Përse kthehemi herë pas here?
1. Çfarë pyetjeje lind në lidhje me veprën e predikimit?
1 Në shumë vende, ne arrijmë ta predikojmë një territor mjaft shpesh. Vazhdojmë të kthehemi në të njëjtën shtëpi herë pas here, edhe pse i zoti i shtëpisë mund të na ketë thënë që s’është i interesuar. Përse vazhdojmë t’i vizitojmë ata që në të shkuarën nuk e kanë pritur mirë lajmin e mirë?
2. Cila është arsyeja kryesore pse këmbëngulim në shërbim?
2 Dashuria për Jehovain dhe për njerëzit: Arsyeja kryesore pse këmbëngulim në shërbim është sepse e duam Jehovain. Zemra na nxit të vazhdojmë t’u flasim njerëzve për Perëndinë tonë të madh. (Luka 6:45) Dashuria për Jehovain na shtyn t’u bindemi urdhërimeve të tij dhe t’i ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. (Prov. 27:11; 1 Gjoni 5:3) Qëndrueshmëria dhe besnikëria jonë në këtë vepër nuk varet nga reagimi i njerëzve. Të krishterët e shekullit të parë vazhdonin të predikonin «pareshtur», edhe kur i përndiqnin. (Vep. 5:42) Kur njerëzit nuk duan të na dëgjojnë, nuk lejojmë që kjo të na shkurajojë, por qëndrojmë të palëkundur duke treguar kështu thellësinë e dashurisë dhe të përkushtimit tonë ndaj Jehovait.
3. Si na ndihmon dashuria për njerëzit të vazhdojmë të predikojmë?
3 Arsyeja tjetër është se e duam të afërmin tonë. (Luka 10:27) Jehovai do që të mos shkatërrohet asnjë. (2 Pjet. 3:9) Edhe në territore që janë punuar shpesh, gjejmë akoma nga ata që duan t’i shërbejnë Jehovait. Për shembull, në Guadelupë, ku 1 në çdo 56 banorë është Dëshmitar i Jehovait, vitin e kaluar u pagëzuan 214 veta. Ndërsa në Përkujtim ishin të pranishëm pothuajse 20.000 veta, gati 1 në çdo 22 banorë.
4. Si mund të ndryshojnë territoret?
4 Ndryshimet në territor: Banorët në territor ndryshojnë vazhdimisht. Herën tjetër që kalojmë aty ku më parë nuk kanë treguar interes, një pjesëtar tjetër i familjes—ndoshta dikush që nuk ka dëgjuar kurrë për lajmin e mirë—mund ta hapë derën dhe të dëgjojë. Ose mund të gjejmë në atë shtëpi banorë të rinj që janë të interesuar për të vërtetën. Fëmijë me prindër kundërshtarë rriten dhe largohen nga shtëpia. Këta mund të kenë dëshirë ta dëgjojnë mesazhin për Mbretërinë.
5. Çfarë mund t’i bëjë njerëzit më të prirur për të dëgjuar lajmin e mirë?
5 Edhe njerëzit ndryshojnë. Apostulli Pavël në fillim ishte «blasfemues, përndjekës dhe i pacipë». (1 Tim. 1:13) Po kështu, shumë nga ata që sot i shërbejnë Jehovait, dikur nuk kanë qenë të interesuar për të vërtetën. Disa mund të kenë qenë edhe kundërshtarë të së vërtetës. Ndërsa kushtet në botë ndryshojnë, disa kundërshtarë ose ata që kanë qenë indiferentë, mund të duan të na dëgjojnë. Disa të tjerë mund të reagojnë më mirë kur u ka ndodhur një tragjedi, si për shembull një vdekje në familje, kur humbasin punën, kur kanë probleme financiare ose probleme me shëndetin.
6. Pse duhet të vazhdojmë të predikojmë me entuziazëm?
6 Ky sistem ka marrë të tatëpjetën, por vepra jonë e predikimit dhe e mësimdhënies po përshpejtohet. (Isa. 60:22) Prandaj, vazhdojmë të predikojmë me entuziazëm dhe bëjmë çmos të mbajmë një qëndrim pozitiv. Ndoshta personi tjetër me të cilin do të flasim, do të na dëgjojë. Duhet të vazhdojmë të flasim! ‘Duke e bërë këtë, do të shpëtojmë veten dhe ata që na dëgjojnë.’—1 Tim. 4:16.