ARTIKULLI I STUDIMIT 28
KËNGA 123 Besnikë ndaj Jehovait dhe teokracisë
A e dallon qartë të vërtetën?
‘Qëndroni të patundur, me brezin e së vërtetës të ngjeshur në mes.’—EFES. 6:14.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Të stërvitemi që të dallojmë ndryshimin mes së vërtetës që na ka mësuar Jehovai dhe gënjeshtrave që përhapin Satanai dhe kundërshtarët tanë.
1. Si ndihesh për të vërtetën?
SI ADHURUES të Jehovait, e duam të vërtetën që përmban Fjala e tij. Ajo është themeli i besimit tonë. (Rom. 10:17) Jemi të sigurt se kongregacioni i krishterë që ka formuar Jehovai është «shtylla dhe mbështetja e së vërtetës». (1 Tim. 3:15) Ne u nënshtrohemi me kënaqësi «atyre që marrin drejtimin», të cilët na shpjegojnë të vërtetën nga Bibla e na japin drejtim në harmoni me vullnetin e Perëndisë.—Hebr. 13:17.
2. Sipas Jakovit 5:19, çfarë rreziku ekziston pasi marrim të vërtetën?
2 Megjithatë, edhe pasi e kemi pranuar të vërtetën dhe rolin që luan organizata e Perëndisë për të na dhënë udhëheqje të besueshme, ekziston rreziku të largohemi nga udha e së vërtetës. (Lexo Jakovin 5:19.) Asgjë s’do ta kënaqte më shumë Satanain sesa të na gërryente besimin te Bibla ose te drejtimi i organizatës së Perëndisë.—Efes. 4:14.
3. Pse duhet të ecim pa u lëkundur në të vërtetën? (Efesianëve 6:13, 14)
3 Lexo Efesianëve 6:13, 14. Së shpejti, Djalli do të përdorë propagandën e vet të fuqishme që të mashtrojë gjithë kombet dhe t’i nxitë t’i kundërvihen Jehovait. (Zbul. 16:13, 14) Gjithashtu mund të presim që Satanai t’i intensifikojë përpjekjet për të mashtruar popullin e Jehovait. (Zbul. 12:9) Ja pse është jetësore të stërvitemi që të dallojmë ndryshimin mes së vërtetës e gënjeshtrave, si edhe që t’i bindemi së vërtetës. (Rom. 6:17; 1 Pjet. 1:22) Nga kjo do të varet mbijetesa jonë në shtrëngimin e madh.
4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
4 Në këtë artikull do të ndalemi te dy cilësi që na nevojiten për të dalluar qartë të vërtetën e Biblës dhe për të pranuar drejtimin nga organizata e Perëndisë. Pastaj do të shqyrtojmë tri gjëra që duhet të bëjmë për të ecur të palëkundur në të vërtetën.
CILËSI TË NEVOJSHME PËR TË DALLUAR QARTË TË VËRTETËN
5. Si na ndihmon nderimi i thellë për Jehovain ta dallojmë qartë të vërtetën?
5 Nderimi i thellë për Jehovain. Të kemi nderim të thellë për Jehovain do të thotë ta duam aq shumë, sa të mos na shkojë kurrë mendja të bëjmë diçka që e lëndon. Jemi të etur të mësojmë dallimin mes së drejtës e së gabuarës dhe mes së vërtetës e gënjeshtrave, sepse dëshirojmë të fitojmë miratimin e Jehovait. (Prov. 2:3-6; Hebr. 5:14) Mirëpo shpesh ajo që kënaq njerëzit, i shkakton pakënaqësi Jehovait. Ndaj mos lejofshim kurrë që frika nga njeriu t’i zërë frymën dashurisë sonë për Jehovain!
6. Si i shtyu frika nga njeriu 10 prijës izraelitë që të shtrembëronin të vërtetën?
6 Nëse frika nga njeriu është më e fortë se nderimi i thellë për Perëndinë, ka rrezik të shmangemi nga udha e së vërtetës. Të mendojmë ç’ndodhi me 12 prijësit që u dërguan të vëzhgonin tokën që u kishte premtuar Jehovai izraelitëve. Te 10 nga vëzhguesit, frika nga kananitët ishte më e madhe se dashuria për Jehovain. Ata u thanë bashkatdhetarëve: «Ne nuk sulemi dot kundër atij populli, se ata janë më të fortë se ne.» (Num. 13:27-31) Nga pikëpamja njerëzore, kananitët ishin më të fuqishëm se izraelitët—kjo pjesë e raportit ishte e vërtetë. Ama, kur thanë se izraelitët nuk i mundnin dot armiqtë, ata nuk po mendonin fare për Jehovain. Meraku kryesor i 10 vëzhguesve duhej të ishte ajo që kërkonte Jehovai nga izraelitët. Gjithashtu duhej të kishin bluar në mendje se ç’kishte bërë për ta jo shumë kohë më parë. Kështu do të kishin kuptuar se forca e kananitëve ishte hiçgjë në krahasim me fuqinë e pakufishme të Jehovait. Ndryshe nga ata vëzhgues pa besim, Josiu dhe Kalebi dëshironin të kishin miratimin e Jehovait. Ata i thanë popullit: «Nëse Jehovai është i kënaqur me ne, patjetër do të na çojë atje e do të na e japë atë vend.»—Num. 14:6-9.
7. Si mund ta zhvillojmë më tej nderimin e thellë për Jehovain? (Shihni edhe figurën.)
7 Që ta zhvillojmë më shumë nderimin e thellë për Jehovain, meraku ynë kryesor duhet të jetë ta kënaqim me çdo vendim që marrim. (Psal. 16:8) Ndërsa lexon historitë e Biblës, pyet veten: «Po të gjendesha në atë situatë, çfarë vendimi do të merrja?» Për shembull, përfytyro sikur po dëgjon 10 prijësit izraelitë tek paraqesin raportin negativ. A do t’i besoje atij raporti dhe a do të të paralizonte frika nga njeriu? Apo do të lejoje të triumfonte dashuria për Jehovain dhe dëshira për ta kënaqur? Një brez i tërë izraelitësh nuk arritën ta dallonin se Josiu dhe Kalebi u thanë të vërtetën. Si pasojë, u iku nga duart mundësia për të hyrë në Tokën e Premtuar.—Num. 14:10, 22, 23.
Kujt do t’i besoje? (Shih paragrafin 7)
8. Cilën cilësi duhet të përpiqemi fort të kultivojmë, dhe pse?
8 Përulësia. Jehovai ua zbulon të vërtetën të përulurve. (Mat. 11:25) Me përulësi, ne pranuam që dikush të na ndihmonte të mësonim të vërtetën. (Vep. 8:30, 31) Gjithsesi duhet të tregohemi të kujdesshëm që të mos bëhemi krenarë. Po të jemi krenarë, mund të fillojmë t’i konsiderojmë opinionet tona po aq të mençura sa parimet nga Shkrimet dhe drejtimi që jep organizata e Jehovait.
9. Ç’duhet të bëjmë që të mbetemi të përulur?
9 Që të mbetemi të përulur, nuk duhet të harrojmë sa të vegjël jemi në krahasim me Jehovain. (Psal. 8:3, 4) Gjithashtu mund të lutemi që të jemi më të përulur dhe më të gatshëm të mësohemi prej tij. Jehovai do të na ndihmojë t’i vlerësojmë mendimet e tij—që na i zbulon nëpërmjet Biblës dhe organizatës—më tepër se mendimet tona. Gjatë leximit të Biblës, kërko hollësi që nxjerrin në pah se Jehovai e do përulësinë dhe i urren krenarinë, arrogancën dhe fodullëkun. Dhe bëj jashtë mase kujdes që të mbetesh i përulur kur merr një caktim nga i cili ke njëfarë autoriteti ose bie më shumë në sy.
SI TË KAPEMI FORT PAS SË VËRTETËS
10. Kë ka përdorur Jehovai për t’u dhënë udhëzime e drejtim adhuruesve të tij?
10 Vazhdo t’i besosh drejtimit të organizatës së Jehovait. Në Izraelin e lashtë, Jehovai përdori Moisiun, e pastaj Josiun, për t’i dhënë udhëzime popullit të Tij. (Jos. 1:16, 17) Izraelitët shijonin plot bekime kur i pranonin këta burra si përfaqësues të Perëndisë Jehova. Shekuj më vonë, kur u formua kongregacioni i krishterë, drejtimin e jepnin 12 apostujt. (Vep. 8:14, 15) Pastaj në këtë grup u përfshinë edhe pleq të tjerë në Jerusalem. E ndërsa ndiqnin drejtimin e atyre burrave besnikë, «besimi i kongregacioneve bëhej i patundur dhe ato rriteshin ditë për ditë». (Vep. 16:4, 5) Edhe ne sot korrim plot bekime kur ndjekim drejtimin teokratik nga organizata e Jehovait. Mirëpo, si do të ndihej Jehovai sikur të mos i pranonim ata që ka emëruar vetë ai? Për të marrë përgjigjen, le të ndalemi tek ajo që u ndodhi izraelitëve gjatë rrugës për në Tokën e Premtuar.
11. Çfarë ndodhi me izraelitët që sfiduan Moisiun, atë që kishte zgjedhur Perëndia të merrte drejtimin? (Shihni edhe figurën.)
11 Ndërsa izraelitët udhëtonin për në Tokën e Premtuar, disa burra me përgjegjësi sfiduan Moisiun dhe rolin që i kishte caktuar Jehovai. Ata thanë: «Të gjithë janë të shenjtë, po, tërë asambleja [jo vetëm Moisiu], dhe Jehovai është mes tyre.» (Num. 16:1-3) Vërtet, në sytë e Perëndisë «tërë asambleja» ishte e shenjtë, ama Jehovai kishte zgjedhur Moisiun të merrte drejtimin mes popullit të Tij. (Num. 16:28) Kritikat kundër Moisiut në realitet ishin kritika kundër Jehovait. Gjëja më e rëndësishme për ata rebelë nuk ishte ajo që donte Jehovai, por ajo që donin vetë—më tepër pushtet e famë. Perëndia i ekzekutoi udhëheqësit e atij rebelimi, si edhe mijëra të tjerë që morën anën e tyre. (Num. 16:30-35, 41, 49) Edhe sot mund të jemi të sigurt se ata që tregojnë mungesë respekti ndaj drejtimit të organizatës së Jehovait, nuk kanë miratimin e tij.
Anën e kujt do të mbaje? (Shih paragrafin 11)
12. Pse kemi arsye t’i besojmë plotësisht organizatës së Jehovait?
12 Kemi arsye t’i besojmë plotësisht organizatës së Jehovait. Kur bëhet e qartë se duhet përditësuar mënyra si e kuptojmë një të vërtetë nga Bibla ose si organizohet vepra e Mbretërisë, Trupi Udhëheqës nuk ngurron të bëjë ndryshimet e nevojshme. (Prov. 4:18) Veprojnë kështu sepse, mbi gjithçka, duan t’i kënaqin zemrën Jehovait. Gjithashtu, ata përpiqen fort që t’i bazojnë vendimet e tyre në Fjalën e Perëndisë, e cila është standardi për të gjithë shërbëtorët e Jehovait.
13. Çfarë është ‘modeli i fjalëve të dobishme’, dhe çfarë duhet të bëjmë ne?
13 «Vazhdo t’i përmbahesh modelit të fjalëve të dobishme.» (2 Tim. 1:13) ‘Modeli i fjalëve të dobishme’ janë mësimet e krishtere që gjejmë në Bibël. (Gjoni 17:17) Këto mësime përbëjnë bazën e gjithçkaje që besojmë. Organizata e Jehovait na ka mësuar të kapemi fort pas këtij modeli. E për sa kohë ta bëjmë këtë, Jehovai do të na bekojë patjetër.
14. Pse disa të krishterë devijuan nga ‘modeli i fjalëve të dobishme’?
14 Çfarë mund të ndodhë po të devijojmë nga ‘modeli i fjalëve të dobishme’? Të mendojmë për këtë shembull: në shekullin e parë, mes disa të krishterëve po qarkullonin zëra se dita e Jehovait kishte ardhur. Me sa duket, diçka e tillë thuhej në një letër që gjoja e kishte shkruar apostulli Pavël. Disa të krishterë në Selanik nuk u ndalën të siguroheshin për faktet, ndaj u besuan thashethemeve e madje i përhapën më tej. Ama, po të kishin kujtuar gjërat që u kishte mësuar Pavli kur ishte ende me ta, nuk do të ishin mashtruar. (2 Sel. 2:1-5) Pavli i këshilloi vëllezërit të mos besonin gjithçka që dëgjonin. Dhe, si një ndihmë për të ardhmen, ai e mbylli letrën e dytë që u shkroi selanikasve me fjalët: «Ja përshëndetja ime, e Pavlit, që e shkrova me dorën time, që është shenjë për çdo letër, pasi kështu shkruaj unë.»—2 Sel. 3:17.
15. Si të mbrohemi nga gënjeshtrat që duken si të vërteta? Jepni një shembull. (Shihni edhe figurat.)
15 Ç’mund të mësojmë nga fjalët që u shkroi Pavli selanikasve? Kur dëgjojmë diçka që s’është në harmoni me atë që kemi mësuar nga Bibla ose kur na bie në vesh një histori sensacionale, duhet të përdorim aftësi dalluese. Në ish-Bashkimin Sovjetik, armiqtë tanë u dhanë vëllezërve një letër që thuhej se vinte nga selia botërore. Letra i nxiste disa nga vëllezërit që të krijonin një organizatë më vete, të pavarur. Në pamje të parë letra dukej e besueshme, por vëllezërit besnikë nuk u mashtruan. Përkundrazi, e kuptuan se mesazhi i letrës binte ndesh me gjërat që kishin mësuar. Sot armiqtë e së vërtetës përdorin ndonjëherë teknologjinë moderne që të na ngatërrojnë e të na përçajnë. Në vend që ‘ta humbim shpejt gjykimin’, mund të mbrohemi duke analizuar me kujdes nëse ato që dëgjojmë a lexojmë janë në përputhje me të vërtetat që kemi mësuar.—2 Sel. 2:2; 1 Gjon. 4:1.
Mos u mashtro nga gënjeshtrat që duken si të vërteta (Shih paragrafin 15)a
16. Sipas Romakëve 16:17, 18, çfarë duhet të bëjmë nëse disa devijojnë nga e vërteta?
16 Qëndro në unitet me ata që janë besnikë ndaj Jehovait. Perëndia dëshiron ta adhurojmë në unitet. Do ta ruajmë unitetin për sa kohë të kapemi fort pas së vërtetës. Kushdo që përhap informacione që devijojnë nga e vërteta, krijon përçarje në kongregacion, ndaj Perëndia na paralajmëron ‘t’i rrimë larg’. Në të kundërt, rrezikojmë që edhe ne të largohemi nga udha e së vërtetës.—Lexo Romakëve 16:17, 18.
17. Cilat dobi vijnë kur e dallojmë qartë të vërtetën dhe ecim pa u lëkundur në të?
17 Kur e dallojmë qartë të vërtetën dhe ecim pa u lëkundur në të, qëndrojmë të lidhur ngushtë me Jehovain dhe e mbajmë të fortë besimin. (Efes. 4:15, 16) Nuk do të mashtrohemi nga mësimet e rreme dhe nga propaganda e Satanait, si edhe do të jemi të mbrojtur nën kujdesin e Jehovait gjatë shtrëngimit të madh. Ndaj qëndro i patundur në të vërtetën dhe ‘Perëndia i paqes do të jetë me ty’.—Filip. 4:8, 9.
KËNGA 122 Asgjë s’më lëkund!
a PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një inskenim i një rasti dekada më parë, kur vëllezërit në ish-Bashkimin Sovjetik morën një letër që dukej sikur vinte nga selia botërore, por që në të vërtetë e kishin shkruar armiqtë tanë. Sot armiqtë mund të përdorin internetin për të përhapur informacione mashtruese për organizatën e Jehovait.