BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 tetor f. 2-5
  • 1925—Njëqind vjet më parë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • 1925—Njëqind vjet më parë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PRITJE E ZGJATUR
  • ZGJEROHEN TRANSMETIMET RADIOFONIKE
  • ZBULOHEN TË VËRTETA TË RËNDËSISHME
  • DËSHMI PËR JEHOVAIN
  • RIKTHEHEN TE TË INTERESUARIT
  • SYTË NGA E ARDHMJA
  • 1924—Njëqind vjet më parë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • 1922—Njëqind vjet më parë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për studim)
  • Duke shërbyer me organizatën më përparimtare
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Metoda predikimi—Përdorim çdo mjet që t’u çojmë lajmin e mirë njerëzve
    Mbretëria e Perëndisë qeveris!
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 tetor f. 2-5
Fotografi e një grupi të madh vëllezërish e motrash në kongresin e vitit 1925 në Indianapolis, Indianë.

Kongresi në Indianapolis, Indianë, 1925

1925—Njëqind vjet më parë

«MEZI e kemi pritur këtë vit»,—thuhej në Kullën e Rojës të 1 janarit 1925. Megjithatë artikulli vazhdonte: «Nuk duhet të jemi tepër në merak për atë që mund të ndodhë. Përndryshe, do të shpërqendrohemi e do të heqim dorë nga vepra që na ka ngarkuar Jehovai.» Çfarë pritnin të ndodhte në vitin 1925 Studentët e Biblës? Dhe si arritën të përqendroheshin te vepra e Zotërisë, pavarësisht nga zhgënjimet?

PRITJE E ZGJATUR

Më 1925 shumë Studentë të Biblës pritnin që toka të kthehej në parajsë. Pse? Vëlla Albert Shroderi, i cili më vonë shërbeu si anëtar i Trupit Udhëheqës, shpjegoi: «Mendonim se në atë kohë mbetja e mirosur e dishepujve të Krishtit do të shkonte në qiell, që të bëhej pjesë e Mbretërisë, dhe besnikët e lashtësisë, si Abrahami, Davidi e të tjerë do të ringjalleshin në tokë. Ata do të ishin princat që do të qeverisnin tokën si pjesë e Mbretërisë së Perëndisë.» Viti po mbaronte, por asnjë nga këto gjëra nuk ndodhi. Ja pse disa vëllezër e motra u zhgënjyen.—Prov. 13:12.

Edhe pse të zhgënjyer, shumica e Studentëve të Biblës vazhduan të predikonin. Ata u bënë gjithnjë e më të vetëdijshëm se përgjegjësia e tyre kryesore ishte të dëshmonin për Jehovain. Për shembull, të shohim si e përdorën radion për ta transmetuar të vërtetën në largësi të mëdha.

ZGJEROHEN TRANSMETIMET RADIOFONIKE

Duke marrë shkas nga suksesi që pati radioja WBBR gjatë vitit 1924, Studentët e Biblës ndërtuan një qendër tjetër të fuqishme radiofonike, kësaj here afër Çikagos në Ilinois. Ky stacion i ri u quajt WORD (FJALA). Ralf Lefleri, një inxhinier radioje që punoi në ndërtimin e stacionit, tha: «Gjatë netëve të ftohta të dimrit, FJALA u dëgjua në largësi të mëdha.» Për shembull, një familje që jetonte në një qytet të Alaskës, mbi 5.000 kilometra larg, dëgjoi një nga transmetimet e para të kësaj radioje. Pasi dëgjuan programin, familja u shkroi një letër atyre që punonin në radio, ku i falënderonin për programin kaq besimforcues që ishte transmetuar.

Majtas: Kullat e transmetimit të radios FJALA në Batavi, Ilinois

Djathtas: Ralf Lefleri duke punuar në stacionin e radios

Kulla e Rojës e 1 dhjetorit 1925 dha disa detaje pse ky stacion radioje arrinte të transmetonte në largësi kaq të mëdha. Revista shkruante: «FJALA është një nga superstacionet e Shteteve të Bashkuara që operon me fuqi 5.000 vat. Valët mbërrijnë pa vështirësi nga brigjet e Paqësorit deri në brigjet e Atlantikut të Shteteve të Bashkuara, në Kubë dhe në pjesën më veriore të Alaskës. Shumë njerëz që nuk e kanë dëgjuar kurrë më parë të vërtetën, tani duan të dinë më shumë, sepse dëgjojnë këtë stacion.»

Xhorxh Nashi

Gjatë së njëjtës periudhë, Studentët e Biblës po përpiqeshin të predikonin me anë të radios edhe në Kanada. Në vitin 1924, ata ndërtuan stacionin radiofonik CHUC në Saskatun të Saskaçevanit. Ishte një nga stacionet e para radiofonike fetare që u ndërtuan në Kanada. Më 1925 ky stacion i vockël u transferua në ambiente më të mëdha. Kështu, Shoqata Watch Tower mori pronësinë e këtij stacioni dhe i shpërnguli studiot e transmetimit te Pallati Regjent. Ndërtesa kishte qenë një teatër i vjetër në Saskatun, të cilin vëllezërit e blenë dhe e rinovuan për këtë qëllim.

Falë këtij stacioni, shumë njerëz që jetonin në qyteza e në zonat rurale të Saskaçevanit e dëgjuan për herë të parë lajmin e mirë. Për shembull, në një qytezë të izoluar, një zonjë me mbiemrin Graham shkroi për të kërkuar literaturë pasi dëgjoi një program të radios. Vëlla Xhorxh Nashi tha: «Aq urgjente na u duk kërkesa e saj për ndihmë, saqë i dërguam të gjitha vëllimet e botimit Studime mbi Shkrimet.» S’kaloi shumë dhe zonja Graham po u fliste të tjerëve për mesazhin e Mbretërisë në zona më të largëta.

ZBULOHEN TË VËRTETA TË RËNDËSISHME

Kulla e Rojës e 1 marsit 1925 kishte një artikull historik me titull «Lindja e kombit». Pse ishte aq i rëndësishëm ai artikull? Studentët e Biblës e kishin kuptuar prej ca kohësh se Satanai kishte një organizatë të përbërë nga krijesat e liga qiellore dhe nga elementët fetarë, tregtarë dhe politikë të tokës. Megjithatë, me anë të këtij artikulli «skllavi besnik dhe i mençur» e ndihmoi vëllazërinë të dallonte se edhe Jehovai ka një organizatë, që është krejt ndryshe nga organizata e Satanait dhe kundër saj. (Mat. 24:45) Veç kësaj, skllavi shpjegoi se Mbretëria e Perëndisë kishte nisur të qeveriste në vitin 1914 dhe se si rezultat i ‘luftës që shpërtheu në qiell’ atë vit, Satanai dhe demonët u flakën nga qielli dhe u kufizuan në afërsi të tokës.—Zbul. 12:7-9.

Disa Studentë të Biblës e kishin të vështirë ta pranonin këtë shpjegim të ri. Ja pse artikulli thoshte: «Nëse ka lexues të Kullës së Rojës që nuk bien dakord me këto që u thanë, atëherë u sugjerojmë që të tregojnë durim e besim te Jehovai, teksa i shërbejnë atij me besnikëri.»

Megjithatë Tom Eri, një përhapës (ose siç i themi tani, pionier) nga Britania, shpjegoi çfarë mendonin shumica e Studentëve të Biblës për artikullin: «Vëllezërit u kënaqën shumë me shpjegimin e Zbulesës 12. Pasi kuptuam se Mbretëria kishte nisur të qeveriste në qiell, mezi pritnim t’ua tregonim këtë lajm të mirë të tjerëve. Pa dyshim, ai artikull na shtyu të predikonim më shumë dhe na ndihmoi të kuptonim se Jehovai do të bënte gjëra të mrekullueshme në të ardhmen.»

DËSHMI PËR JEHOVAIN

Sot, Dëshmitarët e Jehovait i dinë mirë fjalët e Isaisë 43:10: «‘Ju jeni dëshmitarët e mi,—thotë Jehovai.—Po, shërbëtori im, të cilin e kam zgjedhur.’» Por, para vitit 1925, në botimet tona flitej rrallë për këtë varg. Kjo gjë ndryshoi. Gjatë vitit 1925, përmbajtja e Isaisë 43:10 dhe 12 u trajtua në 11 numra të Kullës së Rojës.

Në fund të gushtit të vitit 1925, Studentët e Biblës u mblodhën në një kongres në Indianapolis të Indianës. Vëlla Xhozef Radhërfordi kishte përgatitur një mesazh për të mirëpritur delegatët. Mesazhi ishte shtypur në programin e kongresit. Në të thuhej: «Kemi ardhur në këtë kongres për të marrë . . . fuqi nga Zotëria, që të vazhdojmë veprën e predikimit me një dëshirë edhe më të fortë që të jemi dëshmitarët e tij.» Gjatë tetë ditëve të kongresit, të pranishmit u inkurajuan të dëshmonin për Jehovain sa herë t’u jepej rasti.

Të shtunën, më 29 gusht, vëlla Radhërfordi mbajti fjalimin me temë «Veproni!» Në këtë fjalim, ai theksoi rëndësinë e predikimit me fjalët: «Jehovai i thotë popullit të tij . . . : ‘Ju jeni dëshmitarët e mi. . . dhe unë jam Perëndia.’ Pastaj vjen edhe urdhri i qartë dhe i drejtpërdrejtë: ‘Ngrini një sinjal për popujt.’ Nuk ka asnjë tjetër në tokë që të ngrejë një sinjal për popujt përveç [popullit të tij], atyre që kanë frymën e Zotërisë, pra, ata që janë dëshmitarët e tij.»—Isa. 43:12; 62:10.

Fletushka që përmban rezolutën «Mesazh shprese».

Fletushka Mesazh shprese

Pas fjalimit të vëlla Radhërfordit, të pranishmit miratuan unanimisht rezolutën me titull «Mesazh shprese», e cila thoshte se Mbretëria e Perëndisë është shpresa e vërtetë për të marrë «si bekim paqen, begatinë, shëndetin, jetën, lirinë dhe lumturinë e përhershme». Rezoluta u përkthye më pas në shumë gjuhë dhe u shtyp në formë fletushke. U shpërndanë rreth 40 milionë kopje të saj.

Duhej të kalonin edhe disa vite që Studentët e Biblës të merrnin zyrtarisht emrin Dëshmitarë të Jehovait. Sidoqoftë, po fillonin të kuptonin përgjegjësinë që kishin të predikonin për Jehovain.

RIKTHEHEN TE TË INTERESUARIT

Meqë numri i studentëve të Biblës po rritej në gjithë botën, organizata po i nxiste që të rivizitonin ata që kishin shfaqur interes për lajmin e mirë. Pas fushatës për shpërndarjen e fletushkës Mesazh shprese, Buletinia dha këtë drejtim: «Rikthehuni te njerëzit të cilët pranuan fletushkën Mesazh shprese.»

Në Buletinin e janarit 1925, u botua ky raport i një Studenti të Biblës nga Plano i Teksasit: «Na ka mahnitur fakti se shumë nga territoret ku jemi rikthyer disa herë, janë më të frytshme se territoret e reja. Një qytezë e vogël në territorin tonë është predikuar 5 herë gjatë dhjetë viteve të fundit. . . . Pak kohë më parë, motra Hendriks dhe nëna ime predikuan sërish atje dhe shpërndanë më shumë libra se kurrë më parë.»

Një përhapës në shtetin e Panamasë shkroi: «Shumë njerëz që më përzunë herën e parë, ndryshuan qëndrim kur u predikova për herë të dytë a të tretë. Gjatë këtij viti, në shumicën e kohës jam rikthyer tek ata që u kisha predikuar më parë dhe kam bërë biseda shumë të këndshme me disa prej tyre.»

SYTË NGA E ARDHMJA

Në letrën e tij vjetore drejtuar gjithë përhapësve, vëlla Radhërfordi bëri një përmbledhje të aktivitetit të vitit dhe shpjegoi synimet për vitin pasues. Ai tha: «Gjatë vitit të kaluar keni pasur privilegjin të ngushëlloni shumë njerëz të trishtuar. Kjo gjë ju ka sjellë gëzim në zemër. . . . Në vitin që po troket, do të keni plot raste të jeni dëshmitarë të Perëndisë dhe të tregoni kush janë në të vërtetë adhuruesit e tij. . . . Le të vazhdojmë t’i bashkojmë zërat e t’i këndojmë lavdi Perëndisë dhe Mbretit tonë.»

Teksa viti 1925 po mbaronte, vëllezërit po bënin plane për të zgjeruar godinat e Bruklinit. Viti 1926 do të shënonte fillimin e projektit më të madh të ndërtimit që kishte ndërmarrë ndonjëherë organizata.

Kantier ndërtimi ku vëllezërit janë në fazat e para të ndërtimit të një godine të re.

Kantieri në rrugën Adams në Bruklin, Nju-Jork, 1926

a Sot quhet Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo