Si do të dëgjojnë?
1. Pse predikimi mund të jetë i vështirë dhe pse këmbëngulim?
1 Meqë dita e Jehovait po afron me të shpejtë, është urgjente të ndihmojmë njerëzit e shumtë që ende nuk kanë marrë njohurinë e saktë për Perëndinë dhe për qëllimet e tij për njerëzimin. (Gjoni 17:3; 2 Pjet. 3:9, 10) Kjo mund të jetë e vështirë ndonjëherë, pasi shumë janë indiferentë ose mund të na tallin ngaqë predikojmë. (2 Pjet. 3:3, 4) Megjithatë, kemi çdo arsye për të besuar se në territorin tonë ka ende nga ata që do ta pranojnë lajmin e mirë kur ta dëgjojnë. Por si do të dëgjojnë nëse askush nuk u predikon?—Rom. 10:14, 15.
2. Si marrim zemër nga shembulli i apostullit Pavël?
2 Të përballojmë kundërshtimin: Për hir të atyre që janë të gatshëm të dëgjojnë mesazhin për Mbretërinë, nuk duhet të sprapsemi. Filipia ishte qyteti i parë në Evropë ku apostulli Pavël predikoi lajmin e mirë. Pasi ngritën akuza të rreme kundër Pavlit dhe Silës, i rrahën me thupër dhe i futën në burg. (Vep. 16:16-24) Por, Pavli nuk u frikësua dhe nuk u spraps nga kjo përvojë e dhimbshme. Kur shkoi në Selanik, qyteti i dytë në udhëtimin e tij misionar, ‘mori guxim nga Perëndia’. (1 Sel. 2:2) A nuk na jep shembulli i Pavlit arsye që «të mos dorëzohemi»?—Gal. 6:9.
3. Pse disa mund të ndryshojnë mendim për mesazhin tonë megjithëse më parë nuk ishin të interesuar?
3 Shumë veta që për vite nuk kanë pranuar të na dëgjojnë, kanë ndryshuar mendim për mesazhin tonë. Ky ndryshim mund të vijë nga problemet ekonomike, sëmundjet, ndonjë vdekje në familje ose lajmet shqetësuese nga skena botërore. (1 Kor. 7:31) Disa që kanë pasur kundërshtime nga prindërit, tani janë rritur dhe janë të gatshëm të na dëgjojnë. Predikimi ynë i vazhdueshëm u krijon mundësinë këtyre njerëzve ‘të thërrasin emrin e Jehovait’ para se të jetë tepër vonë.—Rom. 10:13.
4. Çfarë na motivon të vazhdojmë «pareshtur» në shërbim?
4 «Pareshtur»: Dashuria jonë për Perëndinë dhe për të afërmin do të na nxitë të vazhdojmë «pareshtur» në veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve, pikërisht siç vepruan edhe apostujt në shekullin e parë. (Vep. 5:42) Mjaft njerëz «psherëtijnë e rënkojnë për tërë ato gjëra të pështira» që po bëhen sot. (Ezek. 9:4) Çfarë shprese dhe lehtësimi marrin këta kur dëgjojnë lajmin e mirë! Edhe kur shumica e njerëzve nuk duan të dëgjojnë, Shkrimet na sigurojnë që Jehovai kënaqet nga përpjekjet tona.—Hebr. 13:15, 16.