Një model që duhet të ndjekim me vëmendje
1 Në mënyrë të padiskutueshme, Jezui është njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Ai la një shembull të përsosur për dishepujt e tij. Megjithëse s’mund të matemi me standartin e tij të përsosmërisë, jemi të nxitur «të ndjekim me vëmendje gjurmët e tij». (1. Pjet. 2:21, BR) Ne dëshirojmë të jemi sa më shumë që të jetë e mundur ngjashëm Jezuit, duke ua ndarë me zell të vërtetën të tjerëve.
2 Jezui ishte më tepër se një predikues; ishte një mësues i shkallës më të lartë. «Turmat ishin të habitura nga mënyra e tij e të mësuarit.» (Mat. 7:28, BR) Përse ishte kaq i efektshëm? Le të konsiderojmë me vëmendje «mënyrën e të mësuarit» të tij.
3 Si mund ta ndjekim Jezuin: Jezui ishte i mësuar nga Ati i tij. (Gjoni 8:28) Synimi i tij ishte që të nderonte Jehovain dhe të lavdëronte emrin e tij. (Gjoni 17:4, 26) Në predikimin dhe mësimin tonë, duhet të kemi si synim që të nderojmë Jehovain dhe jo të tërheqim vëmendjen nga vetja.
4 Çdo mësim i Jezuit bazohej në Fjalën e Perëndisë. Ai i referohej vazhdimisht asaj që ishte shkruar në shkrimet e frymëzuara. (Mat. 4:4, 7; 19:4; 22:31) Edhe ne duhet t’i drejtojmë dëgjuesit nga Bibla; me qëllim që ata të shohin se ajo që ne predikojmë dhe mësojmë është e bazuar në autoritetin më të lartë.
5 Jezui përdori shprehje të shkurtra, praktike dhe jo të komplikuara. Për shembull, për të shjpeguar se si ne mund të fitojmë faljen e Perëndisë, ai na inkurajon që të falim të tjerët. (Mat. 6:14, 15) Duhet të përpiqemi ta shjpegojmë mesazhin e Mbretërisë me thjeshtësi, me terma të njohur.
6 Jezui përdori me shkathtësi ilustrime dhe pyetje për t’i nxitur të tjerët në të menduar. (Mat. 13:34, 35; 22:20-22) Ilustrimet mbi çështjet e përditshme, mund t’i ndihmojnë njerëzit që të kuptojnë doktrinat e komplikuara biblike. Ne duhet t’u bëjmë pyetje që i inkurajojnë dëgjuesit tanë për të menduar mbi atë që kanë dëgjuar. Pyetjet që japin drejtim mund t’i ndihmojnë ata që të nxjerrin përfundime të drejta.
7 Jezui mori kohë për t’u shpjeguar gjërat e vështira atyre që kërkonin më shumë informata. Ata që ishin me të vërtetë të interesuar, si për shembull dishepujt e tij, ishin në gjendje të kapnin kuptimin e asaj që mësonte Jezui. (Mat. 13:36) Ne duhet të veprojmë po njëlloj kur na bëjnë pyetje të sinqerta. Nëse nuk e dimë përgjigjen, mund të kërkojmë mbi atë subjekt dhe të kthehemi më vonë me informacionin.
8 Jezui përdori mënyra të ndryshme mësimi për të mësuar. Një shembull i kësaj ishte kur u lau këmbët dishepujve të tij, edhe pse ai vetë ishte Mësuesi. (Gjoni 13:2-16) Nëse ne tregojmë një frymë përulësie, ata duke nxjerrë mësim nga kjo, do të jenë të nxitur të zbatojnë atë që po mësojnë.
9 Jezui i bëri thirrje zemrave të njerëzve dhe dashurisë së tyre për drejtësinë. Gjithashtu edhe ne dëshirojmë të prekim zemrat. Përpiqemi t’i bëjmë thirrje dëshirës së lindur që ka i gjithë njerëzimi për të adhuruar një personazh më të lartë dhe për të jetuar në paqe dhe lumturi me të tjerët.
10 Gjatë dhjetorit mund të ndajmë me të tjerët gjërat që kemi mësuar mbi Jezuin, duke ofruar librin Njeriu më i madh i cili ka jetuar ndonjëherë. Imitimi i cilësive mësimdhënëse të Jezuit nga ana jonë, mund t’i nxitë personat e sinqertë që të dëgjojnë kur u shpjegojmë mësimet e tij.—Mat. 10:40.