Kutia e pyetjes
◼ A është e përshtatshme që një Dëshmitar i Jehovait të kërkojë shërbimin e një spitali ose azili që drejtohet nga një organizatë fetare?
Organizata të ndryshme fetare drejtojnë spitale ose azile që kujdesen për të moshuar ose për të sëmurë kronikë. Në përgjithësi, këto qendra nuk ngrihen për të përkrahur drejtpërdrejt Babiloninë e Madhe. (Zbul. 18:2, 4) Si fillim mund të jenë ngritur nga ndonjë organizatë fetare si burim të ardhurash. Por sot, disa spitaleve mund t’u ketë mbetur vetëm emri fetar, ndërsa te disa të tjera stafi i punonjësve përbëhet pjesërisht nga ata që janë pjesëtarë të klerit.
Nëse një Dëshmitar i Jehovait ka nevojë për shërbimin e një spitali ose një azili, ai duhet të vendosë vetë nëse do të shkojë apo jo te një qendër që ndoshta ka lidhje me një organizatë fetare. Dikujt mund t’ia lejojë ndërgjegjja, dikujt jo. (1 Tim. 1:5) Ka disa rrethana që mund të ndikojnë në një vendim të tillë, dhe është mirë të merren parasysh.
Për shembull, në atë zonë mund të mos ketë tjetër përveç spitalit ose azilit me emër fetar. Ose edhe në rast se ka ndonjë qendër tjetër afër, ajo që drejtohet nga një organizatë fetare mund të ketë emër më të mirë për shërbimin cilësor. Spitali me emër fetar mund të jetë i vetmi që ka aparaturat e duhura për një sëmundje të caktuar, ose vetëm në atë spital punon mjeku ose kirurgu juaj. Gjithashtu, ndonjëherë spitalet që kanë lidhje me fenë, janë ato që respektojnë pikëpamjen tuaj të krishterë për gjakun, ndërkohë që disa spitale private ose shtetërore mund të mos e marrin parasysh. Pra, këto janë disa faktorë që mund t’ju duhet të merrni parasysh kur vendosni se në cilën qendër spitalore të drejtoheni.
Në qoftë se vendosni të përdorni një spital ose azil me lidhje fetare, mund ta konsideroni sikur thjesht po paguani për shërbimin që ju bëhet. Mund ta shihni sikur organizata fetare drejton një biznes të caktuar, dhe duke e paguar atë për një shërbim, nuk do të kontribuonit drejtpërdrejt për të përkrahur një fe të rreme. Thjesht do të paguanit për një prodhim ose një shërbim të caktuar.
Sigurisht, si të krishterë, në rrethana të tilla duhet të kini kujdes që të mos përfshiheni në asnjë mënyrë në akte të adhurimit të rremë. Gjithashtu, kujdes duhet treguar që atyre që punojnë ose vizitojnë këto qendra të mos u vishni tituj të tillë fetarë, si «Atë» ose «Motër». (Mat. 23:9) Do t’ju duhet të tregoni kujdes që çështja të mbetet vetëm në nivelin e një marrëdhënieje biznesi ku ju bëhet një shërbim dhe kaq.
Kur shtroheni në spital mund të tregoni se jeni një Dëshmitar i Jehovait dhe se do të dëshironit t’ju vizitonin pleqtë e kongregacionit. Kjo do t’ju siguronte mbështetjen e duhur frymore gjatë qëndrimit në spital.—1 Sel. 5:14.
Pjesëtarët Dëshmitarë të familjes, pleqtë dhe të tjerët në kongregacion duhet të kujdesen me përgjegjësi për nevojat frymore të çdo vëllai e motre të moshuar që jeton në azil, sidomos kur qendra drejtohet nga një organizatë fetare. Zelli juaj në këtë drejtim do të ishte vërtet inkurajues për këta vëllezër dhe nuk do të lejonte që të përfshihen pa dashje në shërbesa, festime ose veprimtari të tilla fetare që mund të organizohen në këto qendra.
Duke pasur këto parasysh, secilit do t’i duhet të mendojë mirë për rrethanat dhe pastaj të vendosë vetë se cilit spital ose azil do t’i drejtohet.—Gal. 6:5.