Si t’ua prekim zemrën atyre që mësojmë
1. Çfarë efekti pati mësimdhënia e Jezuit në zemrën e dëgjuesve të tij?
1 Jezu Krishti u preku zemrën dëgjuesve të tij. Të paktën në një rast, zemrat e dishepujve të tij po ‘digjeshin’ pasi u shpjegoi me qartësi Shkrimet. (Luka 24:32) Meqë bindja ndaj Perëndisë duhet të burojë nga zemra, si t’ua prekim ndjenjat atyre që mësojmë, që të nxiten të bëjnë ndryshime në jetë?—Rom. 6:17.
2. Si ndihmon takti dhe aftësia dalluese që t’i prekim zemrën dikujt?
2 Përdor takt dhe aftësi dalluese: Shumë njerëz nuk nxiten të veprojnë nëse u themi vetëm ç’është e drejtë apo e gabuar. Në të vërtetë, kur kritikojmë bindjet e tyre fetare me një lumë shkrimesh, kjo mund t’i sprapsë edhe më shumë. Që të motivojmë dikë, së pari duhet të dallojmë pse beson dhe pse sillet ashtu. Pyetjet me takt e të zgjedhura me kujdes për të kuptuar çfarë mendon, do ta inkurajojnë që të shprehë ndjenjat më të thella. (Prov. 20:5) Vetëm atëherë do të mund ta përdorim Fjalën e Perëndisë në atë mënyrë që prek zemrën. Prandaj duhet të bëjmë durim e të tregojmë interes personal. (Prov. 25:15) Mos harro që jo të gjithë bëjnë përparim frymor njësoj. Lër kohë që fryma e shenjtë e Jehovait të ndikojë te mendimet dhe veprimet e tyre.—Mar. 4:26-29.
3. Si mund t’i ndihmojmë ata që mësojmë, të kultivojnë cilësi të mira?
3 Ndihmoji të kultivojnë cilësi të mira: Pjesë nga Bibla që flasin për mirësinë dhe dashurinë e Jehovait, mund t’i ndihmojnë ata që mësojmë të kultivojnë cilësi të mira. Mund të përdorim shkrime të tilla si Psalmin 139:1-4 ose Lukën 12:6, 7 për të treguar se deri në ç’masë interesohet Perëndia për secilin prej nesh. Kur individët zhvillojnë mirënjohje nga zemra për dashamirësinë e pamerituar të Jehovait, përkushtimi hyjnor dhe dashuria e tyre do të rritet. (Rom. 5:6-8; 1 Gjon. 4:19) Për më tepër, kur mësojnë se sjellja e tyre ndikon te vetë Jehovai, mund të nxiten të veprojnë për ta kënaqur e nderuar atë.—Psal.78:40, 41; Prov. 23:15.
4. Si të tregojmë respekt në shërbim për lirinë e zgjedhjes që kanë njerëzit?
4 Jehovai nuk detyron asnjë t’u bindet urdhërimeve të tij. Në vend të kësaj, u bën thirrje njerëzve duke u treguar sa e mençur është të ndjekin këshillën e tij. (Isa. 48:17, 18) Imitojmë Jehovain, kur mësojmë në atë mënyrë që njerëzit t’i nxjerrin vetë përfundimet. Kur binden vetë se kanë nevojë të bëjnë ndryshime në jetë, rezultatet janë afatgjata. (Rom. 12:2) Kjo i afron edhe më shumë me ‘shqyrtuesin e zemrave’, Jehovain.—Prov. 17:3.