Ndihmo të tjerët të mësojnë për Birin e Perëndisë, Jezu Krishtin
1 Gjatë stinës së pranverës, shumë që pohojnë se janë të krishterë, japin mendime për Jezuin më tepër se në çdo kohë tjetër të vitit. Prandaj, ky është një muaj shumë i mirë për të paraqitur librin Njeriu më i madh i cili ka jetuar ndonjëherë. Meqë ky është një botim i vlefshëm, duhet të përcaktojmë nëse pronari i shtëpisë ka interes të sinqertë për të mësuar sa më shumë për Birin e Perëndisë, përpara se t’i ofrojmë librin. Si mund ta bëjmë këtë?
2 Përpiqu të futesh drejtpërdrejt në një bisedë të bazuar në Bibël, e cila përqendron vëmendjen mbi Jezuin.
Pasi ta përshëndesësh pronarin e shtëpisë, mund të thuash diçka të ngjashme me këtë:
◼ «Sot ne pyesim fqinjët tanë se çfarë mendojnë ata kur lexojnë në Biblën e tyre për jetën e përhershme. [Lëre të përgjigjet.] Kjo është me interes të veçantë, sepse Bibla flet mbi këtë mundësi rreth 40 herë. Çfarë do të thotë një jetë e tillë për ne? Shiko çfarë thotë Zbulesa 21:4. [Lexo.] A e shikon se çfarë na është premtuar? [Lëre të përgjigjet.] Si mund ta fitojmë jetën e përhershme?» Lexo Gjonin 17:3 dhe thekso nevojën për të marrë njohuri për Perëndinë dhe për Birin e tij, Jezu Krishtin. Nëse pronari i shtëpisë tregon njëfarë interesi, tregoi atij librin Njeriu më i Madh, duke përdorur nëntitujt e hyrjes, për të nxitur më tej interesin e tij.
3 Nëse pronari i shtëpisë tregon pak interes në fillim, ofroji numrin e fundit të Kullës së Rojës ose fletushkën A do të mbijetojë kjo botë? Tërhiqi vëmendjen për një ose dy pika specifike në botimin e paraqitur. Premtoji për t’u kthyer në një kohë të përshtatshme, për të vazhduar bisedën me të mbi atë temë.
4 Nëse pronari i shtëpisë duket se është i zënë, do të ishte më mirë që të shkurtonim prezantimin. Për lajmëtarët e rinj gjithashtu, do të ishte më e lehtë për të përdorur prezantimin që vjen më pas.
Pasi të prezantohemi, mund të themi:
◼ «Sot ne po pyesim fqinjët tanë se çfarë mendojnë kur lexojnë në Biblën e tyre mbi fitimin e jetës së përhershme. Për shembull, shiko çfarë thotë Jezui te Gjoni 17:3. [Lexo.] Ky libër është botuar për të ndihmuar njerëzit që të mësojnë më shumë për Jezu Krishtin dhe çfarë na mëson ai.» Hape librin te disa nga ilustrimet e bukura. Kthehu te hyrja dhe lexo paragrafin e dytë poshtë nëntitullit «Dobia nga të mësuarit mbi të.» Nëse pronari i shtëpisë është i interesuar, ofroji botimin.
5 Nëse e pranon librin, hidh bazat për një studim biblik duke i ofruar për të konsideruar kapitullin e parë, «Lajmet nga qielli» në atë moment ose në vizitën tjetër disa ditë më vonë. Në vend që t’i përmendësh pronarit të shtëpisë se në vizitën tjetër do të harxhoni një periudhë kohe të caktuar, thjesht thuaji se vetëm në pak minuta ai mund të mësojë shumë informacione interesante për Jezu Krishtin, nga Fjala e Perëndisë, Bibla.
6 Të gjithë ne duhet të përdorim këtë periudhë festive botërore, për të përqendruar vëmendjen në të vërtetën për Birin e Perëndisë, Jezu Krishtin, me qëllim që të ndihmojmë të tjerët të ecin në rrugën e jetës së përhershme.