Të sigurohemi që të kthehemi!
1 «Ç’bisedë e këndshme! Duhet të kujtohem që të bëj një rivizitë këtu.» A i kemi thënë ndonjëherë këto fjalë e më vonë kemi harruar se ku banon personi? Nëse po, atëherë e dimë se mënyra e vetme për t’u siguruar që të kthehemi është të mbajmë shënime.
2 Të mbajmë shënime të plota: Ndërsa e kemi ende të freskët në mendje bisedën me një person të interesuar, le të ndalemi një moment e të shkruajmë të gjithë informacionin e duhur që ka të bëjë me vizitën. Të shënojmë emrin e personit dhe se si do ta njohim atë. Të shkruajmë adresën e tij—jo ta marrim me mend—por të kontrollojmë për t’u siguruar se ajo që po shkruajmë është e saktë. Të shënojmë se për çfarë teme kemi folur, ndonjë shkrim që lexuam, si edhe çfarë literature kemi lënë.
3 Nëse kemi lënë me personin një pyetje pezull për t’iu përgjigjur vizitën tjetër, ta shkruajmë edhe atë. A mësuam diçka rreth personit, familjes së tij apo fesë së tij? Nëse po, le t’i shënojmë edhe këto. Më pas, gjatë vizitës tjetër, duke i përmendur ato, do të tregojmë interesin personal ndaj tij si individ. Së fundi, të shtojmë ditën dhe orën se kur e kemi bërë vizitën e parë dhe se kur kemi thënë që do të rikthehemi. Shënimet e sakta do të na shërbejnë si përkujtues të qartë dhe do të ketë më pak të ngjarë ta harrojmë premtimin tonë për t’u kthyer.—1. Tim. 1:12.
4 Kur t’i kemi hedhur të gjitha shënimet në fletën e regjistrimit, ta vendosim atë me pjesën tjetër të mjeteve që përdorim për shërbim, si p.sh., në çantë, brenda Biblës ose bashkë me literaturën, kështu do ta kemi gjithmonë më të lehtë për ta përdorur. Është më mirë që shënimet për jo në shtëpi, t’i bëjmë në ato fletë regjistrimi shtëpi më shtëpi, që nuk i kemi përdorur për të mbajtur shënimet lidhur me rivizitat. Sigurisht, pavarësisht nga ajo që bëjmë për të mbajtur një regjistrim të saktë të rivizitave, gjëja kryesore është të sigurohemi që të kthehemi!
5 Të mendojmë rreth personit: Kur përgatitemi për shërbim, të rishikojmë shënimet që kemi mbajtur lidhur me rivizitat. Të mendojmë pak për secilin individ dhe se cili prezantim mund të ishte më i miri të përdorej kur të bënim vizitën tjetër. Të mendojmë se si ta zhvillojmë interesin e personit për të filluar me të një studim biblik. Një planifikim i tillë mund të bëjë që të jemi edhe më të frytshëm si shërbëtorë të lajmit të mirë dhe si pasojë të provojmë edhe më shumë gëzim.—Prov. 21:5a.
6 Kështu, herën tjetër, kur të gjejmë dikë që na dëgjon, të mos mendojmë se mund ta mbajmë mend lehtë vizitën. Në vend të kësaj, le të mbajmë shënime, t’i rishikojmë ato, të mendojmë vazhdimisht rreth personit dhe më pas të sigurohemi që të kthehemi!