«Si t’i përdorim incizimet audio?»
1. Përveç botimeve të shtypura, ç’mjet tjetër të dobishëm kemi?
1 Shumë vetave u pëlqen të lexojnë te siti jw.org fjalët e këndshme dhe të sakta të së vërtetës. (Ekl. 12:10) Po ju, a i keni përdorur incizimet audio? Falë tyre mund të dëgjojmë shumë prej informacioneve që gjenden në sitin tonë. Si mund të nxjerrim dobi nga incizimet audio?
2. Si t’i përdorim incizimet audio për studimin personal ose familjar?
2 Për studimin personal ose familjar: Mund ta përdorim më mirë kohën kur udhëtojmë ose merremi me punët e përditshme, nëse dëgjojmë incizimet e Biblës, të revistave ose të ndonjë botimi tjetër. (Efes. 5:15, 16) E bëjmë më të larmishëm adhurimin familjar kur dëgjojmë ndonjë material të incizuar ndërkohë që e ndjekim me botimin e shtypur. Incizimet audio gjatë studimit personal do të na ndihmojnë shumë, nëse duam të përmirësojmë mënyrën si lexojmë ose nëse po mësojmë një gjuhë tjetër.
3. Kush mund të nxjerrë dobi nga incizimet audio në territorin tonë?
3 Për shërbimin: Njerëzit në territorin tonë, që mendojnë se nuk kanë fare kohë për të lexuar, mund ta kenë më të lehtë të dëgjojnë incizimet audio. Ose mund të takojmë njerëz që flasin një gjuhë tjetër, të cilët priren më shumë të reagojnë mirë kur e dëgjojnë lajmin për Mbretërinë në «gjuhën e vet». (Vep. 2:6-8) Në disa vende, dëgjimi është pjesë e rëndësishme e kulturës. Për shembull, në kulturën mong, njerëzit e kanë zakon t’ua kalojnë historinë brezave të rinj gojë pas goje dhe janë goxha të zotë t’i mbajnë mend gjërat që dëgjojnë. Në shumë vende të Afrikës, njerëzve u pëlqen të mësojnë me anë të historive.
4. Ç’pyetje mund t’i bëjmë vetes që t’i ndihmojmë njerëzit në territorin tonë?
4 A do të ishte e dobishme në territorin tuaj të vinit një incizim audio në gjuhën e të zotit të shtëpisë? A do të nxirrte dobi dikush nga një botim audio kur ia dërgojmë me email? A mund të shkarkojmë një botim audio në CD dhe t’ia japim një të interesuari, ndoshta bashkë me botimin e shtypur? Sa herë japim të plotë një libër, broshurë, revistë ose fletushkë në formatin elektronik, mund ta përfshijmë në raportin e shërbimit. Incizimet audio janë bërë që t’i përdorim për studimin personal dhe për të mbjellë farat e së vërtetës për Mbretërinë.—1 Kor. 3:6.