnë jetën e tyre. Një nga mënyrat më të mira për t’i ndihmuar është drejtimi i interesit të tyre nga organizata e Jehovait.