Të tregojmë interes personal: Duke qenë vëzhgues të mirë
1 Perëndia Jehova dhe Krishti Jezu shquhen si persona që i kuptojnë nevojat specifike të njerëzve dhe që japin ndihmën e duhur. (2 Kron. 16:9; Mar. 6:34) Edhe ne, kur kuptojmë se çfarë u intereson ose i shqetëson ata që takojmë në shërbim, mund ta përshtatim prezantimin e lajmit të mirë në përputhje me to.
2 Të vëmendshëm ndaj hollësive: Jezui ishte vëzhgues i mirë. (Mar. 12:41-43; Luka 19:1-6) Edhe ne, kur i afrohemi derës së një shtëpie dhe vërejmë zbukurimet fetare, sloganet nëpër makina ose lodrat në oborr, mund të krijojmë raste për të dhënë dëshmi të efektshme për lajmin e mirë.
3 Shprehjet e fytyrës dhe sjellja e një individi mund të tregojnë diçka për ndjenjat e tij. (Prov. 15:13) Ndoshta humbja e një njeriu të afërt ose ndonjë rrethanë tjetër shqetësuese, e ka bërë të ketë nevojë për ngushëllim. Mbase mund t’i pëlqejë t’i lexojmë disa shkrime të përshtatshme. (Prov. 16:24) A është duke dalë i zoti i shtëpisë? A po mban në krahë një foshnjë që qan? Nëse po, do të ishte më mirë të shkonim një herë tjetër. Në qoftë se jemi të vëmendshëm dhe ‘tregojmë ndjenja të përbashkëta’, ai individ mund të nxitet të na dëgjojë kur të vemë prapë.—1 Pjet. 3:8.
4 T’i përshtatim komentet: Apostulli Pavël vërejti se në qytetin e Athinës ishte një altar kushtuar «Një Perëndie të Panjohur». Kjo ndikoi në mënyrën se si e paraqiti lajmin e mirë, sepse ai tha: «Unë po ju shpall atë, që ju e adhuroni pa e njohur». Ky koment me takt i Pavlit i nxiti disa të pranishëm t’i kushtonin vëmendje mesazhit të Mbretërisë dhe të bëheshin besimtarë.—Vep. 17:23, 34.
5 Po kështu edhe ne, nëse jemi vëzhgues të mirë, mund të dallojmë çfarë i intereson një individi dhe ta përshtatim prezantimin tonë. Të bëjmë pyetje që e nxitin të shprehet të zotin e shtëpisë. Të mendojmë për shkrime që mund të përdoren për t’i rritur interesin atij. (Prov. 20:5) Nëse jemi vëzhgues të mirë dhe interesohemi sinqerisht për të tjerët, kjo do të na ndihmojë të jemi të zotë në predikimin e lajmit të mirë.