Jehovai jep fuqi
1 Si popull i Jehovait na është dhënë caktimi për të predikuar lajmin e mirë ndërsa mbajmë një sjellje «të mirë në mes të kombeve». (1. Pjetr. 2:12, BR; Mat. 24:14) Duke marrë parasysh kohët tona kritike si dhe vetë dobësinë tonë, ne nuk do të mund ta kryenim kurrë vetë këtë vepër. (2. Tim. 3:1-5) Sa të lumtur jemi që mund të drejtohemi nga Jehovai për ndihmë!
2 Apostulli Pavël i qëndroi shumë provave. (2. Kor. 11:23-27) Si mundi t’i përballonte ato me sukses dhe të përfundonte veprën që i ishte caktuar? Jehovai i siguroi atij «fuqi përtej asaj që është normale». (2. Kor. 4:7, BR) Pavli e njihte këtë ndihmë frymore kur shkroi: «Për çdo gjë unë kam fuqi nga virtyti i tij, i cili më jep mua fuqi.» (Filip. 4:13, BR) Jehovai do të na ndihmojë në të njëjtën mënyrë. Por, si mund ta marrim këtë ndihmë?
3 Duke u lutur vazhdimisht: Jezui na nxiti që ‘të vazhdojmë të lypim, të kërkojmë dhe të trokasim’ dhe të mos dorëzohemi. (Luka 11:5-10) Këmbëngulja jonë në lutje i tregon Jehovait thellësinë e shqetësimit tonë, dëshirën tonë të madhe dhe motivin tonë të çiltër. (Psal. 55:17; 88:1, 13; Rom. 1:9-11) Pavli e njihte rëndësinë e këmbënguljes në lutje kur na nxiti që «të lutemi vazhdimisht». (1. Sel. 5:17) Lutja është një nga mënyrat kryesore me të cilën mund të marrim ndihmën e Jehovait.
4 Duke ndjekur drejtimin teokratik: Teokraci nënkupton «sundim nga Perëndia», i cili është dashuri. Ne përfitojmë nga sundimi i tij, duke pranuar autoritetin e tij dhe duke ndjekur udhëzimet e tij si në vendime të vogla edhe në të mëdha. «Skllavi besnik dhe i matur» përfaqëson sundimin teokratik mbi tokë. (Mat. 24:45-47, BR) Që të kemi bekimin e Jehovait është i rëndësishëm bashkëpunimi me organizatën që «skllavi» përdor. (Krahaso Hebrenjve 13:17.) Jehovai do ta bekojë besnikërinë tonë ndaj tij dhe gatishmërinë tonë për t’iu bindur ligjeve të tij, duke na dhënë fuqinë e nevojshme në kohën e duhur.—Hebr. 4:16.
5 Duke mbajtur një lidhje të ngushtë me vëllezërit tanë: Dashuria është shenja identifikuese e dishepujve të Jezuit. (Gjoni 13:34, 35) Me një shumëllojshmëri personalitetesh, midis nesh mund të lindin fërkime për shkak të mosmarrëveshjeve personale. Duhet të kemi dhembshuri të butë, ta falim lirisht njëri-tjetrin. (Efes. 4:32) Kjo bën të mundur që të qëndrojmë lidhur ngushtë me vëllezërit tanë në besim dhe të jemi të inkurajuar nga durimi i tyre i palëkundur nën sprova. ‘Duke ditur se të njëjtat vuajtje po i heqin vëllezërit tanë’, ne kemi fuqinë që na jep Perëndia për të përballuar të njëjtat presione.—1. Pjetr. 5:9.
6 Duke mbajtur një rutinë të mirë në studimin personal: Forcimi i mendjes dhe i zemrës tonë frymësisht na aftëson që të përleshemi në sulmin e Satanait. (1. Pjetr. 5:8) Një rutinë e mirë në studimin personal do të rritë depozitën tonë të njohurisë hyjnore. Ne mund të nxjerrim dobi nga kjo njohuri kur përballojmë problemet e përditshme. Pavli theksoi se «njohuria e saktë» luan një rol të rëndësishëm në shpëtim. (1. Tim. 2:3, 4, BR) Është thelbësore që të marrim rregullisht ushqim frymor.
7 Të gjitha furnizimet e nevojshme për të na ndihmuar që të mbahemi të fortë janë në dispozicion të menjëhershëm në kongregacionin e krishterë. Përkrahja me gjithë shpirt e veprimtarive të tij do të garantojë që ne «do të ecim pa u lodhur».—Isa. 40:29-31.