«Për Perëndinë gjithçka është e mundur»
1 Vepra kryesore e kongregacionit të krishterë është të predikojë mesazhin e Mbretërisë në mbarë botën. (Mat. 24:14) Kjo është një ndërmarrje e jashtëzakonshme. Shumë vëzhguesve u duket se për të kërkohen burime mbështetëse përtej asaj që zotërojmë. Për të tjerë, përmbushja e këtij caktimi është pothuaj e pamendueshme, meqë jemi objekt i talljes, i kundërshtimit dhe i përndjekjes. (Mat. 24:9; 2 Tim. 3:12) Skeptikët janë të bindur se kjo vepër është diçka e pamundur për t’u kryer. Megjithatë, Jezui tha: «Për Perëndinë gjithçka është e mundur.»—Mat. 19:26.
2 Shembuj pozitivë për t’u imituar: Jezui e filloi shërbimin e tij si një i vetëm kundër një bote të tërë. Në përpjekje për ta penguar që të kishte sukses, kundërshtarët e trajtuan me çdo mënyrë poshtëruese që mund të imagjinohet, duke e bërë së fundi të vuante një vdekje agonike. Megjithatë, në fund, Jezui tha i sigurt: «Unë e kam mundur botën.» (Gjoni 16:33) Me të vërtetë një arritje e pabesueshme!
3 Dishepujt e Jezuit treguan të njëjtën frymë të guximshme dhe zell në shërbimin e krishterë. Shumë nga ata u fshikulluan, u rrahën, u burgosën e madje u vranë. Megjithatë, qenë të «gëzuar, sepse ishin llogaritur të denjë për t’u çnderuar për emrin e tij». (Vep. 5:41) Në rrethana aspak të favorshme ata kryen detyrën në dukje të pamundur të predikimit të lajmit të mirë «deri në skajin më të largët të tokës».—Vep. 1:8; Kolos. 1:23.
4 Si të kemi sukses në ditët tona: Edhe ne kemi ndërmarrë me zell veprën e predikimit të Mbretërisë në rrethana ku duket e pamundur që ajo të kryhet. Me gjithë ndalimet, përndjekjen, burgimet dhe përpjekjet e tjera të dhunshme për të na ndaluar, prapëseprapë po ia dalim me sukses. Si është e mundur? «‘Jo me anë të një force ushtarake, as me anë të fuqisë, por me anë të frymës sime’, ka thënë Jehovai i ushtrive.» (Zah. 4:6, BR) Me Jehovain që na mbështet, asgjë s’mund ta ndalë veprën tonë!—Rom. 8:31.
5 Ndërsa predikojmë, nuk kemi asnjë arsye për të qenë të ndrojtur, për të pasur frikë ose për t’u ndier të paaftë. (2 Kor. 2:16, 17) Ne kemi arsye tejet të forta për të vazhduar përpara për përhapjen e lajmit të mirë të Mbretërisë. Me ndihmën e Jehovait, do të arrijmë ‘të pamundurën’!—Luka 18:27.