ARTIKULLI I STUDIMIT 43
KËNGA 90 T’i japim zemër njëri-tjetrit
Si t’i mposhtësh dyshimet
«Sigurohuni për të gjitha gjërat.»—1 SEL. 5:21.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si t’i heqim dyshimet që mund të na bëhen pengesë në shërbim të Jehovait.
1-2. (a) Cilat dyshime mund të kenë adhuruesit e Jehovait? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
PAVARËSISHT nga mosha, të gjithë kemi dyshimea hera-herës. Për shembull, një lajmëtar në moshë të re ndoshta pyet veten nëse Jehovai interesohet vërtet për të. Si pasojë mund të mos jetë i sigurt nëse duhet të pagëzohet. Ose mendo për një vëlla në njëfarë moshe, i cili në rini hoqi dorë nga mundësia për të bërë karrierë që të vinte në vend të parë shërbimin e Jehovait. Tani që si familje mezi ia dalin deri në fund të muajit, ndoshta dyshon nëse ky ishte vendimi i duhur. Përfytyro edhe një motër të moshuar që nuk ka më aq fuqi dhe energji. Mbase ndihet e shkurajuar që nuk bën dot sa më parë. A i ke bërë ndonjëherë vetes pyetje, si: «A më kushton vërtet vëmendje Jehovai? A ia kanë vlejtur sakrificat që kam bërë për të? A jam ende i dobishëm për Jehovain?»
2 Po i lamë pa përgjigje këto pyetje, dyshimet mund të na e gërryejnë besimin dhe madje të na largojnë nga e vërteta. Në këtë artikull do të shohim si na ndihmojnë parimet e Biblës kur dyshojmë (1) nëse Jehovai merakoset për ne, (2) nëse vendimet e së shkuarës ishin të mençura ose (3) nëse jemi ende të dobishëm për Jehovain.
SI T’I HEQËSH DYSHIMET
3. Cila është një mënyrë si t’i heqim dyshimet?
3 Një mënyrë si t’i heqim dyshimet është duke kërkuar përgjigjet e pyetjeve tona në Fjalën e Perëndisë. Kështu do të marrim forcë, do të kemi miqësi më të ngushtë me Jehovain dhe do ta kemi më të lehtë ‘të qëndrojmë të patundur në besim’.—1 Kor. 16:13.
4. Në ç’mënyrë ‘sigurohemi për të gjitha gjërat’? (1 Selanikasve 5:21)
4 Lexo 1 Selanikasve 5:21. Vër re se Bibla na nxit ‘të sigurohemi për të gjitha gjërat’. Si mund ta bëjmë këtë? Mund të sigurohemi nëse ajo që besojmë është e vërtetë duke e krahasuar me atë që thotë Bibla. Për shembull, t’i kthehemi rastit të djalit që vret mendjen nëse ka vlerë në sytë e Perëndisë. A duhet ta lërë pa përgjigje këtë pyetje? Jo, duhet ‘të sigurohet për të gjitha gjërat’, duke kërkuar të kuptojë si e sheh Jehovai.
5. Si mund «t’i dëgjojmë» përgjigjet që u jep Jehovai pyetjeve tona?
5 Ndërsa lexojmë Fjalën e Perëndisë, «e dëgjojmë» Jehovain teksa na flet. Mirëpo që të kuptojmë si mendon Jehovai për një pyetje specifike, duhen përpjekje. Gjatë leximit të Biblës duhet të përqendrohemi te tema që na shqetëson. Mund të bëjmë kërkime duke përdorur mjetet për studim që na siguron organizata e Jehovait. (Prov. 2:3-6) Mund t’i lutemi Jehovait që të na drejtojë gjatë kërkimeve dhe të na ndihmojë të dallojmë përgjigjen e tij. Pastaj të kërkojmë parime nga Bibla dhe informacione praktike që zbatohen në situatën tonë. Nxjerrim dobi edhe duke shqyrtuar historitë e disa personazheve të Biblës që provuan ndjenja të ngjashme me tonat.
6. Si na ndihmojnë mbledhjet që t’i mposhtim dyshimet?
6 «E dëgjojmë» Jehovain edhe kur jemi në mbledhje. Nëse i ndjekim rregullisht mbledhjet, mund të dëgjojmë në një fjalim a në një koment diçka që është fiks ajo që na duhet për të mposhtur dyshimet. (Prov. 27:17) Tani të shohim si t’i heqim disa dyshime specifike.
KUR DYSHON NËSE JEHOVAI MERAKOSET PËR TY
7. Cilën pyetje mund të bëjnë disa?
7 E ke pyetur ndonjëherë veten: «A më kushton vërtet vëmendje Jehovai?» Nëse ndihesh i parëndësishëm, mbase të duket jorealiste, madje e pamundur, të bëhesh mik me Krijuesin e universit. Një mendim i ngjashëm mund t’i ketë kaluar nëpër mend edhe mbretit David. Ai mahnitej edhe vetëm me faktin që Jehovai i vinte re njerëzit, ndaj i tha: «O Jehova, ç’është njeriu që ta vësh re?! Ç’është biri i vdekatarit që ta përfillësh?!» (Psal. 144:3) Ku mund ta gjesh përgjigjen e kësaj pyetjeje?
8. Sipas 1 Samuelit 16:6, 7, 10-12, çfarë sheh Jehovai te njerëzit?
8 Bibla na mëson se Jehovai u kushton vëmendje njerëzve që të tjerët i shohin si të papërfillshëm. Për shembull, Jehovai e dërgoi Samuelin në shtëpinë e Jeseut që të miroste një nga djemtë e tij si mbret të ardhshëm të Izraelit. Jeseu thirri shtatë nga tetë bijtë e tij që të takonin Samuelin, por të voglin, Davidin, nuk e thirri.b E megjithatë Jehovai zgjodhi pikërisht Davidin. (Lexo 1 Samuelit 16:6, 7, 10-12.) Ai pa si ishte vërtet përbrenda Davidi dhe e dinte se ky i ri e donte me gjithë zemër.
9. Pse mund të jesh i sigurt se Jehovai merakoset për ty? (Shihni edhe figurën.)
9 Mendo si e ka treguar Jehovai se të kushton vëmendje. Ai të jep këshilla enkas për nevojat e tua. (Psal. 32:8) E si do ta bënte këtë nëse nuk do të të njihte mirë? (Psal. 139:1) Kur i zbaton këshillat e Jehovait dhe sheh si të ndihmojnë, s’të ngelet grimë dyshimi se ai merakoset për ty. (1 Kron. 28:9; Vep. 17:26, 27) Jehovai i vëren përpjekjet e tua për t’ia gëzuar zemrën. Ai i sheh cilësitë e tua të mira dhe dëshiron të jesh miku a mikja e tij. (Jer. 17:10) E do t’i gëzonte zemra nëse e pranon ftesën për ta pasur mik.—1 Gjon. 4:19.
«Nëse e kërkon [Jehovain], ai do të të lërë që ta gjesh.»—1 Kron. 28:9 (Shih paragrafin 9)c
KUR DYSHON NËSE VENDIMET E SË SHKUARËS ISHIN TË MENÇURA
10. Cilat pyetje mund të lindin kur mendojmë për vendimet që kemi marrë?
10 Ndonjëherë disa mund të kthejnë kokën mbrapa e të pyesin veten nëse kanë marrë vendime të mençura. Ndoshta vendosën të hiqnin dorë nga një karrierë premtuese a nga ndonjë biznes fitimprurës për t’i shërbyer më plotësisht Jehovait. E tani që kanë kaluar vite, mbase dekada, shohin të njohur që ndoqën interesat e veta dhe që duket se gëzojnë siguri financiare. Prandaj mund të vrasin mendjen: «A ia kanë vlejtur sakrificat që bëra për Jehovain? Apo ndoshta humba disa mundësi të mira për shkak të tyre?»
11. Çfarë e mundonte shkrimtarin e Psalmit 73?
11 Nëse edhe ty të mundojnë pyetje të tilla, mendo si u ndie shkrimtari i Psalmit 73. Ai shihte disa që në pamje të parë kishin një jetë të begatë, pa stres e plot shëndet. (Psal. 73:3-5, 12) Ndërsa vërente suksesin që dukej se gëzonin, u ndie sikur përpjekjet e tij për t’i shërbyer Jehovait ishin të kota. Ky mendim shkurajues ‘ia rëndonte shpirtin gjithë ditën e ditës’. (Psal. 73:13, 14) Si i përballoi psalmisti ndjenjat e trazuara?
12. Sipas Psalmit 73:16-18, si i mposhti ndjenjat negative shkrimtari i këtij psalmi?
12 Lexo Psalmin 73:16-18. Psalmisti shkoi në një ambient të paqtë, në shenjtëroren e Jehovait. Atje kishte mundësi të mendonte me kthjelltësi. Ai kuptoi se ndonëse disave dukej se u shkonte jeta vaj, e ardhmja e tyre afatgjatë ishte e zymtë. E pasi e kuptoi këtë, fitoi paqe mendore dhe u ndie i sigurt se ta vinte Jehovain në vend të parë, ishte vendimi më i mirë në jetë. Si rezultat, iu forcua vendosmëria që të vazhdonte t’i shërbente Jehovait.—Psal. 73:23-28.
13. Si mund të fitosh paqe mendore kur dyshon nëse ke marrë vendime të mençura? (Shihni edhe figurën.)
13 Me ndihmën e Fjalës së Perëndisë, edhe ti mund të fitosh paqe mendore. Si? Bluaj në mendje sa vlerë kanë të mirat që gëzon, ku përfshihen thesaret në qiej. E ndërkohë mos harro se njerëzit që nuk i shërbejnë Jehovait, kanë si shpërblim vetëm çka ofron kjo botë. Gjëja më e rëndësishme për ta janë arritjet në këtë jetë, sepse s’kanë shpresë tjetër për të ardhmen. Por ty Jehovai të ka premtuar bekime që as i ke ëndërruar. (Psal. 145:16) Veç kësaj, mendo pak: a e di me siguri si do t’i kishte shkuar filli jetës sate po të kishe marrë vendime të tjera? Ama një gjë është e sigurt: kujtdo që merr vendime i motivuar nga dashuria për Perëndinë dhe për të tjerët, nuk i mungon kurrë asgjë e mirë.
Mbaji sytë te bekimet që të ka premtuar Jehovai (Shih paragrafin 13)d
KUR DYSHON NËSE JE I DOBISHËM PËR JEHOVAIN
14. Pse disa dyshojnë për vlerën e tyre, dhe cila pyetje mund t’i shqetësojë?
14 Disa adhurues të Jehovait ndiejnë pasojat e moshës së shkuar ose vuajnë nga sëmundje të ndryshme a nga kufizime shëndetësore. Këto mund t’u ngjallin dyshime nëse kanë vlerë në sytë e Jehovait. Ndoshta pyesin: «A jam ende i dobishëm për Jehovain?»
15. Për çfarë ishte i sigurt shkrimtari i Psalmit 71?
15 Shkrimtari i Psalmit 71 shprehu një merak të ngjashëm. Ai iu lut Jehovait: «Mos më braktis kur të më lënë fuqitë.» (Psal. 71:9, 18) Prapëseprapë, nuk e humbi sigurinë se po t’i shërbente me besnikëri Jehovait, ai do ta drejtonte e do t’i bëhej krah. Psalmisti mësoi se Jehovait i sjellin kënaqësi ata që bëjnë më të mirën në shërbim të tij, pavarësisht nga kufizimet.—Psal. 37:23-25.
16. Në cilat mënyra janë të dobishëm të moshuarit për Jehovain? (Psalmi 92:12-15)
16 Nëse je i moshuar, shihe veten dhe situatën tënde me sytë e Jehovait. Ai mund të të ndihmojë t’i shërbesh me besnikëri edhe nëse ke probleme fizike. (Lexo Psalmin 92:12-15.) Në vend që ta mbash mendjen te gjërat që nuk i bën dot më, përqendrohu tek ato që mund të bësh. Për shembull, mund t’u japësh forcë të tjerëve me besnikërinë tënde dhe duke u interesuar sinqerisht për ta. Mund t’u tregosh si të është bërë krah Jehovai përgjatë viteve dhe se cilat premtime pret me zjarr të përmbushen. Dhe kurrë mos e nënvlerëso fuqinë e madhe që kanë lutjet e tua nga zemra për të tjerët. (1 Pjet. 3:12) Cilatdo qofshin rrethanat tona, të gjithë kemi ç’t’i ofrojmë Jehovait dhe të tjerëve.
17. Pse duhet t’i rezistojmë prirjes për t’u krahasuar me të tjerët?
17 Nëse ndihesh i shkurajuar që s’mund të bësh më tepër në shërbim të Jehovait, të jesh i sigurt se ai e çmon pa masë çdo gjë që mund të bësh. Ndoshta të vjen ta krahasosh atë që bën ti me atë që bëjnë të tjerët. Por rezistoji kësaj prirjeje! Pse? Sepse Jehovai nuk bën krahasime të tilla. (Gal. 6:4) Për shembull, Maria i dhuroi Jezuit një vaj aromatik shumë të shtrenjtë. (Gjoni 12:3-5) Kurse vejusha e varfër hodhi si dhuratë për tempullin dy monedha me vlerë shumë të vogël. (Luka 21:1-4) Gjithsesi Jezui i pa të dyja dhuratat si shprehje besimi. Edhe Ati i tij, Jehovai, e çmon tej mase gjithçka që po bën i motivuar nga përkushtimi dhe dashuria për të, sado e vogël të të duket ty.
18. Çfarë do të na ndihmojë t’i çrrënjosim dyshimet? (Shihni edhe kutinë «Mposhti dyshimet me ndihmën e Fjalës së Jehovait».)
18 Të gjithë kemi dyshime hera-herës. Megjithatë, siç e pamë, Fjala e besueshme e Perëndisë, Bibla, na ndihmon t’i çrrënjosim ato. Ndaj bëj çmos t’i heqësh dyshimet; kështu meraqeve të tua do t’ia zërë vendin siguria. Të jesh i bindur se Jehovai të kushton vëmendje si individ. Ai i vlerëson sakrificat e tua dhe do ta mbajë se s’bën premtimin që të të shpërblejë. Ji i sigurt se Jehovai e konsideron secilin nga shërbëtorët e vet besnikë të denjë për dashurinë dhe vëmendjen e tij.
KËNGA 111 Arsyet për të gëzuar
a SHPJEGIMI I FJALËS: Në këtë artikull po flasim për dyshimet që na bëjnë të ndihemi të pasigurt nëse kemi vlerë në sytë e Jehovait ose nëse morëm vendime të mençura në të kaluarën. Këtu nuk bëhet fjalë për ato dyshime të përmendura në Bibël që tregojnë mungesë besimi te Jehovai dhe te premtimet e tij.
b Edhe pse Bibla nuk tregon moshën e saktë kur e zgjodhi Jehovai Davidin si mbret, ka mundësi që ai të ishte ende adoleshent.—Shih Kullën e Rojës të 1 shtatorit 2011, f. 29, p. 2.
c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një e re Dëshmitare bën kërkime në Shkrime që të kuptojë si mendon Jehovai për një çështje.
d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla bën punë fizike për të mbajtur familjen, por ndërkohë e mban të gjallë në mendje shpresën e Parajsës.