Mos ngurro—Kur ndihesh i paaftë
1. Pse disa ngurrojnë të ofrojnë studim biblik?
1 A ngurron të ofrosh studim biblik ngaqë nuk ndihesh i aftë ta drejtosh si duhet? Ndonjëherë, shërbëtorë besnikë në të kaluarën, si Moisiu dhe Jeremia, nuk ndiheshin të aftë për caktimet e tyre. (Dal. 3:10, 11; 4:10; Jer. 1:4-6) Prandaj nuk je i vetmi që ndihesh kështu. Po si t’ia bësh?
2. Pse nuk duhet të mjaftohemi vetëm me predikimin shtëpi më shtëpi dhe t’ua lëmë të tjerëve studimet biblike?
2 Nuk duhet të harrojmë se Jehovai nuk na kërkon asgjë përtej aftësive tona. (Psal. 103:14) Ja pse mund ta përmbushim caktimin tonë ‘për të bërë dishepuj’ dhe ‘për t’i mësuar’. (Mat. 28:19, 20) Ky nuk është një privilegj që Jehovai ua ka dhënë vetëm atyre që kanë përvojë ose që janë më të talentuar. (1 Kor. 1:26, 27) Prandaj nuk duhet të mjaftohemi vetëm me predikimin shtëpi më shtëpi dhe t’ua lëmë të tjerëve studimet biblike.
3. Si na ka kualifikuar Jehovai për të drejtuar studime biblike?
3 Na kualifikon Jehovai: Kualifikimi ynë për të bërë dishepuj vjen nga Jehovai. (2 Kor. 3:5) Nëpërmjet organizatës së tij na ka mësuar të vërtetat biblike që as më të shkolluarit në botë nuk i dinë. (1 Kor. 2:7, 8) Ai ka dokumentuar për ne metodat e mësimdhënies të Mësuesit të Madh, Jezuit, dhe na stërvit vazhdimisht nëpërmjet kongregacionit. Për më tepër, Jehovai nuk na ka lënë që ta gjejmë vetë materialin për studimin e Biblës. Na ka siguruar mjete që e paraqesin të vërtetën në mënyrë logjike dhe të lehtë për t’u kuptuar, si libri Çfarë mëson vërtet Bibla? Drejtimi i një studimi biblik mund të jetë më i lehtë se ç’mendojmë.
4. Pse mund të kemi besim se Jehovai do të na ndihmojë?
4 Moisiu dhe Jeremia arritën t’i përmbushnin caktimet e tyre me ndihmën e Jehovait. (Dal. 4:11, 12; Jer. 1:7, 8) Edhe ne mund të kërkojmë ndihmën e Jehovait. Në fund të fundit, kur drejtojmë studime biblike, u mësojmë të tjerëve të vërtetën për Jehovain, dhe kjo është e pëlqyeshme në sytë e tij. (1 Gjon. 3:22) Prandaj vër synim të drejtosh studime biblike, sepse ky është një aspekt i këndshëm dhe shpërblyes i shërbimit.