T’i ndihmojmë studentët biblikë të bëhen lajmëtarë të lajmit të mirë
1 Detyra që u dha Jezui dishepujve të vet, siç e lexojmë te Mateu 28:19, 20, kishte vërtet shtrirje të gjerë. Krishti i udhëzoi dishepujt e tij të bënin dishepuj të tjerë, që më pas do të vazhdonin veprën e bërjes së dishepujve. Kështu do të hidhej themeli për shpalljen përfundimtare të lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë në mbarë botën gjatë kohës së fundit, një periudhë domethënëse në të cilën ndodhemi tani.—Mat. 24:14.
2 Si studentë biblikë mund të kemi fëmijët tanë ose njerëz të tjerë që duan të studiojnë me ne. Dëshirojmë me gjithë zemër t’i ndihmojmë që të pranojnë përgjegjësinë e tyre për të ndihmuar të tjerë të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit.—Luka 6:40.
3 T’i përgatitim që të japin dëshmi: Duhet t’i nxitim studentët tanë që të flasin me të tjerët për çka po mësojnë. T’u tregojmë përvoja inkurajuese nga shërbimi. T’i stërvitim që në moshë të njomë fëmijët që të marrin pjesë në mënyrë domethënëse në shërbim, në varësi të aftësive të tyre. (Psal. 148:12, 13) Ta tregojmë me fjalë e me shembullin tonë, vlerësimin që kemi për shërbimin.—1 Tim. 1:12.
4 Jehovai përdor vetëm ata që pranojnë normat e tij të drejta e që jetojnë sipas tyre. Natyrisht, lajmëtarët e rinj nuk dinë aq sa lajmëtarët e kushtuar, të pagëzuar e me përvojë, por gjithsesi duhet të besojnë e të jenë në gjendje të shpjegojnë të paktën mësimet themelore të Biblës. (Shih librin Të organizuar, f. 79-82.) Pasi janë ndarë plotësisht nga «Babilonia e Madhe» dhe nuk merren më fare me politikë, duhet t’i ndjekin rregullisht mbledhjet e kongregacionit.—Zbul. 18:2, 4; Gjoni 17:16; Hebr. 10:24, 25.
5 Sapo të bindemi se studenti ynë biblik kualifikohet si lajmëtar i papagëzuar, duhet t’ia përmendim këtë mbikëqyrësit drejtues. Ai do të marrë masa që dy pleq të takohen me ne dhe me studentin biblik për të përcaktuar nëse kualifikohet të dalë bashkë me kongregacionin si lajmëtar i papagëzuar i lajmit të mirë. Më pas, do të kemi privilegjin ta stërvitim më tej studentin teksa dalim bashkë në shërbim.