BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w24 tetor f. 6-11
  • Jehovai «i shëron zemërthyerit»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Jehovai «i shëron zemërthyerit»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • JEHOVAI NA SIGURON SE JEMI TË ÇMUAR
  • JEHOVAI DËSHIRON TA PRANOJMË SE NA KA FALUR
  • JEHOVAI NA NGUSHËLLON PËRMES FRYMËS SË SHENJTË
  • JEHOVAI NA NGUSHËLLON PËRMES BASHKËBESIMTARËVE
  • MERR ZEMËR NGA PREMTIMI SE JEHOVAI DO TË TË SHËROJË
  • Trego modesti kur nuk e di diçka
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nuk jemi kurrë vetëm!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Mos harro se Jehovai është «Perëndia i gjallë»!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Si na ndihmon Jehovai të tregojmë qëndrueshmëri
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
w24 tetor f. 6-11

ARTIKULLI I STUDIMIT 40

KËNGA 30 Perëndia, Ati dhe Miku im

Jehovai «i shëron zemërthyerit»

«Ai i shëron zemërthyerit dhe ua lidh plagët.» —PSAL. 147:3.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Jehovai ka dashuri dhe merak të thellë për ata që vuajnë emocionalisht. Në këtë artikull do të shohim si na i qetëson plagët dhe si na ndihmon të ngushëllojmë të tjerët.

1. Si ndihet Jehovai për adhuruesit e tij?

ÇFARË vëren Jehovai kur sheh adhuruesit e tij në tokë? Ai i di mirë gëzimet dhe brengat e shpirtit tonë. (Psal. 37:18) E kur sheh se me gjithë plagët emocionale japim më të mirën për të, i bëhet zemra mal. Jo vetëm kaq, por Jehovai mezi pret të na bëhet krah e të na ngushëllojë.

2. Çfarë bën Jehovai për zemërthyerit, dhe si mund të nxjerrim dobi nga kujdesi i tij?

2 Psalmi 147:3 thotë se Jehovai «ua lidh plagët» zemërthyerve. Ky varg tregon me sa dhembshuri kujdeset Jehovai për ata që vuajnë emocionalisht. Po ç’duhet të bëjmë që të nxjerrim dobi nga kujdesi i tij? Mendo për këtë ilustrim: një mjek i zoti mund ta ndihmojë të shërohet një pacient që vuan. Ama për të nxjerrë dobi, pacienti duhet të ndjekë një më një këshillat e mjekut. Në këtë artikull do të shohim ç’thotë Jehovai në Fjalën e tij për ata që e kanë zemrën të vrarë dhe si t’i zbatojmë këshillat e tij të dashura.

JEHOVAI NA SIGURON SE JEMI TË ÇMUAR

3. Pse ndihen të pavlerë disa?

3 Jetojmë në një botë të ftohtë pa dashuri, ndaj mjerisht shumë njerëz ndihen të pavlerë. Një motër që quhet Helenaa thotë: «Jam rritur në një familje pa dashuri. Babai ishte i dhunshëm dhe na thoshte ditë për ditë se s’kishim pikë vlere.» Ashtu si Helena, ndoshta të kanë keqtrajtuar, të kanë mbytur me kritika ose të kanë bërë të ndihesh sikur s’e meriton dashurinë e të tjerëve. Për pasojë, mund ta kesh të vështirë ta besosh se dikush të do sinqerisht.

4. Për çfarë na siguron Jehovai te Psalmi 34:18?

4 Edhe nëse të tjerët të kanë keqtrajtuar, mund të jesh i sigurt se Jehovai të do e të çmon. Ai «u rri pranë zemërthyerve». (Lexo Psalmin 34:18.) Në qoftë se e ke «shpirtin të dërrmuar», kujto se Jehovai pa gjëra të mira në zemrën tënde dhe të tërhoqi drejt vetes. (Gjoni 6:44) Ai është përherë gati të të ndihmojë, sepse je i vyer për të.

5. Ç’mund të mësojmë nga mënyra si i trajtonte Jezui njerëzit e përbuzur?

5 Shembulli i Jezuit hedh dritë mbi ndjenjat e Jehovait. Gjatë kohës që shërbeu në tokë, Jezui u kushtonte vëmendje njerëzve të përbuzur nga të tjerët dhe i trajtonte me dhembshuri. (Mat. 9:9-12) Kur një grua që shpresonte të shërohej nga një sëmundje e rëndë i preku rrobat, Jezui e ngushëlloi dhe e lavdëroi për besimin. (Mar. 5:25-34) Jezui pasqyron përsosmërisht personalitetin e Atit të tij. (Gjoni 14:9) Ndaj mund të jesh i sigurt se Jehovai të çmon dhe i vëren cilësitë e tua të mira, si besimi dhe dashuria që ke për të.

6. Si mund t’i luftojmë ndjenjat e pavlefshmërisë?

6 Po kur s’të shqitet ose nxjerr kokë here pas here dyshimi nëse ke vlerë? Lexo dhe bluaj në mendje vargje nga Bibla që të sigurojnë se je i çmuar për Jehovain.b (Psal. 94:19) Nëse nuk ia ke dalë të realizosh një synim ose je i shkurajuar ngaqë s’bën dot sa të tjerët, mos e gjyko ashpër veten. Jehovai është i arsyeshëm në atë që pret nga ti. (Psal. 103:13, 14) Nëse ke qenë viktimë e abuzimit, mos e fajëso veten për atë që bëri abuzuesi. Ti nuk e meritoje kurrsesi atë keqtrajtim! Mos harro se Jehovai do t’u kërkojë llogari fajtorëve, jo viktimave! (1 Pjet. 3:12) Sandra, që gjatë fëmijërisë ishte viktimë e dhunës, thotë: «I lutem vazhdimisht Jehovait të më ndihmojë të kem pikëpamje të ekuilibruar për veten, pra ta shoh veten me sytë e tij.»

Një izraelit mban në dorë një harabel.

Ti je i çmuar për Jehovain

Shkrimet e mëposhtme të sigurojnë se je i çmuar për Jehovain:

  • Psalmi 56:8. Kur ndihesh i trishtuar, syrit të Jehovait nuk i shpëtojnë lotët që derdh. Ai merakoset tej mase për ndjenjat e tua.

  • Luka 12:6, 7. Nëse për Jehovain vlen kaq shumë një harabel i vetëm, imagjino sa më shumë vlerë ke ti për të! Ai të kushton gjithë vëmendjen e tij dhe di çdo hollësi për ty, sepse të do fort.

  • 1 Gjonit 3:19, 20. Edhe kur dyshon nëse ke vlerë, mbaj ndër mend se Jehovai ‘është më i madh se zemra jote’ dhe se je i shtrenjtë për të.

7. Si mund të na vlejnë në shërbimin e Jehovait gjërat që kemi përjetuar në të kaluarën?

7 Mos dysho kurrë se Jehovai mund të të përdorë për të ndihmuar të tjerët. Ai të ka nderuar me privilegjin që të jesh bashkëpunëtor i tij në veprën e predikimit. (1 Kor. 3:9) Nga gjërat që ke përjetuar në jetë ndoshta e ke më të lehtë të provosh empati dhe ta kuptosh si ndihen ata që vuajnë. E ti mund të bësh shumë për t’i ndihmuar. Helena, që u përmend më sipër, mori ndihmë nga të tjerët dhe tani është një krah më i fortë për ata që kalojnë vështirësi. Ajo thotë: «Nga ‘askushi’, Jehovai më ka shndërruar në një njeri që ndien se e duan dhe është i dobishëm.» Tani Helena shërben me gëzim si pioniere e rregullt.

JEHOVAI DËSHIRON TA PRANOJMË SE NA KA FALUR

8. Për çfarë na siguron Jehovai tek Isaia 1:18?

8 Disa shërbëtorë të Jehovait ndihen tmerrësisht keq për gabimet që kanë bërë në të kaluarën, qoftë para ose edhe pas pagëzimit. Por të mos harrojmë se nga dashuria e thellë për ne, Jehovai siguroi shpërblesën. Pa dyshim që ai dëshiron ta pranojmë këtë dhuratë. Jehovai na siguron se pasi ‘i ndreqim gjërat’c me të, na fal plotësisht. (Lexo Isainë 1:18.) Sa mirënjohës jemi që Ati ynë i dashur i fshin nga kujtesa gabimet e së kaluarës! Në të njëjtën kohë, Jehovai nuk i harron kurrë të mirat që kemi bërë.—Psal. 103:9, 12; Hebr. 6:10.

9. Pse duhet të bëjmë çmos të përqendrohemi tek e sotmja dhe e ardhmja, jo tek e shkuara?

9 Nëse të torturon kujtimi i së kaluarës, bëj çmos të përqendrohesh tek e sotmja dhe e ardhmja, jo tek e shkuara. Mendo për shembullin e apostullit Pavël. Ai ndihej keq që dikur i kishte përndjekur egërsisht të krishterët, ama e dinte se Jehovai e kishte falur. (1 Tim. 1:12-15) A i stërmendonte Pavli mëkatet e së kaluarës? Pa dyshim që jo, ashtu siç nuk e mbante mendjen tek arritjet e tij në fenë judaike. (Filip. 3:4-8, 13-15) Në vend të kësaj, Pavli përpiqej pa u kursyer në shërbim dhe i mbante sytë nga e ardhmja. Ashtu si Pavli, ti nuk e ndryshon dot të kaluarën. Gjithsesi, mund ta lëvdosh e ta kënaqësh Jehovain sot dhe mund t’i mbash sytë tek e ardhmja fantastike që të ka premtuar.

10. Ç’mund të bëjmë nëse i kemi lënduar të tjerët me mënyrën si kemi vepruar në të kaluarën?

10 Mbase ndihesh keq për disa veprime të së kaluarës që i kanë lënduar të tjerët. Ç’mund të bësh? Bëj gjithë sa ke në dorë për ta ndrequr dëmin; kjo mund të përfshijë të kërkosh falje sinqerisht. (2 Kor. 7:11) Kërkoji Jehovait t’i mbështetë ata që janë lënduar nga veprimet e tua. Ai mund të të ndihmojë qoftë ty, qoftë ata që të ecni para në shërbimin e tij dhe të rifitoni paqen.

11. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i profetit Jona? (Shihni edhe figurën.)

11 Mëso nga gabimet e së kaluarës dhe lejoje pa ngurrim Jehovain të të përdorë në çfarëdo mënyre të zgjedhë ai. Kujto shembullin e profetit Jona. Në vend që të udhëtonte për në Ninevi, siç e urdhëroi Perëndia, ai ia mbathi në drejtimin e kundërt. Jehovai e disiplinoi, dhe Jonai nxori mësim nga gabimi që bëri. (Jon. 1:1-4, 15-17; 2:7-10) Jehovai nuk hoqi dorë prej tij, por i dha një mundësi tjetër që të shkonte në Ninevi. Kësaj here Jonai u bind menjëherë. Ai nuk lejoi që keqardhja për gabimin që kishte bërë ta pengonte të pranonte atë caktim nga Jehovai.—Jon. 3:1-3.

Profeti Jona në breg të detit i bërë qull, ka ngritur sytë drejt qiellit.

Pasi profeti Jona i mbijetoi situatës së tmerrshme në barkun e peshkut të stërmadh, Jehovai e urdhëroi sërish të shkonte në Ninevi dhe të shpallte mesazhin e Tij (Shih paragrafin 11)


JEHOVAI NA NGUSHËLLON PËRMES FRYMËS SË SHENJTË

12. Si na jep paqe Jehovai përballë një traume ose një humbjeje? (Filipianëve 4:6, 7)

12 Nëpërmjet frymës së tij të shenjtë, Jehovai na ngushëllon kur na ndodh diçka e tmerrshme ose traumatike. Të shohim rastin e Ronit dhe Karolës. Këtij çifti i ndodhi një tragjedi e madhe: djali i tyre vrau veten. Ata thonë: «Kishim kaluar edhe më parë sprova të rënda, por kjo ishte sprova më dërrmuese e jetës sonë. Netëve të shumta pa gjumë i luteshim Jehovait dhe e ndienim vërtet paqen që përshkruhet te Filipianëve 4:6, 7.» (Lexoje.) Nëse po kalon një sprovë që ta ka bërë shpirtin copë, mund t’ia zbrazësh zemrën Jehovait aq shpesh dhe aq gjatë sa ke nevojë. (Psal. 86:3; 88:1) Kërkoji pareshtur të të ndihmojë me frymën e tij të shenjtë. Ai s’ka për t’i shpërfillur kurrë lutjet e tua.—Luka 11:9-13.

13. Si mund të na ndihmojë fryma e shenjtë që të vazhdojmë ta adhurojmë Jehovain me besnikëri? (Efesianëve 3:16)

13 A ke kaluar një sprovë të rëndë që të ka sfilitur? Fryma e shenjtë mund të të japë fuqi që të vazhdosh ta adhurosh Jehovain me besnikëri. (Lexo Efesianëve 3:16.) Të shohim shembullin e një motre që quhet Flora. Ajo dhe i shoqi po shërbenin si misionarë kur ai e tradhtoi, e më pas u divorcuan. Flora thotë: «Tradhtia e tij më shkaktoi një ankth mbytës. I lutesha Jehovait të më jepte frymën e shenjtë që të mos dorëzohesha. E Jehovai më dha atë që më nevojitej për t’u shëruar dhe për t’i bërë ballë asaj situate që në fillim dukej e papërballueshme.» Flora mendon se Perëndia e ka ndihmuar të ketë besim më të fortë tek ai dhe është e sigurt se do ta mbështetë në çdo sprovë të jetës. Ajo shton: «E përjetova vetë atë që thotë Psalmi 119:32: ‘Në udhën e urdhërimeve të tua do të rend, sepse ti u bën vend në zemrën time.’»

14. Si mund ta lejojmë frymën e Perëndisë të veprojë te ne?

14 Si mund të veprosh në harmoni me lutjet e tua për të pasur frymën e shenjtë? Merr pjesë në aktivitete ku fryma e Perëndisë mund të veprojë te ti. Ndër to janë të ndjekësh mbledhjet dhe të japësh dëshmi. Mbushe mendjen me mendimet e Jehovait, duke lexuar çdo ditë Fjalën e tij. (Filip. 4:8, 9) Teksa e lexon, kushtoju vëmendje personazheve të Biblës që hasën sprova dhe mendo si i ndihmoi Jehovai t’u bënin ballë. Sandrës, që u përmend më lart, i ranë shumë halle në jetë. Ajo thotë: «Historia e Jozefit ma ngre zemrën peshë. Ai nuk lejoi që sprovat dhe padrejtësitë t’i dobësonin miqësinë me Jehovain.»—Zan. 39:21-23.

JEHOVAI NA NGUSHËLLON PËRMES BASHKËBESIMTARËVE

15. Cilët mund të jenë burim ngushëllimi për ne, dhe si mund të na ndihmojnë? (Shihni edhe figurën.)

15 Kur vuajmë, vëllezërit e motrat mund të jenë «burim i madh ngushëllimi». (Kolos. 4:11) Ata janë një shprehje e gjallë e dashurisë së Jehovait për ne. Bashkëbesimtarët mund të na ngushëllojnë duke na dëgjuar me dhembshuri ose mund të na mbështetin me praninë e tyre. Mund të na japin zemër me një varg nga Bibla ose mund të luten me ne.d (Rom. 15:4) Ndonjëherë një vëlla a një motër mund të na kujtojë si mendon Jehovai, e kështu na ndihmon të mbajmë ekuilibrin. Bashkëbesimtarët mund të na japin edhe ndihmë praktike, si për shembull duke na sjellë diçka për të ngrënë ndërsa kalojmë një situatë stresuese.

Dy pleq kanë shkuar të vizitojnë një motër në spital. Ndërsa bisedojnë me të, i kanë Biblat të hapura.

Bashkëbesimtarët e besueshëm dhe të pjekur mund të jenë burim i madh ngushëllimi e ndihme (Shih paragrafin 15)


16. Çfarë mund të jetë e nevojshme të bëjmë që të tjerët të na ndihmojnë?

16 Që të tjerët të na mbështetin, mund të jetë e nevojshme t’u kërkojmë ndihmë. Vëllezërit dhe motrat na duan shumë dhe kanë dëshirë të na ndihmojnë. (Prov. 17:17) Mirëpo mund të mos e dinë si ndihemi ose çfarë na nevojitet. (Prov. 14:10) Nëse po vuan emocionalisht, mos ngurro të flasësh për ndjenjat e tua me miq të pjekur. Tregoju çfarë ndihme të nevojitet. Mund të zgjedhësh të hapesh me një a dy pleq me të cilët ndihesh rehat. Disa motra kanë marrë zemër kur kanë folur me një motër të pjekur.

17. Cilat janë disa sfida që mund të na pengojnë të marrim inkurajimin e nevojshëm, dhe si mund t’i kapërcejmë?

17 Rezistoji prirjes për t’u izoluar. Ngaqë e ke zemrën të vrarë, ndoshta nuk të vjen të rrish a të flasësh me të tjerët. Ndonjëherë vëllezërit e motrat mund të të keqkuptojnë ose mund të mos zgjedhin fjalët e duhura. (Jak. 3:2) Mos i lejo sfida të tilla që të të pengojnë të marrësh inkurajimin e nevojshëm. Një plak që quhet Gavin dhe që vuan nga depresioni, thotë: «Shpesh gjëja e fundit që dua të bëj, është të komunikoj me miqtë.» Gjithsesi Gavini nuk i lë ndjenjat të marrin timonin dhe përfiton nga shoqëria me të tjerët. Një motër që quhet Emi, thotë: «Përvojat e së kaluarës ma kanë bërë të vështirë t’u besoj të tjerëve. Megjithatë po mësoj t’i dua dhe t’u besoj vëllezërve e motrave, siç bën Jehovai. E di se kjo e lumturon Jehovain e më bën të lumtur edhe mua.»

MERR ZEMËR NGA PREMTIMI SE JEHOVAI DO TË TË SHËROJË

18. Çfarë presim me padurim në të ardhmen, dhe ç’mund të bëjmë tani?

18 Mund ta shohim plot besim të ardhmen, të sigurt se së shpejti Jehovai do të na shërojë krejtësisht çdo plagë emocionale dhe fizike. (Zbul. 21:3, 4) Atëherë gjërat e dhimbshme që kemi përjetuar ‘nuk do të zgjohen më në zemër’. (Isa. 65:17) Siç e kemi parë, Jehovai ‘na i lidh plagët’ qysh tani. Ndaj nxirr dobi plotësisht nga masat e dashura të Jehovait që të të ngushëllojë e të t’i lehtësojë brengat. Mos dysho as edhe për një çast se ‘ai merakoset për ty’.—1 Pjet. 5:7.

SI NA NDIHMON JEHOVAI . . .

  • ta luftojmë dyshimin nëse kemi vlerë?

  • të mposhtim ankthin që na shkaktojnë gabimet e së kaluarës?

  • të marrim zemër nga vëllezërit e motrat?

KËNGA 7 Jehova, je forca jonë

a Emrat janë ndryshuar.

b Shih kutinë «Ti je i çmuar për Jehovain».

c Që «t’i ndreqim gjërat» me Jehovain, duhet të tregojmë se jemi penduar duke i kërkuar falje për gabimet tona dhe duke ndryshuar sjellje. Nëse bëjmë një mëkat të rëndë, duhet edhe t’u kërkojmë ndihmë pleqve të kongregacionit.—Jak. 5:14, 15.

d Shih, për shembull, shkrimet te zërat «Ankthi» dhe «Ngushëllimi» në librin Parime nga Bibla për jetën.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo