BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w24 tetor f. 2-5
  • 1924—Njëqind vjet më parë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • 1924—Njëqind vjet më parë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PREDIKIM I GUXIMSHËM ME ANË TË RADIOS
  • PADI E GUXIMSHME KUNDËR KLERIT
  • MODEL GUXIMI NË PREDIKIM
  • SYTË TEK E ARDHMJA
  • 1925—Njëqind vjet më parë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • 1922—Njëqind vjet më parë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për studim)
  • Duke shërbyer me organizatën më përparimtare
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • 1919—Njëqind vjet më parë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2019
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
w24 tetor f. 2-5

1924—Njëqind vjet më parë

«FILLIMI i vitit është moment i mirë që çdo fëmijë i shenjtëruar i Zotërisë . . . të gjejë mënyra për të zgjeruar shërbimin.» Kështu thoshte Buletinia i janarit 1924. Gjatë atij viti, Studentët e Biblës e zbatuan këtë këshillë në dy mënyra: ndërmorën iniciativa të reja të guximshme dhe predikuan pa frikë.

PREDIKIM I GUXIMSHËM ME ANË TË RADIOS

Vëllezërit në Bethel punuan për më shumë se një vit që të hapnin stacionin e radios WBBR në Stejtën-Ajlënd, në qytetin e Nju-Jorkut. Pasi prenë pemët përreth, ndërtuan një shtëpi të madhe për punëtorët dhe një ndërtesë më vete për pajisjet. Pas kësaj, vëllezërit nisën të montonin pajisjet e nevojshme që të nisnin transmetimin. Por kishin ca probleme që duhej t’i zgjidhnin.

Nuk ishte aq e lehtë të ngrinin antenën kryesore të stacionit. Antena prej 91 metrash duhej vënë horizontalisht mes dy shtyllave druri 61 metra të larta. Tentativa e parë dështoi. Me besim te ndihma e Jehovait, vëllezërit më në fund ia dolën. Kalvin Praseri, që punoi në atë projekt, tha: «Po t’ia kishim dalë me të parën, do t’ia bënim qejfin vetes e do të thoshim ‘shiko se ç’bëmë’!» Vëllezërit ia dhanë meritën Jehovait. Mirëpo problemet s’kishin mbaruar.

Ngritja e një prej shtyllave të antenës së WBBR-së

Radioja ishte në fillimet e saj dhe nuk ishte e lehtë të gjeje pajisje në treg. Prandaj vëllezërit gjetën aty pranë një transmetues të përdorur 500-vatësh që dikush e kishte bërë vetë. Në vend që të blinin mikrofon, përdorën një mikrofon që ia hoqën një telefoni të zakonshëm. Një natë shkurti, vendosën të bënin një provë me këtë pajisje të improvizuar. U duhej një program për transmetimin, ndaj vëllezërit kënduan këngët e Mbretërisë. Ernest Lou kujtonte buzagaz se, teksa vëllezërit po këndonin, i mori në telefon gjykatësi Radhërford,b që e dëgjoi në radio këngën e tyre nga Bruklini, rreth 25 kilometra larg.

«Fikeni atë potere,—tha vëlla Radhërfordi.—Po çirreni si mace!» Pak të sikletosur, vëllezërit e fikën në çast transmetuesin, por të paktën u siguruan se ishin gati për transmetimin e tyre të parë.

Më 24 shkurt 1924, gjatë transmetimit të parë zyrtar, vëlla Radhërfordi ia kushtoi stacionin radiofonik «veprës së Mbretërisë mesianike». Ai tha se qëllimi i stacionit ishte ‘t’u jepte mundësi njerëzve, pa dallim besimi a përkatësie fetare, të kuptonin nën dritën e Biblës domethënien e kohëve në të cilat po jetojmë’.

Majtas: Vëlla Radhërfordi në studion e parë

Djathtas: Transmetuesi dhe pajisjet e transmetimit

Transmetimi i parë ishte tejet i suksesshëm. WBBR-ja transmetoi për 33 vjet programe radiofonike për popullin e Jehovait.

PADI E GUXIMSHME KUNDËR KLERIT

Në korrik të vitit 1924, Studentët e Biblës u mblodhën për një kongres në Kolumbus, Ohajo. Erdhën delegatë nga e gjithë bota dhe i dëgjuan fjalimet në anglisht, arabisht, frëngjisht, greqisht, gjermanisht, hungarisht, italisht, lituanisht, polonisht, rusisht, në gjuhën ukrainase dhe në gjuhët e vendeve skandinave. Disa pjesë të programit u transmetuan në radio, dhe vëllezërit i kërkuan një gazete lokale të shkruante artikuj për programin e çdo dite të kongresit.

Kongresi në Kolumbus, Ohajo, në vitin 1924

Të enjten, më 24 korrik, mbi 5.000 pjesëmarrës të kongresit predikuan në qytetin ku bëhej kongresi. Shpërndanë thuajse 30.000 libra dhe filluan mijëra studime të Biblës. Në Kullën e Rojës ajo ditë u quajt «pjesa më e gëzueshme e kongresit».

Një tjetër pikë kulmore e kongresit ishte të premten, më 25 korrik, kur vëlla Radhërfordi lexoi një padi, një shpallje të guximshme kundër klerit. Me stilin e një dokumenti ligjor, padia akuzonte liderët politikë, fetarë dhe tregtarë se ‘po i mbanin popujt në errësirë në lidhje me masat që ka marrë Perëndia për të bekuar njerëzimin’. Veç kësaj, padia thoshte: «Ata përkrahin Lidhjen e Kombeve dhe deklarojnë se ajo është ‘përfaqësuesja politike e mbretërisë së Perëndisë në tokë.’» Studentëve të Biblës do t’u duhej shumë guxim që t’ua predikonin këtë mesazh njerëzve.

Kulla e Rojës e përmblodhi kështu efektin e kongresit: «Kjo ushtri e vogël e Zotërisë që u mblodh në kongresin e Kolumbusit, u largua me besim më të fortë . . . . Ajo nuk mund të mposhtet nga asnjë fuqi a shigjetë e zjarrtë me të cilat mund t’i qëllojë armiku.» Leo Klausi, që ndoqi atë kongres, tregonte: «Kur u larguam nga kongresi, mezi pritnim ta shpërndanim atë padi në territorin tonë.»

Fletushka Akuzohen klerikët

Në tetor, Studentët e Biblës nisën të shpërndanin miliona kopje të fletushkës Akuzohen klerikët. Ajo përmbante mesazhin kundër klerit që kishte lexuar vëlla Radhërfordi. Në një qytezë të Klivlendit, Oklahomë, Frenk Xhonsoni e mbaroi shpërndarjen e fletushkave në territorin e tij më herët, ndaj duhej të priste 20 minuta që ta merrnin lajmëtarët e tjerë. Ama s’mund të priste në rrugë, ngaqë disa njerëz të zemëruar nga predikimi i tij po e kërkonin. Vëlla Xhonsoni vendosi të fshihej në një kishë aty pranë. Në kishë nuk kishte njerëz, prandaj ai la te Bibla e pastorit dhe te çdo karrige kopje të fletushkës Akuzohen klerikët. Pastaj doli fishek që aty. Meqë kishte ende pak kohë, shkoi edhe në dy kisha të tjera dhe bëri të njëjtën gjë.

Frenku nxitoi të kthehej te vendi i takimit. U fsheh pas një pike karburanti dhe kontrollonte mos vinin burrat që po e kërkonin. Ata kaluan aty me makinë, por nuk e panë. Sapo ikën burrat, erdhën vëllezërit e motrat e grupit që kishin predikuar aty pranë, e morën me makinë dhe u larguan të gjithë bashkë.

Një prej vëllezërve kujtonte: «Kur po iknim nga qyteti, kaluam para atyre tri kishave. Në hyrje të secilës ishin mbledhur nja 50 veta. Disa lexonin fletushkën, të tjerë po ia tregonin pastorit. Kishim shpëtuar për një fije! Falënderuam Jehovain, Perëndinë tonë, që na mbrojti dhe që na dha zgjuarsinë t’ua hidhnim atyre armiqve të Mbretërisë.»

MODEL GUXIMI NË PREDIKIM

Josef Kreti

Studentët e Biblës në shtete të tjera ndoqën të njëjtin model guximi në predikim. Në veri të Francës, Josef Kreti u predikoi minatorëve imigrantë nga Polonia. Ishte programuar që ai të mbante një fjalim me temën «Së shpejti, të vdekurit do të ringjallen». Gjatë kohës që po shpërndaheshin ftesat në qytezë, një prift lokal i paralajmëroi anëtarët e famullisë të mos shkonin. Paralajmërimi i tij bëri efektin e kundërt. Më shumë se 5.000 veta e ndoqën fjalimin, bashkë me vetë priftin! Vëlla Kreti e ftoi priftin të mbronte bindjet e veta, por ai nuk pranoi. Pas fjalimit, vëllai shpërndau gjithë literaturën që kishte, pasi njerëzit ishin mjaft të etur për Fjalën e Perëndisë.—Amo. 8:11.

Klod Brauni

Në Afrikë, Klod Brauni e çoi lajmin e mirë në Bregun e Artë, vendi që sot quhet Ganë. Fjalimet e tij dhe literatura që shpërndau ndihmuan që e vërteta të përhapej shpejt në atë vend. Xhon Blanksoni, i cili po studionte për t’u bërë farmacist, ndoqi një nga fjalimet e vëlla Braunit. Ai e kuptoi menjëherë se kishte gjetur të vërtetën. Xhoni kujtonte: «E vërteta më bëri me krahë dhe flisja pa teklif për të në shkollën e farmacisë.»

Xhon Blanksoni

Një ditë, Xhoni shkoi në një kishë anglikane që të pyeste priftin për Trinitetin. Xhoni tashmë e kishte kuptuar qartë se doktrina e Trinitetit nuk bazohet aspak te Shkrimet. Prifti e dëboi dhe i bërtiti: «Ti nuk je i krishterë, ti i përket Djallit. Hajde, ik që këtu!»

Kur u kthye në shtëpi, Xhoni i shkroi një letër priftit dhe e ftoi të mbronte doktrinën e Trinitetit në një diskutim publik. Prifti i shkroi Xhonit dhe i tha që të shkonte të takonte pedagogun kryesor të shkollës së farmacisë. Pedagogu e pyeti Xhonin nëse i kishte shkruar vërtet një letër priftit.

—Po, zotëri,—u përgjigj Xhoni.

Pedagogu i kërkoi Xhonit që t’i shkruante priftit e t’i kërkonte falje. Atëherë Xhoni i shkroi priftit:

—Zotëri, pedagogu më kërkoi të të shkruaja e të të kërkoja falje. Jam gati të të kërkoj falje, me kusht që të pranosh se u mëson njerëzve doktrina të rreme.

—Blankson, kështu ke ndër mend t’i shkruash?—e pyeti me mosbesim pedagogu.

—Po, zotëri. Nuk shkruaj dot gjë tjetër.

—Do të përjashtohesh nga shkolla. Si mund të shkruash kundër priftit të kishës shtetërore dhe të shpresosh që shteti të të japë punë?!

—Por zotëri, . . . kur ti na shpjegon mësimet dhe ka gjëra që nuk i kuptojmë, a nuk të bëjmë pyetje?

—Po, sigurisht.

—E njëjta gjë ka ndodhur në këtë rast. Prifti po na mësonte Biblën dhe unë i bëra një pyetje. Nëse ai nuk është në gjendje të më kthejë përgjigje, pse u dashka t’i kërkoj falje?!

Blanksoni nuk u përjashtua nga shkolla. As kërkesa për falje nuk u dërgua.

SYTË TEK E ARDHMJA

Kulla e Rojës i përmblodhi kështu aktivitetet e atij viti: «Sikurse Davidi, edhe ne mund të themi: ‘Më ngjeshe me fuqi për luftë.’ (Psalmi 18:39, Kristoforidhi) Ky vit na dha shumë zemër, sepse kemi parë dorën e Zotërisë . . . . Ata që janë vërtet të shenjtëruar . . . kanë dhënë dëshmi me gëzim.»

Më vonë gjatë vitit, vëllezërit planifikuan ta zgjeronin predikimin me anë të radios. Nisi puna për të hapur një stacion tjetër radiofonik afër Çikagos. Ky stacion i ri kishte një emër të përshtatshëm, WORD (në shqip FJALA). Me anë të një transmetuesi 5.000-vatësh, WORD-i do të transmetonte mesazhin për Mbretërinë në distanca prej qindra kilometrash, duke arritur madje deri në veri, në Kanada.

Pas pak, viti 1925 do të sillte vetëtima drite të së vërtetës. Studentët e Biblës do të kuptonin më qartë kapitullin 12 të Zbulesës. Për disa, kjo do të bëhej gur pengese. Ama shumë të tjerë do t’i lumturonte drita e re për ngjarjet që lidheshin me qiejt e padukshëm dhe ndikimi që do të kishte ky qartësim te populli i Perëndisë në tokë.

a Sot quhet Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje.

b Radhërfordi, që merrte drejtimin në atë kohë, njihej si gjykatësi Radhërford. Para se të shërbente në Bethel, ai kishte shërbyer me raste si gjykatës i posaçëm në Gjykatën e Qarkut të Tetë të Misurit.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo