Letra e Degës
Të dashur lajmëtarë të Mbretërisë,
Me fillimin e vitit të ri të shërbimit, u formua një qark i ri: Shqipëria 6. Formimi i tij e çon në 7 numrin e qarqeve në territorin e degës sonë, duke përfshirë atë në Kosovë. Kjo erdhi si pasojë e emërimit të 6 kongregacioneve të reja vitin e kaluar të shërbimit, dhe si pasojë e formimit të grupeve të reja në zonat ku janë caktuar për herë të parë pionierë specialë.
Ndërtimi i Bethelit të ri është afër përfundimit. Shërbëtorët ndërkombëtarë dhe disa vëllezër vendës kanë punuar shumë për të siguruar cilësinë e ndërtimit dhe funksionimin e këtij kompleksi të ri. Së shpejti, zyra e degës do të transferohet në Mëzez. Më pas do t’ju njoftojmë se kur mund të vijnë kongregacionet për të vizituar Bethelin e ri. Pa dyshim, do të gëzoheni kur të shihni se Jehovai e ka bekuar bujarinë tuaj dhe të vëllezërve nga vende të tjera të botës, duke na dhënë kështu një tjetër vegël të fuqishme për rritjen e veprës në territorin tonë.
Satanai është përpjekur t’i pengojë projektet tona dhe rritjen e veprës, me anë të komenteve negative nga mediat e shtypura dhe elektronike. Sidoqoftë, për shkak të aktivitetit tuaj më intensiv, gjatë muajve të pranverës janë regjistruar rritje të mëtejshme. Gjatë muajit mars, në Shqipëri dhe në Kosovë kanë shërbyer në kohë të plotë 1.538 lajmëtarë. Ka pasur maksimume të reja në numrin e lajmëtarëve. Në qershor, lajmëtarët janë angazhuar me entuziazëm në fushatën me librat Mësuesi i Madh dhe Të rinjtë pyesin. Prezantimet e përdorura kanë bërë të mundur që të jepet një dëshmi e jashtëzakonshme. Një person i interesuar tha: «Kjo mënyra juaj për t’iu përgjigjur kritikave është pa dyshim më e zgjuara që mund të zgjidhnit. Ju përgëzoj.» Shumë komente të tjera si këto, tregojnë për reagimin pozitiv të njerëzve në territor.
Jeni për t’u përgëzuar për të gjitha përpjekjet e zellshme që bëni për të çuar përpara interesat e Mbretërisë. Edhe bujaria juaj për të mbështetur këtë vepër nga ana financiare çmohet shumë. (Prov. 3:9, 10) Jehovai vazhdoftë t’i bekojë përpjekjet tona të përbashkëta ‘për të shërbyer për lëvdimin e lavdisë së tij’!—Efes. 1:12.
Vëllezërit tuaj,
Zyra e Degës në Shqipëri