Kutia e pyetjes
◼ Për çfarë duhet të kemi kujdes në lidhje me shërbimin, kur jemi në shoqëri me dikë të seksit të kundërt?
Kemi arsye të presim që vëllezërit dhe motrat tona të kenë parasysh ndjekjen e normave më të larta morale në sjelljen e tyre personale. Megjithatë, ne jetojmë në një botë të papastër dhe toleruese që nuk ka shumë kufizime morale. Ndërkohë që mund të kemi qëllimet më të mira, duhet të jemi vazhdimisht vigjilentë për të mos rënë në sy për keq apo për të mos u përfshirë në ndonjë gjë të papastër. Kjo përfshin të qenët të kujdesshëm, kur angazhohemi në shërbim.
Shpesh, në shërbimin në fushë ne ndeshemi me njerëz të seksit të kundërt, të cilët shfaqin atë që duket se është një interes i sinqertë për të vërtetën. Nëse jemi vetëm dhe një person i seksit të kundërt na përgjigjet në derë, por nuk ka asnjeri tjetër në shtëpi, zakonisht do të ishte më mirë të jepnim dëshmi në derë pa hyrë brenda. Nëse ka interes, mund të merren masa për t’u kthyer kur të jemi të shoqëruar nga një tjetër lajmëtar, apo kur të jenë të pranishëm edhe anëtarët e tjerë të shtëpisë. Nëse kjo nuk është e mundur, do të ishte e mençur t’ia jepje vizitën një lajmëtari të të njëjtit seks me të zotin e shtëpisë. Kjo gjë zbatohet edhe në drejtimin e studimeve biblike me persona të seksit të kundërt.—Mat. 10:16.
Duhet të kemi kujdes kur zgjedhim dikë për të punuar në shërbim. Megjithëse lajmëtarët e sekseve të kundërta mund të punojnë së bashku nganjëherë, është më mirë që kjo të bëhet, kur janë në grup. Zakonisht, edhe kur jemi në shërbim, nuk është e mençur që të kalojmë kohë vetëm për vetëm me një person të seksit të kundërt që nuk është bashkëshorti ynë. Prandaj, vëllai i ngarkuar për grupin e shërbimit, duhet të përdorë gjykim të mirë në caktimin e lajmëtarëve për të punuar së bashku, duke përfshirë këtu edhe adoleshentët.
Duke përdorur gjithmonë një gjykim të mirë, ne do të shmangim ‘dhënien e ndonjë shkaku për pengesë’, cilitdo, vetes apo të tjerëve.—2. Kor. 6:3.