Ndihmë në kohën e duhur
1 Kur apostulli Pjetër e pa të nevojshme të forconte bashkëbesimtarët, shqetësimi për ta e shtyu që t’i inkurajonte dhe t’u jepte përkujtues të dashur. (2 Pjet. 1:12, 13; 3:1) Ai i nxiti ‘ata që kishin marrë një besim’ që të vazhdonin të zhvillonin cilësitë frymore, që të mos bëheshin «joaktivë dhe të pafrytshëm në lidhje me njohurinë e saktë për Zotërinë tonë Jezu Krisht». (2 Pjet. 1:1, 5-8) Qëllimi i Pjetrit ishte t’i ndihmonte që ta bënin të sigurt thirrjen dhe zgjedhjen nga Jehovai, kështu që «së fundi të gjendeshin prej tij të panjollë, të patëmetë dhe në paqe». (2 Pjet. 1:10, 11; 3:14) Për shumë nga ata, inkurajimi i tij ishte një ndihmë në kohën duhur.
2 Sot, mbikëqyrësit e krishterë shqetësohen në mënyrë të ngjashme për popullin e Perëndisë. Në këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», shumë shërbëtorë të Jehovait ndeshen me rrethana sprovuese. (2 Tim. 3:1) Për shkak të rritjes së problemeve financiare, familjare ose personale, disa mund të ndihen si Davidi: «Të këqija të panumërta më rrethojnë; paudhësitë e mia më kanë zënë dhe nuk mund të shikoj; janë më të shumta se flokët e kokës sime dhe zemra po më ligështohet.» (Ps. 40:12) Këto presione mund të bëhen kaq të rënda, saqë këta individë mund të lënë pas dore çështje frymore jetësore dhe të mos kenë më një pjesëmarrje aktive në shërbim. Mirëpo, pavarësisht nga vështirësitë, ‘ata nuk i kanë harruar urdhërimet e Jehovait’. (Ps. 119:176 BR) Tani është koha e duhur që pleqtë të japin ndihmën e nevojshme.—Isa. 32:1, 2.
3 Për të plotësuar këtë nevojë, pleqtë janë inkurajuar të bëjnë një përpjekje të veçantë për të ndihmuar ata që tashmë nuk po marrin pjesë në veprën e predikimit. Kjo përpjekje po vazhdon dhe do të zgjasë deri në muajin mars. Po kërkohet që mbikëqyrësit e Studimit të Librit t’i vizitojnë joaktivët për t’u dhënë ndihmë frymore, që të fillojnë të shoqërohen përsëri me kongregacionin. Kur është e nevojshme mund të bëhet me ta një studim biblik. Mund të kërkohet që të japin ndihmën e tyre edhe lajmëtarë të tjerë. Në rast se ju ftojnë, përpjekjet tuaja mund të jenë shumë të dobishme, sidomos kur inkurajoni me dashamirësi dhe me mirëkuptim.
4 Për këdo nuk ka arsye më të madhe për gëzim, sesa kur dikush fillon të shoqërohet përsëri me kongregacionin. (Luka 15:6) Përpjekjet që bëjmë për të inkurajuar joaktivët vërtet mund të jenë si «një fjalë e thënë në kohën e duhur».—Prov. 25:11.