Të jemi të shenjtë në gjithë sjelljen tonë
1. Pse është e rëndësishme të jemi të shenjtë në gjithë sjelljen tonë?
1 Si shërbëtorë të Perëndisë së shenjtë Jehova, bëjmë më të mirën tonë për të qenë të shenjtë në gjithë sjelljen tonë. (1 Pjet. 1:15, 16) Kjo do të thotë që përpiqemi fort t’u përmbahemi normave të Jehovait në të gjitha fushat e jetës. Kongresi krahinor këtë vit do të na krijojë një mundësi të veçantë për të treguar se jemi të shenjtë në çdo gjë që bëjmë.
2. Si mund të sillemi në mënyrë të shkëlqyer në hotele?
2 Në hotele: Administratori i një hoteli ku u strehuan delegatët e kongresit vitin e kaluar tha: «Dëshmitarët e Jehovait janë njerëz kaq të mirë. . . . Kështu duam që të jenë të gjithë njerëzit që na vijnë në hotel.» Nëse veprojmë sipas përkujtuesve të mëposhtëm, do të ruajmë emrin e mirë që kemi: (1) Mos rezervoni më shumë dhoma sesa ju nevojiten dhe mos mbani më shumë njerëz në dhomë nga sa lejohet. (2) Nëse duhet ta anuloni rezervimin, njoftoni hotelin pa humbur kohë. (3) Mos gatuani në dhomat ku nuk lejohet gatimi. (4) Çdo ditë, lini bakshish për shërbimin që ju bëhet. (5) Nëse mëngjesi, kafeja ose akulli është falas, mos abuzoni me to, pasi ai është në dispozicion të klientëve kur janë në hotel. (6) Shfaqni frytin e frymës me personelin e hotelit, sidomos gjatë procedurave në sportel kur ka shumë njerëz.—Gal. 5:22, 23.
3. Si u bën përshtypje të tjerëve sjellja e Dëshmitarëve në moshë të re?
3 Sjellja jonë e mirë mund të japë një dëshmi të fuqishme. Vitin e kaluar, një Dëshmitar në moshë të re me mirësjellje i kërkoi sportelistes së hotelit laps e letër dhe pastaj e falënderoi. Kjo i bëri shumë përshtypje sportelistes dhe i tha dikujt: «Në ditët e sotme nuk sheh më të rinj kaq të edukuar.» Megjithatë ka pasur edhe raste kur disa fëmijë, pa mbikëqyrjen e të mëdhenjve, kanë notuar nëpër pishina, kanë luajtur nëpër ashensorë, kanë folur me zë të lartë dhe kanë vrapuar nëpër korridore. Prindërit nuk duhet t’i lënë fëmijët të bëjnë çfarë të duan, por duhet t’i mbikëqyrin, duke u siguruar që sjellja e tyre t’i sjellë lavdi Jehovait.—Prov. 29:15.
4. Si mund të tregojmë respekt për të tjerët kur jemi në restorant?
4 Në restorante: Ja si u shpreh një kamerier që punonte në një restorant afër vendit ku u mbajt një kongres: «Dëshmitarët janë ndryshe. Tregojnë respekt për të tjerët.» Të sillesh mirë do të thotë edhe të mos flasësh ose qeshësh me zë të lartë, që të mos shqetësosh të tjerët që janë në restorant. Nuk duhet të harrojmë që në shumë vende e kanë zakon të lënë bakshish nga 15 deri në 20 për qind të të gjithë çmimit, por kjo është gjithmonë në varësi të vendit. Edhe kur hamë apo pimë, përpiqemi të bëjmë gjithçka në lavdi të Perëndisë.—1 Kor. 10:31.
5. Si mund të sillemi sa më mirë në vendin e kongresit?
5 Në vendin e kongresit: Duhet të sillemi mirë në mënyrë të veçantë në vendin ku mbahet kongresi. Ju lutemi që të bashkëpunoni me përcjellësit që janë si në vendin e parkimit, ashtu edhe në mjediset e kongresit. (Hebr. 13:17) Familjet duhet të ulen së bashku dhe nuk duhet t’i lejojnë fëmijët, duke përfshirë edhe adoleshentët, që të ulen me të rinj të tjerë. Aparatet regjistruese të çdo lloji nuk duhet të lidhen me sistemin elektrik dhe akustik të kongresit dhe mund të përdoren vetëm në një mënyrë që nuk i shqetëson të tjerët. Nëse keni ndërmend të bëni fotografi, blici i aparatit fotografik nuk duhet të përdoret gjatë sesioneve. Biperat dhe telefonat celularë duhen programuar që të mos shpërqendrojnë të tjerët. Nëse vini re që ndodh ndonjë aksident në ambientet e kongresit, në vend që të thërrisni urgjencën, ju lutemi të njoftoni një përcjellës ose repartin e ndihmës së shpejtë. Aty mund të merret ndihma e duhur mjekësore.
6. Në ç’mënyrë e lëvdon Perëndinë sjellja jonë në kongres?
6 Sjellja që kemi na dallon nga njerëzit e tjerë dhe lëvdon Perëndinë tonë. (1 Pjet. 2:12) Gjatë kongresit, veprimet e Dëshmitarëve të Jehovait do të jenë objekt vëzhgimi. Prandaj jini të vendosur që të jeni të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj.
[Figura në faqen 5]
Të jemi të shenjtë në sjelljen tonë
◼ Të respektojmë të gjitha rregullat e hotelit
◼ Të vëzhgojmë me kujdes fëmijët
◼ Të respektojmë të tjerët